Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të deputetes së PD-së Jorida Tabaku. Teksa kjo e fundit duke folur për situatën ekonomike deklaroi se faturat e arbitrazhit shkojnë në 385 mln euro, Rama i kërkoi t’i sillte faturën.

Ai theksoi se zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe askujt tjetër.

“Zonja Tabaku nuk e kuptova pse e ulët befas nivelin e komunikimit duke folur për budalliqe sepse minimumi besoj, shifrat dhe faktet meritojnë konsensus pastaj interpretimet janë çështjes tjetër. Këtu e mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni 380 mln euro fatura arbitrazhi, 385. Ku është kjo faturë? nëse më tregoni faturën faktike, jo hamendje dhe konkluzione të bazuara mbi hamendje. Ju nuk mund t’i thoni dot parlamentit dhe publikut që ka një faturë 385 mln euro për arbitrazhe që qeveria po e paguan.

Qeveria pavarësisht se në mënyrë të përsëritur, bashkërisht ju, mbase dhe personalisht keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit para zgjedhjeve, unë po ju them që zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as Becchetti, as dikujt tjetër. Zero, por jo vetëm zero, ndërkohë ballafaqimi vazhdon. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal. Keqardhje për këtë zonja Tabaku se ju dhe lexoni shumë dhe mbani shumë shënime dhe për një njeri që lexon shumë dhe mban shumë shënime të flasë për 385 mln euro që faktikisht nuk ekzistojnë është pak e sikletshme”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb