Gjatë bashkëbisedimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në selinë blu, Gjergj Gjika, një nga përfaqësuesit kryesorë të sektorit fason në Shqipëri, tha se ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë është ofruesi më i madh i vendeve të punës, por nuk shikohet si i tillë nga institucionet ndërkohë që prej qeverisë së ardhëshme ai tha se pret të mundshmen, jo premtime të pamundshme për tu mbajtur.

Gjergj Gjika: Ne i mirëkuptojmë sepse vështirësi natyrore mundet të ndodhin edhe në të ardhmen. Problemi është i përcjelljes, ne sot ndodhemi në një gjendje shumë të vështirë. Ne duam të përcaktojmë bashkërisht të mundshmen, siç thatë ju, angazhimet dhe ne duam angazhimet e qeverisë së ardhshme, të mundshme sepse u bënë kaq vite që ne dëgjojmë vetëm llafe të bukura, dëgjojmë vetëm premtime dhe në fund të fundit ne vemi vetëm me rezultate negative apo me, të themi spostime mbrapsht. Ne sot vërtetë jemi në këtë fazë shumë të goditur por ju e keni obligim që do të merrni qeverinë nesër që e para, e para është që të na shëroni biznesin shqiptar në përgjithësi dhe sektorin tonë në veçanti. E dyta të krijoni mundësinë që ky të eci pasi të shërohet me këmbët e veta. Dhe e treta të shohim për tregjet që ju i lançuat me të drejtë në të ardhmen, pra me vizionin afatgjatë të këtij biznesi i cili s’ka për tu mbyllur kurrë sepse njerëzimi që kur lind e derisa vdes ka nevojë për tu veshur e për tu mbathur.

Hëna Hoxha, anëtare e kryesisë së shoqatës, tha se fasoneria rrezikon të hyjë në krizë të thellë.

“Konkretisht në momentin që flas unë mbaroj punë të hënën dhe nuk e di se çfarë do ndodhi për minimum 2 muajt e ardhshëm”.

Lulzim Basha: Në ç’kuptim mbaroni të hënën?
Sipërmarrësja: Që s’ka asnjë lloj kontrate për sezonin që fillojmë. Klientët me emal-e zyrtare kanë komunikuar që deri në mesin e Prillit nuk ka as edhe njëlloj kontrate.*

Gjatë bisedës përfaqësuesit e fasonëve thanë se kjo situatë krize po çon bizneset drejt mbyllje. “Shoqata jonë me sa di unë bëri një anketim të shumë bizneseve tona ku nga anketimi doli që afërsisht mbi gjysma e sipërmarrësve si ne donin të shisnin bizneset, pra kjo do të thotë që është detyra juaj si kryeministër i ardhshëm ti ktheni besimin dhe entuziazmin sipërmarrjes së lirë”

Kryetari i PD tha politika e premtimeve të pambajtura ka dështuar dhe pikërisht për këtë arsye, kjo politikë e premtimeve boshe sulmon programin që Shqipëria fiton.

Lulzim Basha: Vështirësitë tuaja kanë qenë para tërmetit dhe para pandemisë. Këto vetëm janë thelluar. Prandaj dhe ju thashë që nuk kemi asnjë iluzion por radhën e punëve. Stabilizim pra normalizim dhe masat e para këto synojnë stabilizimin e normalizimin e situatës tuaj. Në qoftë se ju vazhdoni dhe humbni mijëra vende pune në javë, dhjetëra mijëra vende pune në muaj atëherë nuk ka asnjë kuptim të flasim për të ardhmen, se s’ka më të ardhme. Pra gjëja e parë është të ndalëm largimin e forcës punëtore apo paaftësinë tuaj për të vazhduar për të mbajtur forcën punëtore për shkak të gjithë problematikave që diskutuam deri tani. E dyta dhe që është po kaq e rëndësishme është rimëkëmbja e industrisë në tërësi. Dhe ne besojmë që me masat që kemi prezantuar, jo vetëm për sektorin tuaj, por edhe me masat specifike për sektorin tuaj rimëkëmbja e industrisë së fasonëve në Shqipëri është plotësisht e mundur brenda 12-18 muajve të parë. Kjo kohë nuk ka pse të humbet, por gjatë kësaj kohe ne mund të ndërtojmë së bashku vizionin jo thjesht për të mbajtur por për të zgjeruar dhe kapur tregjet e reja që mund dhe do të na ofrohen me lëshimet që po ndodhin si rezultat i ndryshimit të zinxhirit të furnizimit të Europës Perëndimore që është dhe tregu kryesor i fasonëve shqiptarë. Pra, të treja këto objektiva janë të gërshetuara. Stabilizim, rimëkëmbje dhe pastaj zgjerim në bazë të një vizioni të përbashkët. Nga shpalosja e planit, plani po sulmohet, po sulmohet nga ata qe nuk bënë asgjë, po sulmohet për një arsye të thjeshtë.

Njësoj si ju edhe sektorët e tjerë të ekonomisë edhe shqiptari më i thjeshtë duan ndryshim dhe ky plan është ndryshimi që ata dështuan ta sjellin për 8 vite me rrallë. Unë nuk kam ndërmend të harxhoj as një sekond kohë me sulmet e tyre, sulmet e tyre janë çertifikata e dështimit të tyre 8 vjeçar. Por mbi të gjitha janë një mësim për të gjithë politikën Shqiptare se ku përfundon politika e cila premton botën dhe nuk sjell asgjë dhe ku duhet të përfundojë çdo qeveri që mendon për vete, të rrëmbejë gjithçka për vete dhe harron njerëzit duke nisur nga njerëzit e thjeshtë e deri tek ju që jeni përgjegjës jo thjeshtë dhe vetëm për familjet e tuaja po për mijëra familjet e shqiptarëve të cilët u jepni rrogën u jepni bukën. Me këtë program fiton Shqipëria, nuk fiton vetëm partia demokratike, nuk fiton vetëm koalicioni ynë qeveritar. Fiton Shqipëria do të thotë fitoni ju, do të thotë fitojnë ato familje që mbani ju me bukë. Problemet që keni shtruar i kam të gjitha përpara këtu, përgjigjet që u kemi dhënë me planin i keni të gjithë besoj të qarta. Angazhimi i përbashkët është rruga për ta nxjerr industrinë tuaj nga kriza, pra për ta stabilizuar, për ta rimëkëmbur. Me këtë plan ne do të bëjmë të mundur jo më të humbni vende pune por të mbani forcën punëtore, të përmirësoni kushtet dhe pagesat e tyre, të rrisni fitimin tuaj, të shtoni forcën punëtore, diversifikoni prodhimin dhe ta kthejmë Shqipërinë prapë lider për sa i përket industrisë së rieksportimit apo fasonëve siç i njeh gjithë Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb