GREQI- Ish- kryeministri Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana gjenden këto ditë në Greqi. Çifti gjendet në ishullin Jonian, Kefalonia ku ata jo vetëm po pushojnë por edhe kanë zhvilluar një takim me autoritete lokale. Kryetari i bashkisë së Kefalonia, Aleksandro Parisi dhe nënkryetari Dionis Likudhis si dhe zyrtarë të tjerë lokalë zhvilluan takim me z.Nano dhe gruan e tij Xhoana.

Në takim, z.Likudhis e konsideroi moment historik vizitën e z.Nano në Kefalonia. Ndërsa kreu lokal për Turizmin, Evangjelos Kekatos, propozoi që të shpallet Forumi i Parë i Biznesit mes Shqipërisë dhe Kefalonias me president Fatos Nanon. Në këtë forum do të ftohen krerët e qeverive të dy vendeve, përkatësisht kryeministrat Edi Rama dhe Aleksis Tsipras si dhe ministrat e Turizmit të dy shteteve. Z.Kekatos, tha se Fatos Nano është një personalitet me përmasa botërore.

Ndërsa z.Nano ka folur për ato që i cilësoi bukuri natyrore të ishullit të mrekullueshëm Kefalonia. Ish-­kryeministri Fatos Nano është rreshtuar në krah të kërkesave që liderët grekë kanë ndaj Eurogrupit për zgjidhjen e krizës ekonomike, ndërsa i ka premtuar popullit fqinj se ka mbështetjen e shqiptarëve.

Në një intervistë për televizionin lokal në ishullin Kefalonia, ‘Tv Jonian”, vend në të cilën Nano ndodhet me bashkëshorten e tij Xhoana për pushime, ish-kryeministri ka vlerësuar aftësinë e liderëve grekë dhe solidaritetin që e karakterizon këtë popull për të qëndruar në shinat e BE­-së.

Nano gjithashtu nuk ka harruar edhe marrëdhëniet shekullore që i karakterizojnë dy vendet. “Jam i bindur edhe se grekët kudo që janë, kanë një sens solidariteti me njëri-­tjetrin dhe Europën, dhe ky është mesazhi më i fortë që liderët grekë po japin tek partnerët europianë. Ju mund të llogarisni mbështetjen e popullit shqiptar dhe Shqipërisë si vend i NATO-­s dhe kandidat për BE”, ­ka thënë Fatos Nano. Nënkryetari i Bashkisë së Kefalonias, Dionisis Likudhis madje e ka uruar Nanon që një ditë të zgjidhet president në Shqipëri. “Ne jemi shumë të lumtur që ndodheni këtu, sepse për ne, Fatosi është një figurë politike dhe historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Europën. Është një figurë që Europa do ta ketë nevojë përsëri, ndaj ne i urojmë që realizohet edhe ajo që kemi dëgjuar të thuhet, se do të bëhet President i Shqipërisë; pra shpresojmë t’ja arrijë, sepse kjo do të ishte gjë e mirë edhe për Greqinë”,­ citohet të ketë thënë Likudhis.

Në fotot që shiko duket qartë se Fatos Nano ka kaluar në mbipeshë goxha më të madhe se më parë. E po ashtu shfaqet më e shëndoshur edhe bashkëshortja e tij Xhoana Nano.

(d.d/BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: