Byroja Federale e Hetimeve (FBI) është shprehur e shqetësuar nga raportimet se në tokën amerikane janë krijuar stacione sekrete policore të lidhura me Kinën. Në një raport të hartuar në muajin shtator nga organizata joqeveritare, Mbrojtësit e Sigurisë, është përmendur prezenca e këtyre stacioneve në shumë vende të botës, përfshirë Nju Jorkun. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, u ka thënë politikanëve se agjencia është duke monitoruar raportimet për qendra të tilla.

“Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre stacioneve”, ka thënë Wray. “Për mua është mizore vetëm të mendoj se policia kineze do të tentonte të stacionohej në Nju Jork pa koordinim paraprak”, ka shtuar ai.

“Një gjë e tillë shkel sovranitetin dhe standardet gjyqësore, por edhe procesin e bashkëpunimit mes zyrtarëve për zbatim të ligjit”. I pyetur nëse stacione të tilla shkelin ligjin amerikan, Wray ka thënë se FBI është duke “analizuar parametrat ligjorë”.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka dëshmuar para Komitetit të Senatit për Siguri Kombëtare dhe Çështje Qeveritare. Sipas organizatës, Mbrojtësit e Sigurisë – me bazë në Spanjë – byrotë kineze të sigurisë kanë krijuar “stacione policore jashtë shtetit” në disa kontinente. Këto njësite është raportuar të jenë krijuar për të luftuar krimin transnacional dhe për të ofruar shërbime administrative për shtetasit kinezë jashtë Kinës. Kina, në anën tjetër, ka mohuar se ka krijuar diçka të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: