TIRANE – Shumë dosje janë zhdukur, thotë Klosi, që nga viti 1992, trazirat e ’97­s, ndërsa ato që kanë mbetur nuk do të sjellin ndonjë surprizë. Për ish-­kreun e SHISH, hapja e dosjeve nuk pritet të krijojë asnjë problem, pasi të dënuarit prej tyre i kanë njohur në sallën e gjyqit bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Kemi më në fund një ligj të qeverisë për hapjen e dosjeve dhe jo lustracion. Si është formuluar ky ligj?
Hapja e dosjeve duhej bërë me kohë, sepse atëherë do të kishte dhe efektin më të mirë. Tani më shumë është kuriozitet dhe nuk ka ndonjë vlerë të veçantë, pasi shumë njerëz nuk janë më në jetë, qoftë nga ata që e kanë pësuar, po ashtu dhe ata që i kanë denoncuar apo u kanë bërë dosjet. Nga pikëpamja kohore është pak vonë, por është vonë dhe nga fakti që shumë dosje kanë pësuar ndryshim. Ka pasur eliminim të rëndësishëm të tyre në fillimet e demokracisë, meqenëse dosjet që ishin kryesore si numër, dosjet që lidheshin me krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe me tentativën e arratisjes, u quajtën dosje që s’kishin interes historik, mbase pak me hile, shumica e tyre u asgjësuan. Më pas ka pasur një vlerësim selektiv të dosjeve, por kam dëgjuar nga oficerët se mungonin dosje që normalisht duhet të ishin, për personazhe të rëndësishme, dosje që lidheshin dhe me politikanë të sotëm. Në vitin 1997 pati një dëmtim të madh të dosjeve, edhe të SHISHit, edhe të Ministrisë së Brendshme, sepse janë të ndara. Dosjet të SHISH­it në Vlorë e Sarandë u hapën, edhe pse ka ndonjë kopje, sepse ruheshin në dy kopje. Pra shumë elemente të rëndësishme të dosjeve janë hapur. Kjo kohë ka shërbyer për dëmtimin e tyre.
Ju po thoni që pritshmëria për hapjen e dosjeve nuk do të përligjet?
Besoj se nuk do të ketë ndonjë çudi nisur nga materialet që kanë mbetur. Ato do t’u përkasin niveleve jo shumë të rëndësishme. Në ligjin që është hartuar mua më pëlqeu e drejta e bashkëpunëtorit për t’u njohur me dosjen e vet, të dijë çfarë ka mbetur nga ato që ai ka sjellë në punën e tij. Kjo tregon se është dëshira për të bërë transparencë dhe jo dëshira për të arritur një qëllim politik apo për të bërë një farsë.
Duke bërë një transparencë me hapjen e dosjeve mund të krijohen probleme sociale mes bashkëpunëtorëve dhe të dëmtuarve prej tyre, njerëz që kanë vuajtur burgjeve?
Jo, nuk besoj. Nuk besoj, sepse ata që janë dënuar e kanë marrë vesh në procesin gjyqësor se cili ka qenë ai që i ka ngritur akuzën, sepse kanë qenë dëshmitarë. Në të gjithë Gjermaninë, vetëm katër problematika kishte sjellë hapja e dosjeve, mes të dënuarve dhe atyre që i kishin bërë dosjen. Në Gjermani, kur bashkëpunëtori kishte shpifur, i dënuari hapte proces gjyqësor dhe e dënonte për shpifjen. Ka pasur një diskutim lidhur vetëm me datën. Është vendosur data e fillimit 1944 deri më 8 dhjetor 1990 kur u krijua Partia Demokratike. Duhet të ishte lënë deri në Ish­kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosi, e cilëson pozitiv ligjin për hapjen e dosjeve të ishSigurimit të Shtetit, por dyshon se ai nuk do të sjellë ndonjë çudi. datën kur mbaroi së funksionuari Sigurimi i Shtetit. Kjo ka ndodhur pas zgjedhjeve të para dhe pak para zgjedhjeve të dyta, 1992.
Po data e fundit, ajo e 2019-­s, si e vlerësoni?
Kjo është një datë që tregon se deri kur ia vlen të merremi me këtë çështje. Unë di që ka pasur dy ligje që më shumë kanë qenë për lustracion, ndërsa për hapje dosjesh nuk ka pasur ndonjëherë ligj. Ligji i parë ka pasur qëllime të pastra politike, para zgjedhjeve të vitit 1996, për të eliminuar kundërshtarët politikë, që ishte komisioni “Mezini”. Më pas erdhi komisioni “Bezhani”, që për mendimin tim ka bërë një punë shumë të mirë. Ky komision nuk hapte vetëm dosjet e bashkëpunëtorëve, sipas listës së bashkëpunëtorëve që është plot. Por ai shikonte dhe se çfarë kanë bërë këta bashkëpunëtorë, përse kanë kontribuar. Sipas ligjit të ri, do të hapen dosjet që kanë të bëjnë me ndjekjet e karakterit politik, ndërkohë që në një vend kur thuhet për një lustracion të mundshëm, këtu mendoj se ka një mospërputhje, thuhet “të gjithë ata që rezultojnë si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”. Bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit kanë qenë shumë, por ata që kanë marrë pjesë në dënimet politike, që kanë kontribuar në këto dënime, kanë qenë një pjesë e tyre. Sepse ka pasur bashkëpunëtorë që kishin të bënin me krimin ekonomik, zbulimet e huaja, me kundërzbulimin, që punonin jashtë shtetit për interesat kombëtare.
Mund të merret në analizë kjo kategori?
Për mua do të ishte shumë e gabuar dhe besoj se në këtë ligj nuk përfshihen, sepse këtu do të ketë vetëm dosje që kanë të bëjnë me dënimet politike. Komisioni “Bezhani” bëri një punë shumë të mirë dhe e përfundoi aktivitetin e tij në vitin 2001. Eksperienca pozitive e komisionit “Bezhani” ishte se ai gatigati dha dhe dokumente pafajësie për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Pra ky bashkëpunëtor nuk është i implikuar në dënimet politike apo nuk ka qenë në çështjet politike. Kjo ishte pozitive dhe këtë e ka edhe ligji i ri.
Kur zyrtari apo kandidati del pjesë e ish­Sigurimit të Shtetit, çfarë ndodh më pas?
Nuk është ky ligji që vendos për këtë. Unë nuk e kam të qartë se ç’do të bëhet me lustracionin, sepse ligji i ri ka të drejtë vetëm të japë informacion kur të gjitha institucionet shtetërore e kërkojnë këtë për një punonjësin e tyre ose kandidatin për t’u emëruar në të. U lihet të dorë institucioneve që do ta emërojnë kandidatin, u mbetet atyre që të vendosin se çfarë do të bëhet pas marrjes së këtij informacioni. Do të duhet një ligj tjetër për të përcaktuar se ç’do të bëhet me ata që dalin si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Ligji i ri nuk ndërpret mandatet aktuale?
Jo, sigurisht që jo, pasi Gjykata Kushtetuese e ka shprehur qartë në vendimin e saj dhe ky ligj është hartuar sipas rekomandimeve të kësaj gjykate. Mua nuk më bëri përshtypje të mirë që anëtarët e Autoritetit zgjidhen me 3/5 e votave të deputetëve në Kuvend. Duket se do ketë një konflikt mes maxhorancës dhe opozitës për të caktuar anëtarët e Autoritetit për hapjen e dosjeve. E nëse nuk arrihen 3/5 e votave të Kuvendit, anëtarët zgjidhen me shumicë të thjeshtë. Duket sikur po i kërkon edhe palës tjetër të kërkojë konsensus për shumicë të cilësuar. Uroj që të mos ketë konflikt politik dhe për këtë çështje.
A cenohet siguria kombëtare me hapjen e dosjeve, siç e ka deklaruar pak kohë më parë dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, sidomos për agjentët në shërbim të shtetit?
Ky ligj nuk e prek dhe për mua do të ishte gafë e madhe që të prekte agjentët e zbulimit dhe kundërzbulimit. Që në fillim të dispozitave ligjore përcaktohet që ky ligj prek vetëm bashkëpunëtorët e çështjeve politike.
Në ligj thuhet se Autoriteti ka të drejtë të ndërhyjë dhe të korrigjojë dosjet. Si e vlerësoni këtë?
Kjo nuk është e dobishme. Nuk mundet që Autoriteti të gjykojë dhe vlerësojë që dosja e iksit apo ypsilonit, meqenëse i janë bërë padrejtësi, duhet të korrigjohet. Kjo është absurde. As gjykata nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Gjykata mund të bëjë një gjë tjetër, duke thënë që ajo që thuhet në dosje për iks person nuk është e vërtetë, është shpifje, dhe këtij personi i është rënë në qafë kot me pa të drejtë, por jo të ndërrojë dokumentin, dosjen.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: