Nga: ILIR KALEMAJ*
Hall i madh duket se e ka zënë qeverinë në pragzgjedhje: duhet shtuar administrata me shumë specialistë-blogistë të tjerë, të mbajnë nën fre polemikën që ka hapur një nga socialistët më të artikuluar, ku shkrimi i radhës së Blushit vjen si qershia mbi tortë, pas shkrimit të fundit mbi “funeralin e rilindjes” të prirë nga “krenaristë dhe kanabistë” etj. Nga njëra anë mirë do të ishte, se do ulej disi papunësia që është rritur me 7 për qind në kohën e rilindur, por siç shkruante edhe deputeti socialist, shpenzimet për të mbajtur në këmbë administratën janë fryrë me 15 për qind. Po ç’po ndodh realisht në Shqipërinë e masave që kufizojnë boll liri e të drejta dhe ku mungojnë reformat vizionare që do të gjeneronin rritje ekonomike, punësim dhe mirëqenie.
Hiç më shumë e hiç më pak se fry administratën, rrit borxhin, shto papunësinë, rrit gjobat, shto burgun, fry çmimet, rrit energjinë dhe ujin, hiq ndihmën ekonomike, kuro fasadën dhe shto azilantët që po ikin nga sytë këmbët nga ky vend ku pritshmëritë e pjesës më të madhe të 1 milion “shpullaxhinjve” janë zhgënjyer keqazi.
Qeveria pasi “mesatarizon” çmimin e energjisë elektrike, që në fakt është një rritje e ndjeshme që e përjetuan 95 për qind e shqiptarëve për rimbursimin që u takon më të varfërve dhe shtresave më të pambrojtura dhe margjinale në shoqëri, i end si “çifuti nëpër shkretëtirë” nga njëra zyrë në tjetrën. Aty duhet të paraqesin një mal me dokumentacione që provojnë statusin e tyre, ashtu sikundër dhe për ndihmën ekonomike, ndërkohë që vetë rimbursimi duhet të kalojë nga kërkesa për (ri)alokim fondesh nga pushteti vendor te Ministria e Mirëqenies, ku vetë titullari është i zënë me fushatë. Për të mos përmendur mandej korridoret kafkeskë të së cilës që jo rrallëherë e alokojnë fondin sipas preferencës politike, helbete Shqipëri hesapi.
Kjo ngaqë vëmendja është e përqendruar te fasada, jo te përmbajtja. Synohen të mblidhen sa më tepër të ardhura, ndërkohë që rënia e konsumit dhe e prodhimit, por edhe evazioni fiskal në rritje si rezultat i ndryshimeve negative të sistemit tatimor, rritjes së kompleksitetit dhe barrës së tij mbi biznesin e vogël dhe jo vetëm, kanë çuar realisht në rënie të të ardhurave nga njëra anë dhe mungesë investimesh publike nga ana tjetër. Kjo e fundit, sepse mungojnë projektet ngaqë mungojnë specialistët, mungojnë idetë ngaqë mungon truri, mungojnë iniciativat, sepse dominon mediokriteti. Të presësh që ekonomia të rritet, të gjenerohet punësim, të frenohet vala e të arratisurve nga vendi, të shtohen buxhetet familjare dhe të rritet prosperiteti dhe cilësia e jetesës në mungesë të objektivave që duhet të mbështeten nga një strategji është si të thurësh ëndrra për diell. Ndërsa vetë strategjia kërkon pasjen e një vizioni si parakusht, pa të cilin është si të kërkosh të zësh lepurin me qerre dhe mandej ta shesësh këtë si sukses, njëlloj sikundër shet sapunin për djathë.
Natyrisht të kritikosh është vetëm gjysma e punës dhe shqiptarët si ballkanas të mirë e kanë sport kombëtar të ankuarit dhe identifikuarit të problemit. Por të arrish të ndërtosh projekte, të parashtrosh rrugëzgjidhje, të ndërtosh platforma, të sugjerosh zgjidhje është një gjë krejt tjetër dhe që kërkon guxim, mençuri, vizion dhe konstruktivitet. Që shpresa të kthehet në mundësi, që ëndrrat të bëhen realitet, që projektet të marrin formë, që fjalët të ndërtojnë ide dhe idetë të projektojnë reforma të realizueshme, kjo kërkon vendosmëri, largpamësi, burime njerëzore dhe shumë e shumë më tepër punë, sakrificë dhe mëngë-përveshje.
Ekonomisti i mirënjohur Zhak Atali, që së fundmi vizitoi edhe Shqipërinë, ku u nderua me Doktoratën “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, në një intervistë iu përgjigj pyetjes së gazetarit nëse e konsideronte veten kandidat të ardhshëm presidencial në Francë, duke qenë se po drejtonte projekt-programin për Francën e 2022-shit se kjo nuk ishte asfare e rëndësishme. ‘Në Francë – u shpreh i nderuari ekonomist – rëndësi kanë debatet mbi programet dhe idetë dhe jo së kush i mbart ato, ndryshe kthehet në debat të personalizuar’, sikundër ndodh rëndom këtu te ne, ku politika kthehet në batutë dhe vrigëllijnë sulmet verbale, duke hequr vëmendjen nga debatet “me bukë” që kanë nevojë të dëgjojnë njerëzit që mos të “big brotherizohen”. Kjo qesëndisje, që shpesh fyen inteligjencën e njerëzve amplifikohet më pas me klishe të tipit “kështu e bën edhe bota”, a thua kjo e fundit është e sheshtë dhe të gjithëditurit tanë ia kanë kuptuar prej vakti esencën.
Sikur në këtë vend të kishte më tepër përulësi, vetë-qesëndisje, kritikë të arsyeshme, racionalitet dhe atdhedashuri dhe sa më pak fodullëk, injorancë, hipokrizi dhe mediokritet, sikur të pakësoheshin ca militantët dhe të shtoheshin teknokratët, sikur të kishte një sistem vlerash dhe vlerësimi meritokratik, ndoshta edhe punët do shkonin më mbroth dhe shqiptarët nuk do të iknin nga sytë këmbët, ndoshta dhe politika nuk do të perceptohej si profesion fitimprurës, ndoshta do kishte dhe më shumë shpresë, besim dhe idealizëm. Eh sikur!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: