Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi iu kundërpërgjigj dje, akuzave të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, duke i thënë se ishte Mustafa që i trembej UÇK-së. Në një intervistë për “Ora News”, Fatos Klosi tha dje, se Mustafa ka arsye që lidhen ngushtësisht me interesa politike, për të fshehur një tjetër të vërtetë të madhe, që është e shkuara e tij.

Shqipëria, sipas Klosit, në kohën kur ai drejtonte shërbimin informativ, bashkëpunonte me shumë vende perëndimore, por kurrë me Serbinë dhe vendet e Lindjes. “Më erdhi shumë keq për gjuhën që përdori duke më quajtur mua kryespiun. Është injorante të më quajë mua kryespiun. Unë kam përçarë UÇK-në?! Është absolutisht e kundërta! Ata që kanë qenë në UÇK e dinë shumë mirë; ky s’ka qenë ndonjëherë, ky trembej nga UÇK-ja.

Ky bën pjesë në atë qeveri në emigracion, që ka qenë jashtë Kosovës. Gjatë gjithë luftës ka qenë jashtë Kosovës. Nuk më intereson ku ka qenë, por ai nuk ka gojë të flasë për bëmat e UÇK-së dhe të japë opinion për UÇK-në”, – u shpreh Klosi. “Ne quanim armikun kryesor të shqiptarëve Serbinë dhe ka qenë në krye të listës. Nuk kishte asnjë shans që të kishim bashkëpunim me serbët në atë kohë”, – tha Klosi. “Hë për hë ka interesa në valle.

Këta që nuk luftuan duhet ta justifikojnë pse nuk luftuan, dhe fshihen pas filozofisë së Rugovës. Ai duhet të justifikojë veten e vet, është kryeministër i Kosovës, Kosovë që lindi nga kjo luftë dhe ai nuk ishte pjesë e saj dhe mbron Rugovën për të mbrojtur veten e vet. Ai ishte i fshehur gjatë luftës, asnjeri nuk e dinte se ku ishte dhe çfarë bënte”, – u shpreh ish-kreu i SHIK-ut. Ai ka përsëritur edhe pakënaqësitë e tij ndaj politikës së Rugovës. “Unë nuk isha dakord me filozofinë e Rugovës. Meqë e kisha parë se për shumë vite ajo filozofi nuk kishte çuar asgjëkund, gati-gati kisha bindjen se ajo i pëlqente Serbisë, prandaj ajo e kishte toleruar.

Nuk ishte aq e thjeshtë të toleronte Serbia që paska president Kosova. Rugova këtë thoshte gjithmonë: Mos u ngusni, e kemi qeverinë, ndërkohë që ajo qeveri nuk ishte efektive. Iu lanë vetëm shkollat, pasi u kërkua me ngulm, dhe qe një aktivitet shumë i vogël dhe nuk përfaqësonte një autonomi reale. Me fillimin e luftës, filozofia e Rugovës mori fund dhe doli nga loja”, – komentoi Klosi. “Kur Millosheviçi qe i detyruar të zbonte kosovarët, asnjëherë nuk kishte për të ndodhur kjo me Rugovën në krye, asnjëherë”, – tha ai. Klosi tha se opinioni i Rugovës nuk është marrë parasysh nga ndërkombëtarët. “Asnjeri nuk e ka marrë parasysh opinionin e Rugovës se kur do ndodhnin bombardimet, se do bëhej Rambujeja, dhe për Rambujenë e dinë shumë mirë se kush ka qenë opinioni i Rugovës.

Absolutisht nuk është futur në llogaritë e ndërkombëtarëve filozofia e Rugovës, sepse ai doli nga loja. Me fillimin e luftës, filozofia e tij mori fund dhe ai doli nga loja. Kaq e thjeshtë është, prandaj më vjen keq. Ky është opinioni im, mbase jam një pakicë, por nuk është e nevojshme që një kryeministër të përdorë një gjuhë të tillë”, – theksoi Fatos Klosi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: