Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, të pranishëm në prezantimin e raportit të monitorimit të OECD/SIGMA, i cili e pozicionon Shqipërinë si një vend lider në rajon në prokurimet publike, menaxhimin e financave publike, qeverisjen digjitale, menaxhimin i burimeve njerëzore dhe zhvillimin e administratës publike.
Rama u shpreh se është i palumtur në lidhje me mënyrën se si sot është menaxhimi i administratës publike, ndërsa ka shtuar se pranohet çdo ndihmë se si kjo problematikë mund të adresohet.
“Jam i palumtur me mënyrën se si ne kemi ecur dhe me cilësinë që e kemi sot në talk-menagement në administratën publike dhe këtu kemi shumë punë për të bërë dhe ne do ta mirëpresim çdo lloj ndihme me dije, se si mund ta adresojmë këtë problematikë pasi jemi dhe në një fazë historike me gjithë procesin e reformës në drejtësi, me gjithë procesin e çlirimit të drejtësisë nga duart e politikës ku duhet të përballim bashkërisht edhe nevojën që proceset e punës në administratë, proceset e punës në të gjitha ato pjesë të funksionimit të qeverisjes ekzekutive që lidhen që me vendimmarrjen deri tek prokurimet, nuk janë procese te lehta për t’u administruar dhe nuk janë procese të lehta për t’u hetuar apo për t’u gjykuar dhe kështu ndodh që, për fat të keq, në tërësinë e gjithë punëve të mira që po bëhen në drejtim të luftës kundër korrupsioni të shohim edhe në tkurrje të administratës si rezultat i një ndjenje pasigurie që krijohet nga eksese të caktuara në këtë drejtim. Por, kjo është një problematikë që ne duhet ta adresojmë sa më shumë së bashku me Komisionin Europian, sa më shumë së bashku me SIGMA-n në këtë rast, nëse është e mundur dhe me organizmat e tjerë”, tha ai.