TIRANË

Fatos Kongoli, autor i shumë romaneve, i vlerësuar me çmime të rëndësishme për letërsinë ishte sot i ftuari i së premtes së veçantë në “Vila 24” me Androniki Kolkën. Kongoli me një vërtetësi modeste ka treguar jetën e tij, atë që jo shpesh e shfaq në publik. Lindja në Elbasan, ardhja në Tiranë dhe studimet në Pekin për matematikë, ishin pikënisjet e bisedës për t’u ndalur tek familja, e shoqja Lili dhe 2 fëmijët e tij. Kongoli për të bashkëshorten flet duke e lënë të lirë sinqeritetin kur shprehet se ai vetë nuk ka qenë një bashkëshort ideal e se shprehja “Burrë e grua, mish e thua,” vlen vetëm në pleqëri.

Duke mos dashur të “hapë” këto kapituj, ai kapërcen kur thotë se është i lumtur krah saj, referuar edhe një sëmundjeje të rëndë që kaloi para pak kohësh, ku falenderon të shoqen për ndihmën. “Më ka ndejtur ashtu siç i rri nëna fëmijës së vet”-thotë ai falenderues zonjës Kongoli. I pyetur mbi letërsinë, me një ndjeshmëri të dukshme, e cilëson si një grua të bukur.

“Pa gruan, nuk ka letërsi”-shton ai me shumë delikatesë. Më tej, ndërsa i kërkohet të veçojë librat që i vlerëson më shumë, shkrimtari Kongoli vecon: “Iluzione në sirtar” dhe “Kapitulli i Amerikës”. Pasazhe të dhimbshme, që lidhen me të atin i vijnë në kujtesë, kur thotë se ai u zhgënjye nga komunizmi pas çlirimit, ndërsa ai vetë nga demokracia që u vendos në Shqipëri pas diktaturës.

“Demokraci karikaturë”-tha Kongoli, duke përcjellë ndjesitë që e kanë nxitur të shkruajë “Iluzione në sirtar”. Gjatë transmetimit, mikja  e tij, botuesja Irena Toçi, i përcolli direkt një mesazh duke e kujtuar miqësisht për verë që duket si një nga preferencat e Kongolit. Autori vjen më dy botime të reja këtë sezon: “Kapitulli i Amerikës” dhe “Stinë pandemie”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb