Ndërsa qendra e qytetit të Shkodrës shkëlqen nga atmosfera e festave të fundvitit, në lagjet periferike, ku banojnë pjesa më e madhe e familjeve të varfra, nuk ka zbukurime dhe as drita shumëngjyrëshe.

Në dyert e tyre trokasin vetëm disa të rinj, vullnetarë të shoqatave, që u ofrojnë ngrohtësi dhe pako me ushqime për natën e Vitit të Ri familjeve të varfra, prindërve të brakstisur apo gjyshërve të vetmuar.

Sipas INSTAT, 21.8% e shqiptarëve jetojnë në kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, ndërsa sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar rreth 32.6% e popullsisë, apo një e treta e saj, konsiderohen të varfër, që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

“Jemi në ditën e shpërndarjes së ushqimeve, sipas nismës që e kemi kthyer në traditë ‘Gatuaj një pjatë më tepër ‘. Gjithmonë, shkodranët e kanë patur traditë të gatuajnë një pjatë më tepër për miqtë dhe ku më bukur se sot të dhurosh një pjatë për familjet që janë në nevojë, që nuk e kanë mundësinë ekonomike. Festat simbolizojnë tavolinën e mbushur plot me buzëqeshje. Kështuqë, u bashkuan shkodranët dhe na mbështetën. Janë mbledhur shumë pako me ushqime. Në këto momente janë rreth 250 familje që na kanë dhuruar pakot dhe deri në datën 31, kemi për t’i shpërndarë në familjet e varfra”, thotë Mirsad Basha, i cili drejton shoqatën “Eko Mendje”.

Sipas tij nga viti në vit po rritet numri i familjeve në varfëri, por edhe i personave të vetmuar apo të braktisur.

“Gjendja ekonomike është e keqe, jo vetëm për ata që gjithmonë kanë qenë në nevojë, por edhe familje të tjera që e kanë një punë. Gjendja ekonomike duket gjithmonë e më në rënie, sidomos ata që janë me probleme shëndetësore dhe sociale. Në listat tona si vullnetarë, numri i këtyre familjeve zakonisht është 250 dhe të moshuarit që jetojnë vetem dhe nuk kanë asnjë të afërm janë afërsisht 30”, thotë ai.

Atalanta Zhuku prej 5 vitesh është bërë pjesë e grupit të vullnetarëve të shoqatës “Eko Mendje”.

Ajo thotë se, gjatë këtyre viteve, ka vizituar me qindra familje të varfra që jetojnë në kushte të mjerueshme.

Vitet e fundit, Shqipëria është përballur me pasojat e tërmetit, pandemisë, fenomenin në rritje të emigrimit të të rinjve si dhe shtrenjtimin e kostos së jetesës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kjo, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka shtuar edhe numrin e familjeve që jetojnë në nivelin e varfërisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: