NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH) u kthen kurrizin farmacistëve që kanë dalë në pension. Edhe pse janë më shumë se 200 farmacistë të cilët çdo vit paguajnë minimalisht 12 mijë lekë në llogari të UFSH-së, pa llogaritur pagesat që bëjnë për përditësimin e dijeve dhe marrjen e krediteve. Me një vendim arbitrar dhe të paligjshëm, si e quajnë ky grup farmacistësh, Presidentja e UFSH-së, Diana Toma dhe Këshilli Kombëtar kanë ndryshuar statutin, duke iu hequr të drejtën këtyre farmacistëve që të jenë drejtues teknikë në farmaci.

Pjesë në grupin e farmacistëve në pension janë emra të njohur të kësaj fushe, të cilët kanë qenë ‘partizanët’ e hartimit të ligjit “Për Urdhrit e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë”, si Andrea Matua, Afrim Tabaku, Dragush Kurti, Përparim Hoxha dhe Sadik Berisha. Ky grup u janë drejtuar me një letër edhe institucioneve më të larta të shtetit, Presidentit të Republikës Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Po ashtu, për këtë vendim të njëanshëm të UFSH-së ata i janë drejtuar edhe gjykatës, dhe pritet që në shtator të nisë dhe beteja ligjore.

Letra
“Ne, një grup prej më shumë se 200 farmacistësh që kanë të drejtë të dalin në pension, por që kanë zgjedhur të vijojnë të punojnë, po ju drejtohemi nëpërmjet kësaj thirrjeje publike, duke kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen Tuaj, ndaj vendimit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë të datës 29 maj 2015, i cili na heq të drejtën ligjore të ushtrimit të profesionit si drejtues teknikë. Ky vendim arbitrar, antiligjor, antiprofesional dhe diskriminues është cilësuar si tejkalim kompetencash nga ana e ministrit të Shëndetësisë”, shkruhet në letrën e farmacistëve në pension. Faktikisht, ky ndryshim i statutit është kritikuar edhe nga ministri i Shëndetësisë Beqaj, i cili ka dalë në krahë të farmacistëve dhe kundër Urdhrit të Farmacistëve.

Po ashtu, edhe në ligjin “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik”, në nenin 40 përcaktohet qartazi se kush ka të drejtën të jetë drejtues teknik, dhe nuk bëhen përjashtime për farmacistët që janë në moshë pensioni por kanë zgjedhur të punojnë. “Drejtues teknik i farmacisë është çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë ose i huaj, që plotëson kërkesat e mëposhtme: zotëron diplomë universitare të Fakultetit të Farmacisë; për shtetasit e huaj nevojitet njësimi i diplomës universitare nga autoriteti përgjegjës; ka një përvojë pune prej tre vjetësh në farmaci; është anëtar i Urdhrit të Farmacistëve; drejtuesi teknik i farmacisë e ushtron këtë rol vetëm për një farmaci”, përcaktohet në ligj.

Me ndryshimin e statutit të bërë nga UFSH-ja, për drejtuesin teknik janë shtuar disa kritere që nuk parashikohen në ligj, dhe sipas këtij vendimi, kandidatët që aplikojnë për drejtues teknik nuk duhet të kenë mbushur moshën për pension, përjashtuar rastet e të vetëpunësuarve. “Pra të drejtën të mbajnë këtë pozicion pune kanë vetëm ata farmacistë në pension që janë pronarë farmacie, të tjerët UFSH-ja i diskriminon duke ua hequr të drejtën, edhe pse na e njeh ligji”, sqarojnë farmacistët në pension.

“Ne, kategoria e një brezi që punojmë prej më shumë se 40 vitesh në shërbimin farmaceutik shqiptar, e ushtruam këtë profesion kaq të nderuar në çdo cep të vendit tonë, aty ku ishin zonat më të thella të tij. Ideuam, ngritëm dhe konsoliduam Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë. Urdhri u bë shtëpia jonë e përbashkët, ku ndiheshim të qetë dhe të mbrojtur, falë solidaritetit njerëzor mes nesh. E gjitha kjo arritje u shua për Ne sa të hapësh e të mbyllësh sytë, nga vendimi i propozuar nga Presidentja Diana Toma në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 29 maj 2015”, shkruhet në letrën e farmacistëve në pension. Po ashtu, sipas tyre, pretendimi i presidentes së UFSH-së se ndryshimet statutore janë bërë për të mbrojtur shërbimin, janë një gënjeshtër.

“Ju, në vend që t’i mbroni farmacistët nga veprimet arbitrare, për ta ushtruar profesionin sipas përcaktimeve në ligj, ndërmerrni vetë veprime të tilla. Koncepti i fjalës ‘shërbim’ për ju është shumë i ngushtë. Zonja Presidente, ndajmë koncepte të ndryshme për zhvillimin. Ne zhvillimin e shohim si proces të vazhdueshëm dhe me dimension të gjerë. Keqardhje për ngushtësinë e konceptimit tuaj mediokër, të cilin kërkoni ta shisni si modern, duke spekuluar me eksperienca të vendeve ku aspirohet të shkohet”, shkruhet në një reagim të gjatë të farmacistëve në pension, drejtuar presidentes së UFSH-së, Diana Toma.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: