Vdekja sa tragjike aq dhe misterioze e një nënë nga Kosova, është bërë sot pjesë e emisionit “Zemër të Hapur”, e cila ishte mes viktimave të shkaktuara nga koronavirusi. Sevdije Kuklici, 39 vjeçe, e lindur në Skënderaj të Kosovës, la pas dy jetimët, Erblinin 17 -vjeçar dhe Erblinën, 13 vjeçe. Siç duket dhimbja në këtë familje nuk do të ndalte hapin, pasi më herët fëmijët kishin humbur babain. Fati e deshi që rrugëtimi i jetës së tyre të ishte i vetëm, shtrënguar dorën vëlla e motër pa prindërit e tyre.

Jeta e vështirë e Sevdijes, plot me sakrifica u përmbyll me humbjen e jetës nga vrasësi i heshtur Covid-19. Ndërkohë, familjarët e saj nuk e pranojnë faktin se ajo ndërroi jetë nga koronavirusi, ndërsa hedhin akuza se motra e tyre vddiq për shkak të neglizhencës së mjekëve.

Ata kërkuan zhvarrosjen e trupit të 39-vjeçares, ndërkohë që kjo procedurë ndodhi 4 ditë pasi ajo u varros. Motra e viktimës, tha se tashmë duhen dy javë për të marrë përgjigjet e autopsisë, ndërsa prokuroria e Pejës ka hapur tashmë hetimet për çështjen në fjalë.

“Motra ime quhet Sevdije Kuklici, lindi në Skenderaj, dhe u martua në moshën 20-vjeçare në vitin 2002 ne fshatin Llug të Istogut. Pas një viti martesë erdhi në jetë fëmija i parë Erblini, që sot ai është 17 vjeç. Ajo u martua me Luan Kuklici, i cili ishte pjesë e UÇK. Ai s’ka qene i lënduar nga lufta. Por pas përfundimit të luftës, Luani ka vazhduar jetën në martesë me motrën time. Luani ndërroi jete në vitin 2007 në Bjeshke ne një aksident ku punonte në tokën e vet duke i rënë një pemë e lartë. Kishin ardhur në jetë të dy fëmijët i dyti ne vitin 2006, vajza e cila quhet Erblina 13-vjeç. Pas vdekjes se Luanit, motra ka qëndruar me fëmijët ne familjen e bashkëshortit. I ka rritur me vështirësi te madhe pasi brenda një banese ishte vjehrra dhe dy vëllezërit e Luanit. Por kishte 6 vite qe motra jetonte vetëm në banese me fëmijët. Motra ishte shtëpiake, ka pasur një pension të cilin e merrnin prej Luanit i cili kishte kontribuar ne lufte, ne vlerën 120€, njerëzit e Luanit e kane ndihmuar shume pasi vëllezërit e Luanit i ndërtuan edhe banesën. Ne jemi 6 fëmijë, tre vëllezër e tre motra. Prindërit tanë jetojnë ne Skenderaj rreth 72 vjeçar. Të gjithë janë të martuar. Unë kam ardhur te banesa e motrës dhe jam duke i mbajtur afër dhe duke u kujdesur për fëmijët. Jam ndodhur në banesë të motra, por motra ka qenë me probleme nga ulcera, dhe i filluan shqetësimet në datën 9 prill, dite e enjte kur unë isha këtu, afër orës 8 të mëngjesit. Ajo ishte e izoluar bashkë me fëmijët, dilte vetëm në markete dhe farmaci. E kam shoqëruar ne qendrën shëndetësore në Istog, pas kontrollit, i bënë edhe EKG-në e zemrës, edhe e kanë nisur me autoambulancë në spital të Pejës, sepse dyshuan për probleme të zemrës. Motra u nis me autoambulancë, por unë nuk e shoqërova dot por shkova me makinën time. Kur shkova aty, ajo ishte shtruar në repartin e Urgjencës, ka bërë serum, kjo zgjati diku një ore. Pastaj atë ditë përsëri i bene një EKG tjetër dhe një analizë të zemrës, e cila tregoi shumë normal. I kanë bërë një lloj fotografie për ulçerën dhe doktoresha i tha që ka pak ngarkesë dhe duhet pasur kujdes me ushqimet. Pastaj i dhanë një terapi në shtëpi dhe ne u larguam për në shtëpi.”, tha e motra.

Mes të tjerash ajo tregoi edhe fjalët e fundit që i tha e motra, ndërsa nuk i mbante dot lotët.

“Pas një orë që erdhëm në shtëpi, i filluan përsëri dhimbjet, por shumë të mëdha, edhe pastaj e shoqërova përsëri në qendrën shëndetësore. Aty i bënë përsëri një qetësues dhe na dërguan përsëri në Pejë, ishte ora rrethe 2 e drekës, dhe e çova me makinën time për arsye nuk mund të kishte autoambulancë. E çova përsëri në urgjencë, edhe aty i bënë përsëri EKG zemre, (e katërta e bërë brenda ditës), edhe mbas asaj i kanë bërë një analizë tjetër edhe pastaj e kanë shtruar në repartin e koronares. Pastaj pati ndryshime shumë të tensionit, nga me i ulet në të lartë. Të nesërmen është bërë konsulta mjekësore, motra i ka dëgjuar mjekët vet duke thënë me njeri-tjetrin se “rasti nuk është i imi, mere ti”. Pastaj kanë dalë dhe më kanë thirrur që të marrë disa medikamente qetësuese. Hyra brenda dhe takova motrën dhe e pyeta se “çfarë të thanë mjekët” dhe ajo më tha se “nuk po di asgjë veçse se ata nuk donin ta merrnin rastin përsipër”. Pastaj unë dola dhe u ktheva në shtëpi, e lash motrën aty prej tre ditësh, dhe tërë kohës kam pasur kontakt me mjekun që e pati në kontroll, por ai nuk me jepte asnjëherë shpjegim. Unë çdo ditë shkoja e pyesja dhe askush nuk më thoshte asnjë informacion. Të enjten u shtrua dhe të shtunën u përkeqësua shumë. Isha në orën 12 të drekës dhe më pohoi se “nuk kam ngrënë asgjë prej të mërkurës”. E pyeta se “çfarë të kanë sjellë, më pohoi vetëm lakra. Por s’kam mundur të ha asgjë”. I bleva diçka që ajo ta hante pa kripë, por e provoi dhe nuk e hëngri dot. Unë u ktheva përsëri në shtëpi të shtunën, nga ora 1 e natës me ka marrë motra në telefon dhe tha se; “po me nisin për në Prishtine, të lutem eja”. Unë nuk munda dot të shkoja sepse kisha fëmijët. U nisa rreth orës 6 e mëngjesit për Prishtinë, dhe kam mbërritur rreth orës 8 në mëngjes. Kur mbërrita në spital me pohuan se e kishin çuar në kirurgji abdominale. Shkova me vrap nëpër dhoma dhe e gjeta në një korridor. E vetmja fjale që me tha ishte; “Si arrite që më gjete?!”. Barkun e kishte shumë të fryrë. E pyeta si ishte, ajo me tha se; “jam shumë keq”. Në orën 8 erdhi vizita mjekësore dhe ata kanë pohuar se ajo ka probleme serioze me jetën. Mjekët pohuan se gjendja ka ardhur si pasojë e vonesës së spitalit të Pejës. Kanë pohuar që duhet të hyje në salle urgjent. Mjekët më thanë se duhet t’i blej mjekim për stabilizim. Por para se të operohej duhej t’i bënin testin e COVID-19, jo se kishin dyshime por thjeshte për procedurë, sepse motra nuk kishte asnjë shenjë të virusit.

Edhe pse rezultatin e COVID-19 nuk e morën, mjekët e futën në sallë motrën. Operacioni zgjati 2 orë. Kam pyetur gjatë gjithë kohës dhe shkoja dhe blija gjerat që i duheshin mjekëve. Pasi doli prej operacionit, gjendja e saj nuk ka qenë shumë e mirë. Ata thane se ulçera ka shpërthyer dhe ka kaluar infeksioni në veshka dhe gjak, në krejt organizmin. Pas operacionit filloi të stabilizohej tensioni dhe frymëmarrja. Por kjo nuk zgjati shumë, pasi ajo kishte shumë probleme me frymëmarrjen dhe mjeket konsultuan qe ajo duhet të bënte dialize rreth 1 orë e 40 minuta. Aty në atë salle ne na thanë se erdhi rezultati i analizës se COVID-19, e cila ishte pozitiv. Mjeket siç e morën vesh atë informacion, e lanë ne sallë motrën. Motra po merrte fryme me vështirësi. Ajo nuk mundej për asgjë, askush nuk vinte. Unë dhe vëllai e kemi marrë me shtrat e kemi çuar deri në Infektiv. Në momentin që e mori Infektivi, ne nuk morëm më asnjë informacion. Ajo ishte në luftë me jetën dhe rreth orës 4 të pasdites na pohuan që duhet të izoloheshim. U kthyem në shtëpi edhe u izoluam. Unë mora kontakt me Infektivin dhe aty me pohonin çdo ditë se ajo ishte rëndë dhe gjendja ishte e përkeqësuar, deri të dielën në mesnate me pohuan se ajo është rëndë. Të hënën na thirri instituti, mua dhe vëllain dhe gjithë familjen për të bërë testin e COVID. Mbasi u ktheva në shtëpi, mora infermieren në telefon dhe me tha se do më nxirrte mjekun. Por ai nuk pranoi të fliste. Infermieria në datën 13 prill, ditën e hënë, na pohuan se motra ka ndërruar jetë. Po atë natë në mbrëmje ne na doli rezultati negativ. Këtë e bënë edhe fëmijët edhe njerëzit e tjerë, rreth 14 anëtarë dhe kanë rezultuar negativ. Pas dy ditësh edhe 18 anëtare të tjerë të familjes kanë rezultuar negativë, edhe motra e martuar në Mitrovicë edhe atyre iu bë testi dhe kanë dal negativë. Motra u varros vetëm nga unë, dy fëmijët e saj dhe vëllai im. Ka pasur shumë prezencë policie. Është sjellë kufoma në arkivol me një qese hermetike. Mbas varrimit u dha lajmi që është një rast me COVID, e cila ka ndërruar jetë. Një gazetar i Istogut erdhi dhe me pyeti se si ishte puna dhe unë aty kam treguar se motra ishte neglizhuar nga mjekësia, edhe lajmi shkoi deri në prokurori. Më pas ka ardhur një prokuror dhe më ka pyetur mua dhe familjen se nëse duhet që ta zhvarrosim. Trupi i motrës u zhvarros, për t’ju nënshtruar rezultatit. Ndërkohë, ne jemi në pritje të rezultatit dhe ende nuk kemi asgjë, asnjë informacion. Ne kemi informacion nga mediat se rezultati ka dal po nuk po na komunikohet ne familjarëve. Motra nuk ka pasur asnjë kontakt që mund të infektohej, sepse unë këtu rrija me motrën dhe e dija qe ajo nuk ishte e infektuar. Unë po vuaj se prindërit nuk erdhën në varrim të vajzës se tyre dhe nuk e panë atë në momentet e fundit. Fjala e saj e fundit ishte; si më gjete. Më pas nuk ka mundur që të flasë më asgjë, pasi ka qenë e pavetëdijshme.”, tha motra e viktimës.

Pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Ervis Ahmeti u bë edhe drejtori i Shëndetësisë në komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, i cili përmes një lidhje telefonike tha se 39-vjeçarja kur është paraqitur në këtë qendër shëndetësore, nuk ka pasur asnjë simptomë të koronavirusit. Ai tha se dritë mbi ngjarjen do të hedhë raporti i autopsisë.

“Sipas informacioneve zyrtare, dhe në sajë të bisedës me mjekët, ajo ka ardhur me disa ankesa rreth lukthit. Me disa shqetësime, si dhimbje në stomak. I është matur temperatura. Më pas i është bërë një EKG, ka pasur disa çrregullime. Ka deklaruar se ka pasur probleme me lukthin dhe se i kalonte me disa barna. Kur e pa që dhimbja porritej, doktori e ka dërguar në spitalin e Emergjencës. Ata pasi e kanë vizituar, e kanë kthyer në shtëpisë sërish. Pasi dhimbja nuk i ka pushuar, ajo është kthyer sërish në spital. Më pas ajo ka shkuar sërish në Pejë. Më pas e kanë përcjellë në Prishtinë. Kur ka dalë prej operimit në Prishtinë, nuk ka arritur të mbijetojë. Në qendër të Istogut, nuk bëhet, por dhe në Pejë jo. Nuk kishte simptoma të grupit, të COVID-19. Nuk kishte asnjë simptomë. Më pas ka qëndruar për 3 ditë në spitalin e Pejës. Nuk duhet të paragjykojmë, pasi nuk kemi një raport ekzaminimi, atë e përcakton autopsia. Nuk mund të deklaroj se ka pasur apo jo neglizhencë. Ende nuk dihet nëse e ka pasur vet COVID-19, apo e ka marrë në spital”, tha ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb