Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka komentuar zërat për largimin e tij të mundshëm nga funksionet brenda Partisë Socialiste.

Në një intervistë për “Tema”, ish-ministri Xhafaj i ka cilësuar sulme të tilla si pjesë e “bërrylave të PS”, duke shtuar se vijnë nga njerëz, që e kanë zhvilluar karrierën politike përmes servilizmit, lobimeve apo bërrylave ndaj kolegëve.

“Mendoj se nuk duhet t’i përfshijmë në rëndësinë e kësaj bisede këto që shkruhen apo përcillen nëpër disa portale, dhe sidomos mënyra neveritëse se si shiten për publikun.

Nuk do mend që bëhen nga individë të cilët për t’i njohur se çfarë përfaqësojnë, mjafton t’i shohësh strukturën e karrierës së zhvilluar përmes servilizmit, lobimeve apo bërrylave ndaj kolegëve, çka nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në sjelljen dhe qasjen time brenda një ekipi politik.

Kjo e artikujve apo emisioneve të porositur ndaj meje është një teknologji politike e përsëritur të cilën e kam provuar shpesh këto vitet e fundit dhe meqenëse tashmë e di kush qëndron pas tyre, e vetmja gjë që më “shqetëson” është fakti se po lodhen shumë duke premtuar apo paguar”, ka thënë socialisti.
Më tej, Xhafaj ka komentuar dhe zhvillimet e fundit politike dhe ndryshimet e pritshme në qeveri dhe në strukturat e PS. Teksa është shprehur se ndryshimet i prëkasin kryeministrit Edi Rama, Xhafaj ka thënë se ka politikanë mjaftas e djathtas, që interesat e qytetarëve i ngatërrojnë me interesat personale.
“Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe statuti aktual i njeh të drejtën të propozojë ekipin politik. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e tij statutore, por njëherësh është edhe një zgjedhje publike politike që i nënshtrohet gjykimit të opinionit publik, socialistëve, por edhe vlerësimit zgjedhësve në përballjen elektorale me ta.

Kushdo qofshin zgjedhjet e tij dhe vendimmarrja e lirë e anëtarëve të asamblesë, secili duhet të vijojë ta japë kontributin po njësoj duke i qëndruar besnik parimit se busull orientimi për një politikan është në radhë të parë zëri dhe besimi i qytetarëve dhe pastaj karrigia.

Ka politikanë që mbase e kanë alergji këtë parim dhe shpesh herë zërin dhe interesat e qytetarëve i ngatërrojnë dëshpërimisht me atë të interesave personale. I gjeni djathtas dhe i gjeni majtas, kjo besoj se nuk është ndonjë e re që po ju habit. Fjala e një politikani dëgjohet edhe për shkak të bukurisë së tingëllimit të fjalës apo edhe për shkak të karriges ku është ulur, por ama peshohet dhe respektohet për forcën, argumentet dhe kryesorja për vërtetësinë që mbart. Emri edhe mund të të njihet për shkak të karriges, por vlerësohet nga integriteti që shfaq. Emri dhe respekti për të nuk lobohet, dhe jo më të blihet me para apo me pushtetin e pozicionit ku ulesh”, ka deklaruar Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb