NGA FATMIRA NIKOLLI*

Nga takimi i parë më 1997 deri te takimet e fundit. Fatmir Toçi tregon në “Gazeta Shqiptare” njohjen 20-vjeçare me akademikun e shkrimtarin Rexhep Qosja, në prag të 80-vjetorit të lindjes së profesorit që shënohet më 25 qershor. Kohët e vështira të luftës, takimet me të dhe me familjen, mandej miqësia e botimet, çmimi i fjalës së lirë dhe një rrëfim mbi jetën e Qosjes jashtë kornizave zyrtare, prezantuar nga një prej njerëzve që i ka qëndruar më afër në Shqipëri.

Fatmir Toçi, deputet e botues i prof.Qosjes, thotë se “kostoja e të qenit kritik ndaj praktikave e fenomeneve ndaj politikave në të dy anët e kufirit është edhe kjo heshtje e nderë, e pamerituar dhe e shëmtuar ndaj jetës, veprës dhe kontributit të tij në këtë 80-vjetor, nga një shoqëri dhe institucione, emancipimit dhe demokratizimit të të cilave ai u kushtoi gjithë jetën”.

Ndërsa rendit nderimet nga “Nderi i Kombit” te “Qytetar Nderi” i disa qyteteve shqiptare, ndalet edhe në disa detaje të karakterit të profesorit, çaste të vështira të jetës, por edhe gëzime. Në fund, Toçi tregon se “profesor Qosja ka preferuar ta kalojë ditën e lindjes së tij në fshatin e tij të lindjes, në Vuthaj, me kujtimet e atij vendi të magjishëm, me bukuri natyrore sa nuk thuhet me gojë dhe me histori të madhe; dhe vetëm me familjen, larg zhurmës së metropolit.

Por ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij do ta ndjekim deri atje dhe, si rrallëherë, nuk do t’ia dëgjojmë këtë radhë fjalën për ta lënë vetëm me kujtimet e tij”. Veprat nuk mbeten jashtë vëmendjes, ashtu sikundër publicistika, në një bisedë që rreket të nxjerrë në pah detaje të jetës së akademikut prej kohës së protestave në Kosovën e 1980-ës.

– Më 25 qershor është 80-vjetori i lindjes së prof. Rexhep Qosjes. Si e shikoni ju figurën e tij në këtë përvjetor?
Të jetosh gjatë është edhe fat; të jetosh gjatë dhe shëndetshëm është fat, por edhe shprehje e kulturës në mënyrën e jetesës. Me jetën e gjatë e të shëndetshme dhe veprën gjithëpërfshirëse e voluminoze të tij, prof. Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, një nga figurat më të spikatura të shkencës dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, duke hyrë në histori si “Rilindësi i fundit”.

– Si e ke njohur Rexhep Qosjen? Kur ishte takimi i parë me të?
Si për të gjithë shqiptarët, profesor Rexhep Qosja ishte një emër i njohur dhe i respektuar, madje i adhuruar për veprën e tij studimore në fushën e letërsisë, si drejtues shumëvjeçar i Institutit Albanologjik të Prishtinës, qendër e shqiptarizmës në kohët e vështira të represionit serb në rritje, por, mbi të gjitha, për qëndrimin, publicistikën dhe veprën e tij në protestat e demonstratat rinore të viteve 1980-1981 në Prishtinë. Vepra e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” ishte bërë e njohur prej të gjithë shqiptarëve, ishte futur në programet shkollore, ndërsa monografitë studimore për Asdrenin dhe Naim Frashërin ishin bërë edhe në Shqipëri vepra referuese kur bëhej fjalë për këto figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare.

Për sa më sipër, në mendjen time figura e Rexhep Qosjes ishte krijuar si një imazh i gjigantit të fjalës dhe penës, i personalitetit të duhur dhe të domosdoshëm në shoqërinë shqiptare dhe historinë e Shqipërisë në kapërcyellin e shekullit të ri, por që nuk kisha mundur akoma ta kontaktoja për shkak të zhvillimeve të vrullshme historike në Kosovë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe pamundësinë e shqiptarëve të Kosovës për të kaluar kufirin drejt Shqipërisë. Ndërkohë në Shqipëri sapo ishte krijuar qeveria e re pas rënieve të firmave piramidale dhe trazirave të viteve tragjike 2006-2007 nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit 2007.

Takimi i parë me profesorin u bë i mundur këtu në Tiranë, pasi profesor Qosja tashmë mund të hynte lirshëm në Shqipëri, ku një tjetër profesor i njohur, Xhevat Lloshi, i cili në atë kohë bashkëpunonte gjerësisht me shtëpinë tonë botuese, na prezantoi me akademikun e shquar. Ishte fillimvjeshta e vitit 1997 dhe ne kishim pothuaj 5 vjet që i ishim futur me vrull e pasion fushës së botimeve.
Më pas ashpërsimi i krizës në Kosovë dhe eksodi biblik i kosovarëve bëri që prof. Rexhepi të kalonte, pas një kalvari të vërtetë vuajtjesh dhe rreziku për jetën, në Shqipëri në ankth të vazhdueshëm për familjen që mbeti e izoluar në Prishtinë. Kjo ka qenë një nga periudhat më të vështira në jetën e profesor Qosjes dhe të familjes së tij, ku mbeti në Tiranë i vetëm për disa javë, derisa me ndihmën e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare u bë e mundur edhe ardhja e Shpresës, bashkëshortes së profesorit. Por nga ana tjetër kjo ishte periudha e takimeve të përditshme me akademikun e shquar, ku u njohëm më mirë, u miqësuam më tepër, flisnim deri në orët e vona për librat e botimet, bëmë plane për të ardhmen…

– Si u bëtë botuesi i tij?
Përveç dëshirës për ta njohur nga afër këtë figurë të madh frymëzuese në lëvizjet e kohës, si në Kosovë edhe në Shqipëri, qëllimi tjetër i takimit ishte dëshira dhe kërkesa për të botuar librat e tij edhe në Shqipëri, libra që ishin bërë nxitje dhe frymëzim për rininë kosovare në lëvizjet e tyre të protestës në atë kohë, libra shumë të njohur edhe në Shqipëri, por që ishte e vështirë të silleshin nga Kosova e rrethuar; gjithashtu për të botuar edhe shkrimet e reja që profesori kishte në planet e tij.

Dukej që prof. Qosja na njihte dhe na ndiqte prej kohësh në botimet tona, sepse u deshën vetëm pak minuta që të binim dakord për të filluar me botimin e menjëhershëm të 5 veprave të tij më të njohur dhe me rëndësi aktuale në atë kohë, duke filluar me përmbledhjen e publicistikës aktuale “Fjalor Demokratik” (1997), rëndësia dhe ndikimi në shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare në ato vite të brishta dhe të pastabilizuara ishte i jashtëzakonshëm.

Kujtoj promovimin e këtij libri me praninë e profesor Qosjes në Tiranë, e më pas në Vlorë e qytete të tjera ku pjesëmarrja, pritja dhe interesimi të kujtonte skenat e filmave me Ismail Qemalin apo festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë, ku akademiku u bë përsëri një prej personazheve më të dashur e më të rëndësishëm të ngjarjes. Vetëm një vit më pas, më 1998 dolën në një kohë katër libra të tjerë të tij me rëndësi kombëtare: “Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Ligjërime paravajtëse” dhe “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Në përvojën time gjysmëshekullore si botues, rrallë mund të më ketë ndodhur që të bie dakord me një autor brenda pak minutave. Kjo edhe prej dëshirës së dukshme të prof. Qosjes për të qenë i pranishëm edhe te lexuesit shqiptarë. Në vitet që vijuan e deri më sot marrëdhënia me profesorin ka qenë një histori takimesh, botimesh, promovimesh të vazhdueshme, si për ribotimin e librave të mëparshme, ashtu edhe për të gjitha veprat e reja që kanë dalë nga dora e tij. Mbi 40 tituj librash gjatë këtyre viteve që mbajnë autorësinë e Rexhep Qosjes janë pjesë e artë e katalogut të botimeve të “Toena”-s.

– Sa ka ndryshuar ai në gjithë këto vite?
Kontaktet e shpeshta kanë bërë që të njihemi më shumë, jo vetëm në raportin shkrimtar-botues, por edhe familjarisht. Ne u bëmë shpejt kontakti i tij i parë në Shqipëri edhe për probleme të tjera, përfshi ato politike e mediatike, ndërsa shtëpia e tij në Prishtinë u bë familja jonë e dytë; dhe kur Shpresa, bashkëshortja e tij fisnike jetonte akoma, ishte e pamundur të shkonim në Kosovë dhe të tentonim të sistemoheshim diku tjetër veç shtëpisë së tyre.

Thuhet se të gjithë njerëzit ndryshojnë me kalimin e kohës, por kjo është e vështirë të thuhet për prof.Rexhep Qosjen, sidomos kur bëhet fjalë për karakterin dhe tiparet themelore të veprës së tij. Parimor, konsekuent, i papajtueshëm me çdo tendencë apo devijim nga parimet e demokracisë, i ashpër dhe i drejtpërdrejtë me praktikat e përfitimeve politike në kurriz të shoqërisë, i pamëshirshëm ndaj çdo qëndrimi apo lëvizjeje që dëmton çështjen kombëtare. Për shkak të mospajtimit me anët negative të politikës dhe shoqërisë dhe forcës së veprës së tij, është krijuar përshtypja se profesori është njeri i ashpër edhe në jetën e përditshme. Në të vërtetë, ata që e njohin nga afër dhe kanë pasur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të e dinë sa natyrë miqësore është, sa mikpritës dhe sa kujdes e respekt tregon për njerëzit. Për gati dy dekada që e kam njohur edhe në këtë drejtim nuk kam parë asnjë ndryshim në natyrën e tij.

– Si i pret ai kritikat që i bëhen?
Si krijues, studiues dhe ndër polemistët më të spikatur të kohës sonë ai është i ndërgjegjshëm se vepra e tij do të krijojë kundërshti, reagime etike apo të ashpra, mendime ndryshe dhe të kundërta për ato që ai shkruan. Ndaj kritikat që i bëhen gjithmonë i ka parë si pjesë e natyrshme e punës së tij, madje shpesh edhe si shtysë për të shtjelluar argumentet e tij për çështje të debatuara nga të cilat kanë lindur shkrime apo vepra të reja.

Rrallë kam parë në jetën time njeri që të mos përtojë e të mos ngurrojë asnjëherë të merret me kundërshtarët e tij të mendimit dhe veprimit si profesor Rexhepi, me një ngulm të pazakontë për t’u shkuar gjërave deri në fund e për t’i sqaruar deri në shterim të debatit. Jo rastësisht një pjesë jo të vogël të veprës së tij e zë polemika, e cila përfaqëson modele brilante të debatit shkencor, letrar, politik e shoqëror në gjithë historinë e polemikës shqiptare dhe duke e rreshtuar atë, me kulturën e gjerë të shtrimit të problemeve dhe argumentimin e çështjeve ndër përfaqësuesit më të spikatur të kësaj gjinie.

– Ka qenë tejet kritik ndaj politikave në dy anët e kufirit. Sa i ka kushtuar fjala-kritika?
Ta thuash mendimin hapur, ta thuash të vërtetën në sy dhe të dalësh “kundër rrymës” nuk është e lehtë dhe, padyshim që kjo ka një kosto. Veçanërisht në shoqëritë që dalin nga sisteme të mbyllura apo në shoqëritë në zhvillim si kjo shoqëria jonë shqiptare.

Profesor Qosja ka provuar dhe vuajtur ndjekjen dhe represionin e regjimit shovinist sllav; luftën e fshehtë apo të hapur, intrigat dhe kurthet e segmenteve të caktuar nacionaliste, partiake e shkencore në Kosovë; luftën e partive politike, liderëve të tyre dhe mediat që i kanë mbështetur në botën shqiptare që kanë provuar “hidhësinë” e penës së tij për shfaqje e veprime kundër interesave kombëtare, lirisë dhe demokracisë. Kostoja e të qenit kritik ndaj praktikave e fenomeneve ndaj politikave në të dy anët e kufirit është edhe kjo heshtje e nderë, e pamerituar dhe e shëmtuar ndaj jetës, veprës dhe kontributit të tij në këtë 80-vjetor, nga një shoqëri dhe institucione, emancipimit dhe demokratizimit të të cilave ai u kushtoi gjithë jetën.

Gjithsesi prof. Qosja ka marrë kënaqësinë e vlerësimeve të merituara nga shqiptarët, ai është “Nder i Kombit”, “Qytetar Nderi” i Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës, Mallakastrës, Lushnjës, Tropojës etj. “Nderi i Labërisë” dhe kryetar nderi i Shoqatës Kombëtare Kulturore Atdhetare “Labëria”, pa përmendur këtu me dhjetëra e qindra “mirënjohje” e vlerësime të tjera nga institucione të ndryshme shkencore, kulturore e atdhetare shtetërore e publike.

-Po botohen tani, ditarët e tij. Nga bisedat me të, çfarë dini ju për mënyrën si janë pritur?
Vepra e plotë e prof. Rexhep Qosjes është përmbledhur e plotë në 29 vëllime voluminoze dhe e ndarë në 5 rubrika, si: vepra historiko-letrare, vepra letrare, vepra historike dhe historiko-dokumentare, vepra publicistike dhe vepra polemike. Ndërkohë që prej 2 vjetësh shtëpia botuese “Toena” po boton “Ditarët” gjysmëshekullorë të profesorit të përmbledhura në 9 vëllime, 7 nga të cilët kanë dalë në qarkullim.

Janë vepra që kanë ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm pasi, në një farë mënyre është historia e popullit shqiptar në 50 vjetët e fundit, por edhe një galeri e pafund personazhesh realë që shfaqen “lakuriq” me bëmat e tyre, pozitive apo negative, duke hedhur dritë në zhvillimet politiko-shoqërore dhe në shumë ngjarje të kësaj periudhe si një “dëshmitar okular” që ka qenë pjesë e këtyre zhvillimeve. E kuptueshme që kjo kolanë e ditarëve të tij, si një dëshmitar në histori, ka ngjallur edhe më shumë reagime, kundërshti, madje edhe qëndrime joetike e brutale, të cilat kanë rritur edhe më shumë interesin dhe rëndësinë kësaj vepre madhore.

-Ky 80-vjetor e gjen profesorin në Vuthaj të Plavës e Gucisë. Në ç’mënyrë do të festohet kjo datëlindje?
Profesor Qosja ka preferuar ta kalojë ditën e lindjes së tij në fshatin e tij të lindjes, në Vuthaj, me kujtimet e atij vendi të magjishëm, me bukuri natyrore sa nuk thuhet me gojë dhe me histori të madhe; dhe vetëm me familjen, larg zhurmës së metropolit. Por ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij do ta ndjekim deri atje dhe, si rrallëherë, nuk do t’ia dëgjojmë këtë radhë fjalën për ta lënë vetëm me kujtimet e tij. Të tjerat nuk po i themi, se çdo ngjarje e tillë ka edhe surprizat e veta…

-Është folur shumë për kohën e luftës në Kosovë. Ditarët për këtë kohë ende nuk janë botuar. Çfarë dini ju për Qosjen në atë kohë? Ku qëndroi, kur iku dhe si iku?
Vëllimi i 7-të i kolanës së “Ditarëve”, që sapo doli në qarkullim me rastin e ditëlindjes së tij, i takon kësaj periudhe dhe atje, dhe në vëllimin që vjen më pas, gjenden me hollësi gjithë zhvillimet e Luftës në Kosovë, që nga fillimet e UÇK, eksodi i madh, lufta për Çlirim, Konferenca e Rambujesë, e deri te ndërhyrja e forcave të NATO-s dhe rikthimi i shqiptarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre.

Aty mësohet hollësisht për peripecitë e kalimit të kufirit të prof. Rexhepit nga Kosova në Maqedoni e më pas në Shqipëri, jeta në Shqipëri, ndërkohë që familja e tij mbeti në Kosovë, e rrezikuar në çdo çast, si dhe jeta e gjithë shqiptarëve të Kosovës në atë kohë. Gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, gjatë të cilave takoheshim pothuaj çdo ditë, profesori shkruante vazhdimisht, ishte në qendër të mediave dhe takimeve të ndryshme për çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen sa më shpejt të situatës atje. Gjatë këtyre ditëve janë mbajtur shënimet e tij për librin në dy vëllime “Tronditja e shekullit”, që doli në qarkullim menjëherë e, pak më vonë edhe vepra tjetër “Paqja e përgjakshme”.

-A është rrezikuar jeta e tij apo e familjes?
Padyshim, jeta e tij dhe e familjes që mbeti në Kosovë ishin vazhdimisht në rrezik. Serbët nuk mund t’ia falnin veprimtarinë e tij patriotike në mbështetje të kahershme të lëvizjes kundër regjimit të Millosheviçit dhe nxitjes së përpjekjeve për pavarësi nga Serbia.

Por më të vështirë e më të rrezikuar e bëri jetën e familjes së profesorit në Prishtinë sëmundja e papritur e nipit të tij, Valjetit, ndaj të cilit u bë një ndërhyrje kirurgjikale e detyrueshme në kushte shtëpie, pasi spitalet ishin të zaptuara dhe të kontrolluara nga forcat serbe që kryenin masakra masive ndaj popullsisë shqiptare që nuk kishte mundur të largohej nga Kosova. Shpesh me Valjetin, që është rritur dhe është bërë edhe ai prind dhe që ka marrë shumë nga tiparet e gjyshit të tij, i kujtojmë ato ditë të vështira kur jeta e tij vajti në fije të perit dhe veç kujdesi i gjyshe Shpresës dhe fati e mbajtën në jetë.

-A ka ai, pengje apo pendesa për jetën e tij?
Për këtë duhet pyetur vetë prof. Qosja. Besoj se çdo njeri, sidomos kur arrin një farë moshe, ca punë do t’i bënte ndryshe apo më mirë. Nuk e di nëse është ky rasti i profesorit, i cili ka një konsekuencë mbresëlënëse dhe qëndrim të patundur gjatë jetës dhe veprën e tij.

Duket se ajo që e ka lënduar më shumë është ndarja e parakohshme nga jeta e shoqes së tij të jetës, këshilltarja e parë në jetë dhe në punë, ajo që i mbante gjithmonë derën hapur dhe i jepte qetësinë e duhur në punën e tij. Na ka hidhëruar të gjithëve, por për profesorin ishte goditja më e rëndë dhe e pamëshirshme që i ka dhënë jeta dhe nëse ka ndonjë cedim në natyrën e tij të fortë, kjo ndodh vetëm kur flasim për Shpresën…

-Duket se angazhimi i tij e ka bërë të lërë pas dore letërsinë, apo jo?
Në fakt kjo duket e vërtetë; angazhimi në fushën studimore për çështje me rëndësi për kulturën e shkencën e letërsisë, por edhe ndjekës i vëmendshëm dhe aktiv për problemet politike, shoqërore etj. në shoqërinë shqiptare kanë bërë që krijimtaria e mirëfilltë letrare e tij të jetë më e pakët, edhe pse ato vepra që shkroi në dramaturgji apo romanet voluminoze janë modele të artit të të shkruarit, të figuracionit, gjuhës së pasur dhe stilit konciz. E tillë është proza e tij poetike “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, romanet “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe dramat, të cilat janë vënë me sukses në skenë në Kosovë dhe në Shqipëri.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb