Tirana dhe disa qytete në vend u përballën dje me reshje të fuqishme shiu, duke shkaktuar kështu probleme me përmbytjet. Mes të prekurve janë edhe shumë banorë në zonën e Urës së Shkozës, ku banesat e tyre aktualisht janë ende në pushtetin e ujit. Gazetari i ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Erjon Skëndaj në një lidhje direkte për emisionin ‘Real Story’ ishte në një prej banesave të prekura nga përmbytjet ku solli nga afër situatën.

Teksa i drejtoi të zotit të shtëpisë pyetjen se ku do të flinte sot, ky i fundit tha; ‘në makinë’. Banori tha se për rreth 60 vjet banesa e tij nuk ka pësuar asnjëherë përmbytje, ndërsa theksoi se në këto 16 muaj është përmbytur dy herë. Shkak sipas tij janë bërë punimet e firmës për ndërtimin e rrugës për Unazën e Madhe.

“Situata për momentin është kjo që shihni tani (tregon shtëpinë). Nuk kemi pasur ujë gjithë ditën. Po të kishim pasur do e kishim pastruar. Ndihmë kemi pasur nga kryetarja e minibashkisë nr.1 dhe nga deputeti i zonës. Na kanë premtuar zgjidhje. Na thanë se duhet të shkoni në qendër sociale, por nuk pranuam. Femrat e shtëpisë i kemi çuar tek të afërmit, ndërsa ne burrat do flemë në makinë. Nuk jemi përmbytur asnjëherë në këto 60 vjet. Shtëpia është e pabanueshme, vjen erë nga uji. Por brenda 16 muajsh jemi përmbytur 2 herë, për shkak të punimeve nga firma e ndërtimit që po punon për Unazën e Madhe”, tha banori i prekur nga përmbytjet.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: