TIRANË – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i ka bërë të ditur sot PD-së se që para tre javësh e ka kryer verifikimin e faturave të energjisë në dy lagje të Laçit dhe ka marrë masa ndaj drejtuesve të saj. Konkretisht, ka shkarkuar drejtorin e agjencisë në Kurbin sëbashku me 6 faturues.

PD-ja, nëpërmjet znj.Reila Bozdo, akuzoi sot OSHE-n se sillet si një bandë keqbërëse ndaj konsumatorëve e familjarëve duke publikuar faturat abuzive të lëshuara në Laç nga punonjësit e saj.

Por, OSHEE, në një deklaratë njoftoi “se kompania është vënë në lëvizje që prej datës 24 janar 2015, pas denoncimeve të banorëve të lagjeve nr.2 dhe 3 në Laç. Nga verifikimi i të dhënave për 732 familjare, rezultoi se 592 prej tyre janë nënfaturuar për një total 239 MWh dhe 140 janë mbifaturuar për një total prej 214 MWh. Ndërkaq, për konsumatorët privatë rezultuan 14 raste mbifaturim për një sasi 60 MWh dhe 73 raste nënfaturim për një sasi prej 250 MWh.

Me 6 shkurt, me përmbylljen e fazës së kontrollit u mor vendimi për shkarkimin e drejtuesit të agjencisë së OSHEE-së Kurbin; ulja në detyrë e shefit të degës së shitjes dhe largimi nga detyra i 6 lexuesve që mbulonin lagjen nr.2 dhe 3 në Laç. OSHEE përmes Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimeve po vazhdon punën për sistemimin e veprimeve për abonentët familjar dhe jofamiljar sipas balancës reale të konsumit,”- thuhet në fund të njoftimit.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka siguruar se verifikimi i ankesave dhe ushtrimi i kontrolleve në terren është një proces që kryhet në vazhdimësi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb