TIRANË

Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, përgjimet e antimafias italiane, ku të përfshirë ishin edhe eksponentë të rëndësishëm në Shqipëri. Për analistin Lubonja, e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga mafia është të angazhohet një polici ndërkombëtare.

“Komenti im vjen pas reagimit të kryeministrit, i cili na sulmoi të gjithëve ne, sesi shtrihemi nëpër kolltuqe, dhe pas një përgjigjeje të prokurorit italian, i cili në minutën e 53 të intervistës thotë se ‘ne do të merremi shumë me Shqipërinë në të ardhmen, sepse atje mafia është e frikshme’. Ajo që nxjerr unë konkluzion është se si shikohet Shqipëria. Më mirë e njeh mafia se si funksionon Shqipëria, dhe këta nuk shqetësohen. Këtu ka një problem. Duke parë sa thellë ka shkuar kapja e shtetit nga mafia, kapja e ekonomisë, ndoshta e vetmja shpresë që Shqipëria të mund të çlirohet nga ky tumor i tmerrshëm do të ishte kur dëmi, llumi, të bëhet aq i madh, sa të kishte një angazhim ndërkombëtar, të policisë ndërkombëtare, se ne këtu nuk kemi polici. Policia jonë ha djathë e mish derri me mafiozët, kryeministri iu jep leje atyre për të ndërtuar gratacela. Opozita është e dobët shumë. Jemi të gjithë të pafuqishëm përpara kësaj mafie. Në cdo shtet ka mafie, por në Shqipëri mafia ka shtetin e vet.

Bisedat e tyre, planet e tyre, por edhe kontaktet e tyre, dhe analizat që ata i bëjnë situatës në Shqipëri, kur thonë është si Kalabria e viteve 60, kjo është e rëndësishme, pra mënyra si funksionojnë gjërat. Nuk është gjë e vogël që ky “Niku” ka marrë mbi 100 tendera pa konkurrim. Mjafton kjo për të hapur një proces për prishje të rregullave të konkurrencës. Kjo tregon si funksionon Shqipëria. Këta dinë shumë mirë si funksionon Shqipëria. Por ne e dimë edhe më mirë, dimë dhe hallka të tjera, që ata s’i dinë. SPAK duhet të nisë hetim”, tha Lubonja.

Më tej, Lubonja foli dhe për programin e Partisë Demokratike, të prezantuar ditën e sotme, duke thënë se PD duhet të kishte dy programe. Sipas tij, PD duhet të përfitojë nga zemërimi dhe lodhja e madhe e njerëzve me këtë qeverisje.

“Mendoj se PD duhet të kishte dy programe, i pari si të mbrojë votën, si të vijë në pushtet, cfarë të bëjë për të fituar. Si program mendoj se ka një problem, që është thelbësor, që ka të bëjë me traditën, me faktin që PD e quan veten e djathtë, premton ulje taksash, që të tërheqë votat e biznesit, dhe nga ana tjetër, i premton shtresave në nevojë, shtresave të dobëta, që zakonisht i mbron e majta, më pak varfëri, mbështetje. Teknikisht vështirë t’i bashkosh këto të dyja, se ku do i gjesh lekët. PD më shumë do të përfitonte nga një zemërim dhe një lodhje e madhe e njerëzve. Megjithëse ka shumë njerëz të pakënaqur, thonë se nuk na mbush mendjen opozita. Duhet shumë forcë për të mbrojtur votën, për të pasur njerëzit me vete. Besoj se ky programi i parë akoma nuk po duket qartë”, u shpreh analisti.

Si mund të përmirësohet ky program i parë?
Me vullnet njerëzor, me angazhim të madh, me lëvizje në terren, me njerëz që kanë. Me 8 vjet që ka Rama në pushtet, një pjesë janë lidhur me pushtetin, sepse opozita nuk të jep gjë për të ngrënë, kështu që nuk e di sa i ka dhe këta. Ndaj duhet të shkojë te populli opozita. Janë në mes, nuk i sheh të punojnë për të rritur, për të sjellë të rinj, figura që inspirojnë. Janë më normal padyshim, se Rama është çmendur fare.

Sondazhet tregojnë se PS mbetet forcë e parë në vend…
Këto sondazhet unë nuk i besoj, sepse po t’i kishte këto sondazhet kaq mirë Rama, nuk e ndryshonte Kodin Zgjedhor. Unë nuk kam parë sondazhe të ndershme, sepse ka një kontradiksion. Është një problem i madh që kanë këto sondazhet, sepse mediat janë të polarizuara. Për mua sondazhet janë për të manipuluar opinionin publik dhe për të justifikuar nesër vjedhjen e votës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb