E mirënjohura amerikane “Washington Post” e cilëson atë si një ndër skandalet më të mëdha të mjekësisë shkencore në SHBA. Siç bënte të ditur së fundmi gazeta, ekspertët i kanë përcjellë Byrosë Federale të Hetimit, FBI-së, për dekada të tëra analiza e rezultate të gabuara shkencore për t’i shfrytëzuar nëpër procese gjyqësore, çka mund të sjellë pasoja të shumanshme për drejtësinë amerikane.

Siç bënte të ditur gazeta amerikane, ekspertët i kanë përcjellë Byrosë Federale të Hetimit, FBI-së, për dekada të tëra analiza të gabuara të mjekësisë shkencore për t’i shfrytëzuar nëpër procese gjyqësore, ku në shumicën e rasteve, fituese ka dalë pala akuzuese.

Autoritetet amerikane të drejtësisë thanë se kanë marrë analiza masive të gabuara të flokëve, që kanë çuar në dënimin me vdekje të qindra e ndoshta mijëra të akuzuarve qysh në vitet ’70 të shekullit të shkuar. Shumica e tyre lidheshin me krimet e përdhunimeve apo të vrasjeve. E tani pyetja që shtrohet përpos të tjerave është: A duhet të rinisin tashmë të rishikohen proceset në mënyrë masive?

95 për qind e analizave të flokëve me mangësi

Sipas raportit të publikuar të dielën në gazetë, i cili u referohet hetimeve më të fundit të bazuara në ankesat e avokatëve, më shumë se 95 për qind e 268 rasteve të hetuara dëshmojnë se analizat e flokëve kanë qenë të gabuara.

“Analizat me rezultate të gabuara, në çdo rast i kanë avantazhuar argumentet e palës akuzuese”, thuhet më tej në to. Në procedurat e referuara dëshmohet se ka pasur 32 vendime me vdekje, e 14 prej të dënuarve qysh prej asaj kohe ose janë ekzekutuar ose kanë vdekur në burg. E paqartë së pari mbetet sesa procese pra është dashur të rishqyrtohen.

Gazeta pohon se në proceset e përfolura, përveç analizave të munguara forensike (të Mjekësisë Ligjore), me shumë gjasa ka edhe dëshmi të tjera që mund të kenë çuar në vendime të gabuara me pasoja të pariparueshme.

Dyshimet nisën qysh në vitin 2012

Avokatët e të akuzuarve dhe zyrat e prokurorisë në shtete të ndryshme federale amerikane, thuhet se tashmë janë instruktuar e njoftuar për të verifikuar disa nga proceset e dyshuara. Katër të akuzuar, ndërkaq, thuhet se janë liruar tashmë nga burgu.

Dyshimi për mangësi në analizat kriminalistike është ngritur në fakt prej kohësh. Në vitin 2012, “Washington Post”, me anë të një artikulli, kishte bërë që mbi këtë çështje të nisnin gjerësisht diskutimet.

Por vetëm hetimet, ndër të tjera të kryera edhe nga “National Association of Criminal Defense Lawyers (NACDL) – (Shoqata Kombëtare e Avokatëve Mbrojtës të Autorëve të Dyshuar për Krime) sollën akuzat konkrete ndaj Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe FBI-në se kishin kryer gabime fatale, raportoi gazeta të dielën.

Statistika të dyshimta

Në detaj, ekspertët teknicienë kriminalistë të FBI-së sistemuan metodat e analizimit të flokëve të gjetura në vendet e kryerjes së krimeve.

E në to ata hasën në statistika të dyshimta. Sipas këtyre metodave, nuk mund të përjashtohet fakti se flokët e personave të ndryshëm nuk mund të ngjajnë me flokët e një njeriu të vetëm. Vetëm kombinimi me testet e sakta të ADN-së mund të sillte në këtë rast siguri.

Struktura federale e shtetit amerikan ka bërë që të paktën shtete të cilat nuk aplikojnë dënimet me vdekje, të ndihen disi më të çliruar, pasi kanë një mundësi rikuperimi, duke zhdëmtuar menjëherë dhe drejtpërsëdrejti viktimat e padrejtësive, paçka se në rast se verifikohen shkelje e rezultate të gabuara në çdo rast, ligji parashikon sigurisht edhe zhdëmtim të familjarëve të viktimave të abuzimit me drejtësinë.

Por përtej kësaj, duket se pasojat e një dyshimi të tillë, që tashmë ka kaluar kufijtë e konstatimeve, duket se do të kalojnë edhe Atlantikun për ta përcjellë debatin edhe në qarqet e drejtësisë europiane e më gjerë, pasi vënia në dyshim e një metode të certifikuar të Mjekësisë Ligjore, do të dojë kohë të riparohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: