Epidemiologu amerikan Anthony Fauci ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump, se koronavirusi është po aq vdekjeprurës sikurse edhe gripi, shkruan NBC.

Ai nuk hezitoi të bëjë një dallim mes këtyre dy problemeve shëndetësore, që brengosin shumë qytetarin kudo nëpër botë.

Fauci ka rikujtuar se simptomat e koronavirusit dhe gripit janë të ngjashme, por se dëmin që e shkakton coronavirusi në organizëm është krejtësisht tjetër sesa që e shkakton gripi.

“Nuk është e vërtetë që koronavirusi është i njëjtë sikurse një grip. Kanë simptoma të ngjashme, por gripi nuk mund t’ju bëjë atë çfarë ju bën coronavirusi”, ka shtuar Fauci.

Këto qëndrimet për gripin dhe coronavirusin me të cilin edhe vetë është prekur, presidenti amerikan i ka publikuar edhe në Twitter.

“Po vjen sezoni i gripave. Shumë njerëz çdo vit humbin jetën nga gripi, me raste shkon në mbi 100 mijë viktima. A do të mbyllim shtetin tonë? Jo, jemi mësuar të jetojmë me gripin, ashtu siç jemi mësuar të jetojmë me coronavirusin”, ka shkruar presidenti amerikan.

Kujtojmë që në SHBA nga COVID-19 kanë humbur jetën më shumë se 210 mijë persona, që nga shpërthimi i pandemisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: