Qeveria e Guatemalës njoftoi dje, se SHBA do të dërgojnë një grup të FBI-së për të ndihmuar në kapjen e drejtuesve të bandës Barrio 18, arratisja e të cilëve nga burgu muajin e kaluar shkaktoi një krizë sigurie në këtë shtet të Amerikës Qendrore.

Më 12 tetor, autoritetet njoftuan arratisjen e 20 anëtarëve të bandës Barrio 18, një organizatë që është shpallur “terroriste” nga Uashingtoni dhe tani edhe nga vetë Guatemala.

Ata u arratisën nga burgu Fraijanes II, pranë kryeqytetit, megjithëse nuk u bë e ditur saktësisht se kur ndodhi ngjarja.

Që prej atëherë, vetëm katër prej të arratisurve janë kapur. Qeveria amerikane e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme”.

Si pasojë e incidentit, presidenti socialdemokrat Bernardo Arevalo shkarkoi ministrin e Brendshëm, Francisco Jiménez, dhe në vend të tij emëroi Marco Antonio Vilieda, i cili kërkoi ndihmën e FBI-së për ndjekjen e të arratisurve.

Zoti Vilieda shpjegoi dje për mediat se në operacion do të marrë pjesë edhe “Joint Task Force Vulcan”, një njësi speciale e FBI-së e krijuar nga Donald Trump në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë, me qëllim luftimin e bandave latinoamerikane, veçanërisht të grupit Mara Salvatrucha (MS-13).

Ndërkohë, prokuroria e Guatemalës kërkoi javën e kaluar heqjen e imunitetit të presidentit Arévalo, në mënyrë që të mund të nisë një hetim ndaj tij për “moskryerje të detyrës” lidhur me arratisjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb