Duket se më të humburit prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët europiane janë eksportuesit, kryesisht operatorët në sektorin fason, që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve. Në harkun kohor të një viti (mars 2017- mars 2018), euro është zhvlerësuar me rreth 5 për qind. Vetëm gjatë marsit monedha e përbashkët ka humbur mbi 3 pikë përkundrejt lekut vendas, kurse nga viti në vit humbja ka qenë 6.4 pikë. Aktualisht euro ka zbritur në kuotën e 129 lekëve, ndërsa deri dy vjet më parë, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me 140 lekë.

E ndërsa me zhvlerësimin e euros, mallrat e importit, pushimet jashtë, këstet e kredisë po bëhen më të lira, duket se për fasonët “po kthehet në dhimbje koke”.

Flamur Hoxha, administrator i një kompanie fasone K***, tha për Monitor se humbja prej kursit të këmbimit, deri më tani shkon nga 5 deri në 7 për qind xhiros.

Shitjet e sektorit, në 2017-n, përllogariten të jenë rreth 50 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Anketa e Strukturore e Ndërmarrjes 2016 dhe operatorëve për normën e rritjes në 2017. Ndërsa humbjet për shkak të zhvlerësimit të euros me 5% arrijnë deri në 3.5 miliardë lekë, apo 27 milionë euro.

Këto humbje sipas zotit Hoxha do të amortizohen duke ulur fitimet dhe investimet e kompanive fason.
I gjithë sektori fason numëron 46 mijë të punësuar, sipas Anketës Strukturore të INSTAT. Kostot e punës janë zëri kryesor i shpenzimeve për sektorin dhe si avantazh kryesor kanë pasur krahun e lirë të punës.

Zhvlerësimi i euros po dëmton sektorin
Çdo pikë zhvlerësim i euros përkthehet në po kaq pikë minus të ardhura në sektorin e fasonit shprehet biznesmeni Gjergj Liqejza, administrator i kompanisë M***. Ai pohoi se gjatë vitit 2017 euro është nënçmuar me rreth 4 pikë ndaj lekut dhe po në këtë masë kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.

Eksportuesit i kanë kontratat e shitjes në euro teksa shpenzimet i kanë lekë. Rënia e vlerave të euros ka frenuar ritmet e rritjes së eksporteve të cilat do të ishin edhe më të lartë në vlerë nëse euro nuk do nënçmohej në nivelet aktuale. Rënia e mëtejshme edhe saj gjatë viti, lajmëron frenim të të rritjes së industrisë edhe këtë vit.

Në një prononcim të mëparshëm për Monitor, “A*** Sh****” një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht ne prodhimin e këpucës, pa një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro me rreth 4 pikë në vitin 2016.
Ekonomistja e A*** pohoi se nëse kursi i këmbimit do të vijonte nënçmimin për euron, siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijonte vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro. Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milion euro. Duke qenë se euro u zhvlerësua me 3.5 për qind në 2016, humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariteshin 35 mijë euro në vetëm një muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.

Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në vend, me 43% të totalit. Industria po kalon një fazë të mirë për momentin, për shkak të rritjes së porosive nga partnerët e huaj, sidomos ata italianë. Ekspertë të sektorit pohojnë se ata janë në fazë zgjerimi dhe po hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb