Nga: OLA MITRE*
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka përcaktuar datat, në të cilat do të zhvillohet provimi i ricertifikimit për të gjithë ata farmacistë dhe stomatologë, të cilët nuk përmbushën detyrimet e ciklit të parë të edukimit në vazhdim. Sipas QKEV-së, provimi i certifikimit për stomatologët do të zhvillohet në orën 9:00 të datës 3 dhjetor, në Fakultetin e Stomatologjisë.

Ndërkohë që, për farmacistët do të zhvillohet në orën 12:00 të datës 15 dhjetor, pranë Fakultetit të Farmacisë. Pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë) si dhe me një fotokopje të saj. Po ashtu, ata duhet të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit si dhe të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit.

Pjesëmarrësit
Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se një numër i konsiderueshëm dentistësh e farmacistësh do të humbasin të drejtën e ushtrimit të profesionit, deri në momentin që do të ricertifikohen. Kjo pasi, sipas listave përfundimtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, ishin 437 dentistë dhe 101 farmacistë që s’kishin plotësuar numrin e kërkuar të krediteve e për pasojë duhej të futeshin në provimin e certifikimit.

Këta profesionistë kishin detyrimin të regjistroheshin për këtë provim pranë QKEV-së deri në datën 30 tetor. Por, sipas të dhënave të QKEV-së, janë rreth 50 dentistë dhe 50 farmacistë që kanë kryer këtë regjistrim, çka do të thotë se rreth 400 të tjerë do të mbeten jashtë këtij procesi. Sipas sanksioneve që parashikon ligji “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i cili u ndryshua në korrik në këtij viti, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen, nëse profesionisti i shëndetësisë nuk merr asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm.

Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti t’i jetë nënshtruar provimit të certifikimit. Sipas të njëjtit ligj, nëse profesionisti i shëndetësisë mbledh kredite të edukimit të vazhdueshëm, por më pak se limiti i kërkuar, ai duhet t’i nënshtrohet provimit të certifikimit brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit. Ndërkohë që, nëse dështon në provim, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen.

“Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti të ketë kaluar me sukses provimin e certifikimit”, – theksohet ndër të tjera në këtë ligj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: