Pritjes për ta i erdhi fundi, pasi sot do të takohen me vogëlushët e tyre, të cilët u dërguan vite më parë drejt Sirisë. Teksa pritet që nga momenti në moment avioni i nisur nga Libani, ku në bord është dhe kryeministri Edi Rama, të zbresë në Atdhe me 4 fëmijë shqiptarë dhe një grua e plagosur, që ishin në kampin famëkeq të Al-Holit në Siri, familjarët e tyre presin me ankth në aeroportin e Rinasit.

Në një lidhje direkte për gazetaren ‘News24’ Dorjana Bezat, ka folur daja i Eva dhe Endri Dumanit, Agim Ndregjoni, i cili pret me padurim që të përqafojë nipin e tij pas shumë vitesh, ndërkohë riatdhesimi i mbesës nuk është bërë i mundur dot.

Ndregjoni tha për mediat se: “Mezi po presim me padurim që ata të jenë në gjirin e familjes. Do respektojmë procedurat ligjore për trajtimin e këtyre fëmijëve.”. Mes të tjerash ai i bëri thirrje dhe mbesës së tij që ajo ti bashkohet forcave që e kërkojnë dhe që të mbërrijnë në Shqipëri, ku e pret një jetë e qetë dhe e lumtur. Ndërkohë, Bezat ka siguruar dhe disa plane ku shihet nëna e Endri Dumanit, e cila përgjatë gjithë kohës nuk mund t’i ndalë lotët dhe qan me ngashërim. Të shpëtuarit nga kampi Al-Hol pas mbërritjes në Shqipëri do të transportohen në një qendër të posaçme në Durrës ku do të marrin trajtim psikologjik dhe shëndetësor në një afat të pacaktuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb