Nata e ndërrimit të viteve duhet të jetë një natë feste në çdo familje, por jo të gjitha kanë mundësinë ta festojnë ashtu siç duhet. Tërmetet e vitit 2019 kanë lënë shumë familje në qiell të hapur të cilat ende vijojnë të jetojnë në çadra.

Epo në këto kushte, festa nuk ka sesi të marrë ngjyrat e saj. E tillë është edhe familja Kurti prej tre anëtarësh në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit.

52-vjeçari Xheladin Kurti thotë se jetesa në çadër prej vitit 2019 ka qenë një tmerr i vërtetë për të dhe familjen e tij. Kryefamiljari shprehet se nuk mendon për festën, por vetëm se si t’i rikthehet jetës normale. Xheladini na tregon se me 4 mijë lekë të rinj ndihmë ekonomike nuk ka asnjë mundësi që ta ndërtojë vetë banesën. Deri tani nga shteti ka marrë vetëm premtime, por asgjë konkrete. Madje ata kanë parë edhe kushtet shumë larg normales në të cilën vijon të jetojë familja e tij.

Apeli i vetëm ndaj instancave shtetërore është ndërtimi i një banese të re, pasi po ju rrezikohet shëndeti në të ftohtin e acartë gjatë dimrit.

Të vetmin ushqim që ka kjo familje për të festuar natën e ndërrimit të viteve, është ky plonc i vendosur në tenxhere për ta zier. E zonja e shtëpisë, Dhurata Kurti thotë se edhe këtë ja kanë falur, ndërsa nuk e ka imagjinuar që në tryezë familjes t’i shtrojë gatimet që të gjithë i kanë këtë natë.

Çifti Kurti nga fshati Rripë i Bashkisë së Klosit na përcjell me shpresën se vitin e ardhshëm, do të festojnë në banesë të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: