Familja Maradona sërish në zi. Hugo Maradona, vëllai i Diego Armando Maradonës, vdiq sot, më 28 dhjetor, nga arresti kardiak. Vdekja ka ndodhur në orën 11:50 të ditës së sotme.

52-vjeçari jetonte në zonën Flegrean, në Monte di Procida, në provincën e Napolit. Hugo Maradona vdiq në shtëpinë e tij, ndërsa në vend mbërritën punonjësit shëndetësorë që konstatuan faktin tragjik.

Situata bëhet shumë e dhimshme, sepse vëllai i vogël ndahet nga jeta një vit pas vdekjes së Diego Armando Maradonës, e cila ndodhi më 25 nëntor 2020 në Argjentinë. Vëllai më i vogël i Diego, si ai dhe vëllai tjetër i tij, Raul, i quajtur Lalo, filloi një karrierë futbolli në moshë shumë të re.

Në moshën 18-vjeçare u ble nga Napoli, kampioni i saposhpallur italian, i cili e huazoi tek Ascoli. Të dy luajtën edhe si kundërshtarë, por karriera e Hugos më pas mori rrugë të tjera: Rayo Vallecano në Spanjë, përvoja në Austri dhe Japoni, përpara se të kthehej në Napoli dhe t’i përkushtohej futbollit të të rinjve.

Në vitet e kaluara, ai drejtoi edhe Boys Quarto. Ndryshe nga vëllai i tij Diego, Hugo mundi ta përballonte luksin e të jetuarit në Napoli dhe të bridhte lirisht, pavarësisht mbiemrit të rëndë dhe ngjashmërisë së jashtëzakonshme me vëllain e mirënjohur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb