Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Familjet e Tiranës nuk do të faturohen në mënyrë aforfe për ujin që konsumojnë”. Kur ka kaluar pothuajse 1 muaj nga marrja e detyrës, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku thotë se kjo është mënyra më e mirë për të mos shpërdoruar ujin. Ndërkaq, për shkak të kohës së shkurtër nga ardhja në pushtet, ende nuk janë formësuar propozimet konkrete në lidhje me afatet dhe praktikat që do të ndiqen në këtë rast. “Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve do të ketë fokus të veçantë çështjen e faturave aforfe, për të gjetur një mënyrë që njerëzit të faturohen në mënyrë sistematike për ujin që konsumojnë. Kjo është edhe mënyra më e mirë për të nxitur njerëzit që të konsumojnë sasinë e ujit që iu nevojitet, pa e shpërdoruar atë. Kur njerëzit paguajnë aforfe, kanë një tendencë për ta shpërdoruar apo keqpërdorur ujin”, – u shpreh Mazniku për “Gazeta Shqiptare”. Sa i takon furnizimit me ujë 24 orë, nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit thekson se problemi më i madh qëndron te humbjet në rrjet, të cilat arrijnë në masën 75%. Për këtë arsye, puna për normalizimin e situatës do të fillojë nga mirëmenaxhimi i kompanisë. “Ujësjellësi, në momentin që ne flasim, në tërësinë e tij ka mjaftueshëm burime për të mbuluar në mënyrë të qëndrueshme Tiranën me ujë. Problemi është që, pothuajse 75% e ujit që lëshohet nga ujësjellësi në qytet, humbet në rrjet. Ndaj ne besojmë që fokusi i parë ka të bëjë me ristrukturimin e menaxhimit të kompanisë në mënyrë efiçente dhe efikase, në mënyrë që të mos kemi humbje. Më pas, duke krijuar mundësinë që kompania të krijojë në mënyrë autonome të ardhura të mjaftueshme, të fillojmë të investojmë në rrjetet sekondare, për t’i dhënë mundësi përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe uljes së sasisë së humbjes në rrjet. Një pjesë e madhe e humbjeve në rrjet vjen në rrjetin e madh, i cili ndërlidh pikat e shpërndarjes së ujit me qytetin, ku gjithashtu ka nevojë për një ndërhyrje imediate. Është një problem kompleks, i cili vjen edhe nga mungesa e investimeve prej shumë vitesh, dhe jemi duke punuar edhe me qeverinë qendrore në mënyrë që të shikojmë sesi mund të optimizojmë në mënyrë sistematike furnizimin me ujë”, – u shpreh Mazniku. Sipas numrit 2 të bashkisë së kryeqytetit, administrata aktuale ka gjetur një sistem problematik në të gjitha nivelet: rrugë, transport publik, mbetje etj., ndaj për zgjidhjen e tyre do të ndiqet modeli i “rrathëve koncentrikë”. “Kjo do të thotë që do fillojmë nga çështjet e mëdha, pra nga qendra e problemeve, e më pas do të hapemi drejt funksionimit të të gjithë strukturës. Kështu që, edhe në këtë çështje, që është shumë e prekshme dhe problematike për qytetarët, do të vijmë hap pas hapi drejt zgjidhjes së saj”, – përfundoi Mazniku. Bashkia e Tiranës është aksionerja më e madhe në shoqërinë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë”. Para reformës administrativo-territoriale, bashkia zotëronte 72.5% të aksioneve, ndërkohë që nëse marrin parasysh se tashmë edhe komunat janë pjesë e saj, do të thotë se kapitali total shkon në 84%. Pjesën tjetër e zotëron Bashkia Kamëz (bashkë me Komunën Paskuqan), me 14.60% të aksioneve dhe Bashkia Vorë, me 1.4% të aksioneve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: