Anëtari i Kryesisë të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se Edi Rama ka mundur të  thyejë bastionet e djathta vetëm përmes mbështetjes nga bota e krimit dhe persona të inkriminuar.

Kadilli u shpreh se edhe dy rastet e fundit të denoncuara nga opozita, Valdrin Pjetri në Shkodër dhe Agim Kajmaku në Vorë tregojnë qartazi se Rama është futur në zgjedhje në qytete të djathta me persona të inkriminuar.

“Duhet që Shqipëria të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme. Partitë duhet që të kenë shans që të garojnë si të barabartë. Çdo qytetar duan që të kthehen zgjedhjet në vend. Opozita nuk ka bërë asnjë hap pas nga aksioni i vet, përcaktuar që në fillim të këtij viti. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë largimin e Ramës, pasi ai që herët e ka nisur këtë proces. Rama hyri me botën e krimit në zona që kanë qenë historikisht të djathta. Kështu bëri me katolikët dhe kështu në Kavajë, ku futi njerëz të inkriminuar. Këtë gjë e vazhdoi kudo, sidomos në zona ku PD ka pasur mbështetje të mëdha. Këtë e vazhdoi edhe në zona si Durrësi, Kruja e Shkodra, që dihet që historikisht ka qenë e djathtë. Këtu janë arsyet pse ne duam largimin e Edi Ramës”, tha Kadilli.

Ai shtoi se shtatori do të vijë me protesta dhe se nuk do të ndalen denoncimet e opozitës për të keqen në qeverisje.

“Shtatori normalisht shihet si rifillim politik. Mirëpo ne si opozitë kemi denoncuar dhe kemi bërë politikë edhe verës. Zoti Rama nuk zhgënjeu dhe ushqeu Shqipërinë me ngjarje të shëmtuara, mbajtja afër të personave politikë të inkriminuar. Të gjithë e kanë të qartë se Edi Rama ka bërë koalicion me krimin për të qenë në pushtet. Dy zyrtarët duhet të jenë sot para drejtësisë, pasi kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit”, u shpreh Kadilli.

Fatdbardh Kadilli deklaroi se Edi Rama bashkëpunon e drejton sot me botën e krimit.

“Edhe në shtator do të vazhdojmë denoncimet dhe do ketë lajme të këqija. Për ne, besueshmëri te Rama nuk mund të ketë. Ne nuk kemi promovuar ndonjëherë kriminelë dhe t’ua dërgojmë qytetarëve. Nuk e kemi bërë, ndërsa Rama udhëheq dhe bashkëpunon me krimin. Shoqëria shqiptare nuk është e përfaqësuar sot, sepse ka në krye qeveri, e cila bashkëpunon me krimin. Dhe, një popull i revoltuar që nuk përfaqësohet, një ditë do të shpërthejë. Me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Rama ka kapur të gjitha institucionet. Na thonë shko në Prokurori. Në cilën Prokurori? Atë që ka kapur Edi Rama. Ky parlament dhe pushtet lokal prodhon interesa të oligarkëve dhe jo të qytetarëve. Rama po grabit votën dhe shqiptarët. Ne duam të largojmë Ramën dhe sistemin kriminal që ka ngritur”, tha ai.

Funksionari i PD theksoi se duhet bërë vetting në politikë, sepse pikërisht në politikë buron edhe e keqja.

“Ne kemi propozuar vettingun në politikë. Ne kemi vetting për policët dhe nuk duheshka për politikanët, nga buron e keqja. Duhet vetting për klasën politike në vend. Edi Rama ka mbledhur rreth vetes kriminelë, banditë, njerëz që kishin ardhur nga burgjet për vrasje, për dhunime. Largimi i Ramës largon oligarkët, largon banditët që janë të lidhur me kryeministrin. Rama është garant i krimit, i abuzimit me paratë e shqiptarëve, dhe nuk do jetë kurrë garant i luftimit të korrupsionit dhe krimit. Me këdo mund të negociojmë, vetëm me Edi Ramën nuk mund të bisedojmë. Ne u ulëm më 2017 me Ramën, sepse menduam se nuk e ka konsumuar legjitimitetin, ndërsa sot e ka humbur totalisht legjitimitetin e tij”, vlerësoi Kadilli.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb