Pjesa e nëntëmbëdhjetë

Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”)  dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhësqë ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Pushkatimi i Sokolit, djalit të Admiralit Teme Sejko

Sokolit i çonin shokë dhe shoqe që organizonin mbrëmje, shëtitje. Njëherë në fushën jo larg nga Kombinati, ku ata punonin, organizuan një mbrëmje, ndezën zjarr dhe nisën të pjekin mish. Befas i’a mbërriti makina e policisë; të gjithë pjesëtarët e mbrëmjes i arrestuan. Shumicën e lëshuan, kurse me disa që mbetën, sajuan një “grup”, që i akuzuan për diversion, për tentativë djegie të Kombinatit. Në krye të grupit vunë Sokolin. Ata vendosën t’i gjykonin hapur, të zhvillonin një proces tregues. Mirëpo procesi u kthye kundër organizatorëve të tij. Sokoli e tregoi veten gjatë procesit hero të vërtetë, qëndroi me guxim dhe i pavarur. Ai nuk pranoi asnjë akuzë nga ato që i’u ngritën, kurse në përfundim mbajti një fjalim demaskues, ku tregoi të gjithë të vërtetën për babanë e tij, për përndjekjet, që nuk i’u shqitën familjes së tij dhe njerëzve të tjerë, që s’kishin asnjë faj. “Në vendin ku sundon regjimi i Enver Hoxhës, nuk dua të jetoj! Të jetoj me damkën e djalit të armikut të popullit, apo të armikut, nuk mundem dhe nuk dua”, – tha Sokoli. Fjala e tij bëri efektin e shpërthimit të një bombe. Për këtë proces në Berat u kujtua dhe u pëshpërit gjatë. Sokolin e dënuan me masën më të rëndë: pushkatim. Autoritetet deshën që Sokoli të thyhej, të pranonte fajin, të lutej për mëshirë; deshën të bindnin njerëzit se procesi nuk ishte i fabrikuar, që gjatë tij u gjykuan armiq të vërtetë, të cilët kishin organizuar diversionin. Përfaqësues të organeve të Sigurimit, por dhe njerëz të afërm të tij, u përpoqën t’i mbushnin mendjen Sokolit të shkruante lutje për falje të jetës, të kërkonte apelimin e çështjes, por ai qëndroi i papërkulur, parapëlqeu vdekjen në vend të jetës së mundimshme në burg. Atë e pushkatuan.

Vetëvrasja tragjike e nënës së Sokol Sejkos

Shumë shpejt makina e policisë ndaloi sërish para shtëpisë së familjes së admiralit. Erdhën të arrestonin djalin e madh. Nëna, në kulmin e dëshpërimit, kur pa që po i merrnin edhe djalin e dytë, u hodh nga ballkoni i katit të katërt, ra në rruginën prej betoni dhe vdiq në çast. Se si e përjetuan këtë tmerr prindërit pleq dhe Engjëlli, nuk e di. S’ka fjalë për t’a përshkruar këtë të keqe. Pas disa vitesh në burg pashë tek ecte rrugës për në kamp një plakë të imët, të gërmuqur, të veshur në të zeza. Nuk mund ta besoja që ishte nëna e Engjëllit, që vinte në takim me të renë e saj. E mbaja mend shtatlartë, me trup të drejtë, të bukur. Por hidhërimi e kishte thyer. Ajo humbi vajzën, nipin, burrin, që nuk e kishte duruar dot mynxyrën. Nipi tjetër ishte në burg, i dënuar me 10 vjet. Jeta vazhdonte dhe… sillte me vete të këqija të tjera. Në vitin 1975 arrestuan Inën. Në atë kohë në mbarë vendin ushtonte çështja e punonjësve të naftës. Në Shqipëri kishte rezerva nafte, të zbuluara që në vitet ’30-të nga italianët. Nxjerrja e naftës vazhdoi edhe pas çlirimit. Shumica e specialistëve të naftës ishin përgatitur në Bashkimin Sovjetik dhe në Rumani. Midis tyre kishte shumë djem të zgjuar, të aftë, specialistë të mirë. Unë nuk di hollësi për gjendjen e punëve në industrinë e naftës në Shqipëri, por di vetëm që, pasi u ndërprenë marrëdhëniet me BRSS-në dhe vendet e tjera socialiste, udhëheqja shqiptare hodhi parullën: “Mbështetemi vetëm në forcat tona!”. Por dukej qartë, që këto forca nuk mjaftonin.

Pajisjet po dilnin jashtë përdorimit, shpimet nuk po jepnin rezultate, puset e naftës digjeshin me vite dhe shqiptarët nuk i shuanin dot me forcat e tyre, por dhe nuk pranonin ndihmë nga të huajt. Naftë nxirrej çdo ditë më pak. Por “burri i madh, praktik dhe teoricien”, shumë shpejt dhe shumë thjesht e sajoi si ta përligjte gjendjen në industrinë e naftës: diversion dhe sabotim…! Tani duheshin gjetur armiqtë, që kryen sabotimin. Dhe i gjetën atje shumë shpejt. U arrestuan shumë inxhinierë, që kishin studiuar jashtë shtetit. Disa kishin gra sovjetike. (S’kishte fare rëndësi, që shumë nga këto gra ishin kthyer prej kohësh në Bashkimin Sovjetik; me to nuk mbante kush lidhje). Midis të arrestuarve ishin edhe dy shoqe të miat, Ina dhe Lena. Nuk i di hollësitë e kësaj çështjeje, pa dyshim të sajuar. Di vetëm që grupi u akuzua për sabotim. Dy vetë… më të talentuarit… u pushkatuan, të tjerët morën afate të gjata burgimi. Ina dhe Lena patën hetim të gjatë dhe të mundimshëm. Ato deshën t’i ngatërronin me çështjen e naftës, deshën të provonin se nëpërmjet tyre, sigurohej lidhja me gratë e tjera sovjetike, të cilat kishin ikur nga Shqipëria 15 vjet të shkuara, të provonin se sabotimi në industrinë e naftës drejtohej nga Moska. Nuk e di saktë, si qe kurdisur çështja e naftës, por di që atje bënë pa Inën dhe pa Lenën. Mirëpo si i thonë fjalës, boll të jetë njeriu, se çështja gjendet. Ato i akuzuan për agjitacion dhe propagandë, u dhanë nga 8 vjet.

Arrestimi i Inës dhe familja që s’e braktisi

Agjitacioni dhe propaganda e Inës ishin anekdotat, të cilat ajo i tregonte aq bukur. Njëri nga dëgjuesit kryesorë të anekdotave të saj në punë, por që edhe vetë i pëlqente të tregonte anekdota, siç u mor vesh më vonë, menjëherë shkonte dhe raportonte në instancat përkatëse për çdo anekdotë apo histori të dëgjuar, duke u dhënë atyre ngjyrimet e duhura armiqësore. Kur e arrestuan Inën, Engjëlli u tha të bijave (atëkohë e madhja ishte 18 vjeç, e vogla, 15): “Kemi dy rrugë: mund ta mohojmë mamin, të mos shkojmë ta shohim, të mos e ndihmojmë. Mami do të ndihet shumë keq, do ta ketë shumë të vështirë, kurse ne do të ndihemi më mirë. Dhe rruga tjetër: nuk e lëmë mamin vetëm në këtë fatkeqësi, do të ndajmë me të çdo të keqe”. Vajzat, pa u menduar fare, zgjodhën rrugën e dytë. Inën e ndihmuan nga shtëpia gjatë gjithë viteve të burgut. I vinin gjithmonë të tre, të ngarkuar, bënin 15-20 km rrugë në këmbë. Kjo i jepte forca Inës për të duruar gjithçka. Ardhja e tyre na ndihmonte edhe ne. Ditën kur duhej të vinin ata, ne që në mëngjes vinim rrotull nëpër oborr, vështronim përmes telave rrugën dhe prisnim të shfaqeshin. Gëzonim, që, qoftë dhe nga larg, arrinim të dallonim fytyra të njohura. Atëkohë, Engjëlli dhe vajzat e kishin shumë të vështirë. Atmosfera në vend qe e tillë, që të gjithë menjëherë u kthenin krahët njerëzve, që konsideroheshin armiq. Atyre u shmangeshin fqinjët, miqtë nuk i përshëndetnin në rrugë. Veçanërisht të rëndë e kishin ata që jetonin në qytete të vogla, ku të gjithë e njihnin njëri-tjetrin.

Engjëllin menjëherë e caktuan në një punë krejt pa rëndësi. Mariana, vajza e bukur, që e mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin, nuk mundi të studionte më tej, nuk e lejuan. Punë për të u gjet vetëm në fabrikën e tullave, ku ajo ngjishte baltën me këmbë dhe shtynte karrocat e rënda të dorës. E vogla u detyrua të kalonte në shkollën e natës, sepse në klasën e saj, edhe shokët dhe shoqet më të afërta, kishin frikë të uleshin në një bankë me të dhe ajo gjatë gjithë orëve të mësimit rrinte vetëm edhe në klasë, edhe në pushime. Gjithmonë u përpoqën t’i pengonin për t’u rregulluar në jetë. Me të madhen u dashurua një djalë shumë i mirë, i dashur, i ndershëm, punëtor…! Sa hoqën dy të rinjtë, derisa arritën të martohen! Djalin e thërrisnin në lagje, në komitetin e partisë apo gjetkë, i kërkonin të mos shoqërohej më me Marjanën. Prindërit u betuan, se do ta mallkonin të birin, po të martohej me atë vajzë. Ata bënë sa mundën, që t’i pengonin të rinjtë, fshihnin dokumentet, madje e sollën punën deri aty sa, kur ata vajtën në gjendjen civile për të bërë celebrimin, atje se ç’gjetën një arsye banale dhe nuk i regjistruan. Me shumë mundime arritën ta regjistrojnë martesën në një qytet tjetër. Tani kanë familje shumë të mirë dhe dy djem. Ja, ky qe fati i njërës prej shoqeve të mia. Ina doli nga burgu me amnistinë e vitit 1982. Kur iu dha mundësia për të ikur nga Shqipëria, ata, të gjithë bashkë, shkuan në Bashkimin Sovjetik. Tani jetojnë në Moskë mirë e bukur.

Lena

Kam shkruar diçka për Lenën, kur shkrova për Inën, përmenda hetimin dhe padinë ndaj saj. Lena dhe burri i saj ishin të dy specialistë nafte, ai kimist, ajo ekonomiste. Punonin në Uzinën e Përpunimit të Naftës në një qytet të vogël, rritnin dy fëmijë. Lena ishte nënë e mirë, amvisë dhe punëtore shembullore. Jeta normale u shemb, kur arrestuan të shoqin e saj, pak më vonë edhe vetë Lenën. Djemtë mbetën vetëm. Për fat të mirë, i mori gjyshi. Gjithë këto vite ata jetuan dhe punuan me të. Fëmijët tanë i caktuan në punët më të rënda: miniera, ndërtim, bujqësi…! Të drejtën për të studiuar në shkollat e larta, nuk ua jepnin. Djemtë e Lenës nuk i braktisën prindërit në të keq, vinin vazhdimisht në takime, i ndihmonin. E akuzuar, siç e përmenda më lart, për agjitacion dhe propaganda. Lena hoqi shumë në burg, punonte si në në fushë, provoi uri të vazhdueshme, u përpoq të mbijetonte dhe… mbijetoi. Pasi ndenji 7 vjet, ajo u lirua më 1982-in. Familja u mblodh sërish. Tani jetojnë normalisht në Shqipëri.

“Spiunet” italiane!

Kishte në kamp gra që ishin akuzuar për spiunazh në shërbim të Italisë. “Spiunia” kryesore italiane ishte Maria, një grua simpatike, e qetë, sykaltër, e thinjur, rreth 55 vjeç, nënë e shtatë fëmijëve. Ishte martuar me një shqiptar që kishte studiuar në Itali, para se në pushtet të vinin komunistët. Të jetoje në Shqipëri ishte e vështirë, por të rrisje shtatë fëmijë… shumë më e vështirë. Veçanërisht e rëndë ishte menjëherë pas luftës, vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. Në vend qe vendosur sistemi i triskëtimit, kurse të merrje ndihmë nga jashtë, nuk lejohej. Maria shoqërohej me italianët, njihej me gratë e punonjësve të ambasadës së Italisë në Shqipëri. Midis tyre kishte edhe napolitane, bashkëvendëse të Maries. Ato e ndihmonin Marien, i jepnin veshje për familjen e saj me shumë fëmijë. Kjo mjaftoi për t’i veshur Maries “lidhje me një ambasadë të huaj” dhe, kur qe nevoja, për ta bërë “spiune”. Ata, që e kishin njohur Marien para burgimit, thoshin se e mbanin mend ose shtatzënë, ose me karrocë për bebe. S’qe e lehtë të rrisje shtatë fëmijë! Pasi e arrestuan Marien, të shoqit i thanë të ndahej me të, fëmijëve… ta mohonin nënën. Asaj nuk i vinte njeri, vetëm nga Italia i dërgonin vëllezërit ndihmë materiale. Ata u ishin drejtuar disa herë autoriteteve shqiptare, edhe vetë Enver Hoxhës me kërkesën për ta liruar Marien, nisur nga mosha, gjendja shëndetësore, kushtet familjare, por askush, as edhe një herë nuk denjoi t’u përgjigjej.

Maria vuante nga zemra, e dërgonin herë pas here në infermierinë e kampit me kriza, kurse për t’a liruar nuk u bë fjalë kurrë. Ajo qëndroi në burg 10 vjet! Maria kurrë nuk grindej me njeri, ishte gjithmonë e qetë, mirëdashëse, e shoqërueshme, shpesh këndonte këngë napolitane, të cilat i donte shumë dhe i interpretonte shkëlqyeshëm. Pasi doli nga burgu, Maria iku në Itali. Sa herë e shihja Marien, rrija dhe vrisja mendjen: çfarë legjende t’i kenë sajuar vallë në hetuesi, çfarë e kishin detyruar të deklaronte në gjyq? Ç’mund të dinte Maria? Çfarë informatash mund të mblidhte dhe t’ia jepte Zbulimit italian kjo shtëpiake e pashkollë dhe me një tufë fëmijë? Ç’i duhej Italisë një spiune si Maria? Ishte e qartë, si spiune Italisë ajo nuk i duhej, por u duhej organeve të Sigurimit shqiptar për të provuar teorinë e veprimtarisë armiqësore të të gjithë botës kundër Shqipërisë, për të motivuar ndjenjën e spiuno manisë së Enver Hoxhës. Ishin në kamp edhe dy “spiune” të tjera italiane. Të dyja shqiptare, të martuara me italianë gjatë luftës. Burrat e tyre kishin ikur prej kohësh në Itali, në Shqipëri kishin mbetur këto gra me fëmijët. Historinë e njërës prej tyre nuk e di. Nuk e di për çfarë e kishin paditur. Ajo ishte denoncuese, meskine dhe antipatike; ne përpiqeshim t’i rrinim sa më larg. Në mensë, ku ne jo vetëm hanim, por kalonim të gjithë kohën e lirë, ajo përpiqej të përgjonte bisedat tona, megjithëse nuk dinte asnjë fjalë rusisht. Por kjo nuk e pengonte të shkarraviste pusulla me kallëzime, të sajonte gjithfarë gënjeshtrash.

Shikimin e lajmeve të fundit në televizor e kishim të detyruar. Gjatë kësaj kohe ajo na ndiqte, shihte si reagonim ne, mos shfaqnim ndonjë pakënaqësi, ose gjithçka tjetër, që mund të kallëzohej në komandë. “Spiunia” tjetër, në shërbim të Italisë, Xhuliana, ishte martuar me një italian gjatë luftës. Jetonin në mirëkuptim të plotë. Kishin dy fëmijë. Pas luftës qëndruan në Shqipëri, banonin në Shkodër. Qeveria komuniste nuk i shihte dot me sy të huajt në vend; burrit të Xhulianës, i thanë të merrte shtetësinë shqiptare. Ai nuk pranoi dhe kërkoi të kthehej në Itali, bashkë me familjen. Në fillim i refuzuan, por ata ngulën këmbë për t’u larguar. U munduan gjatë dhe më në fund i lejuan. Të gëzuar, ata u përgatitën me ngut dhe vajtën në Durrës, prej nga do të shkonin me det në Itali, por në port i ndanë; burrin e nisën me forcë në Itali, ndërsa familjen e mbajtën këtu. Nisi kështu epopeja e bashkimit të familjes, e cila zgjati… gati një jetë të tërë. Burri priste në Itali, përpiqej, shkruante. Xhuliana bëri të pamundurën në Shqipëri. Ku nuk vajti, kujt nuk i shkroi. Iu drejtua instancave më të larta të vendit, i kërkoi ndihmë ambasadës italiane. Por më kot! Në vitet ’70-të, kur nisën arrestimet, kësaj vale nuk i shpëtoi edhe familja e Xhulianës. Në fillim arrestuan xhaxhanë e saj, burrë plak, prifti i fundit katolik, ende i padënuar nga komunistët. Pastaj arrestuan Xhulianën, pastaj djalin e madh, kurse të voglin e internuan. Xhulianën e paditën për spiunazh. Padia u ngrit mbi bazën e dëshmisë së një gruaje, të cilën Xhuliana nuk e njihte. Dëshmitarja kishte thënë se qe takuar me Xhulianën në autobus, ku ajo i paska treguar një letër, që do ta çonte në ambasadën italiane.

Dënimi i Xhulianës me 20 vjet si spiune italiane!

Dëshmia ishte qesharake; edhe sikur të kish pasur ndonjë letër, Xhuliana kurrsesi nuk do t’ia tregonte një personi të panjohur. Mirëpo vërtetësia e dëshmisë nuk i interesonte kujt, nga dëshmia nuk kërkohej as logjikë, as… të paktën një grimë të vërtete… asgjë nuk kërkohej. Dëshmitari llomotiste rrenën e tij dhe ikte. Atë nuk e pyesnin, nuk i kërkonin sqarime. Padia kurdisej lehtë: shkon në ambasadë, shkruan letra për jashtë shtetit. Xhulianën e dënuan… 20 vjet, i konfiskuan shtëpinë, pasurinë. Gjithçka u shemb, u shkretua… Diçka krejt e rëndomtë në epokën e Enver Hoxhës! Xhuliana ishte shumë e sëmurë, vuante nga gjëndrat tiroide. Nuk punonte dot, shtrohej shpesh në infermierinë e kampit ose në spitalin e burgut. Këtu mori dy lajme të rënda: xhaxhai vdiq në burg, prifti, i dënuar me 25 vjet. Xhuliana e kishte njeri shumë të shtrenjtë xhaxhanë, ai i kishte zëvendësuar babanë, që kishte vdekur shumë herët dhe që e ndihmonte të ëmën të rriste fëmijët. Pastaj ndihmoi edhe vetë Xhulianën. Lajmi i dytë erdhi nga Italia: i shoqi i Xhulianës kishte vdekur, pa mundur të shihte edhe një herë familjen e tij. Kaluan vite. Djali i madh i Xhulianës, pasi ndenji 8 vjet në burg, u lirua, kurse të voglin e kthyen nga internimi. Të dy nisën punën, e ndihmonin nënën. Xhuliana bëri 12 vjet burg dhe u lirua me amnistinë e vitit 1986. Kur Shqipëria nisi të jepte lejë për të dalë jashtë vendit, familja e Xhulianës iku në Itali. /Memorie.al