TIRANE- Forumi Civil për Reformën në Drejtësi, FCRD i ka dërguar sot një letër kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa ndërsa për dijeni ajo i shkon edhe ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu, ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.

Në letër, forumi shpreh interesin për të bashkëpunuar me komisionin me qëllim informimin e qytetarëve, pasi sipas tyre kjo reformë nuk mund të mbetet monopol politik.

“Besojmë se po përpiqen që ta gjymtojnë dhe deformojnë reformën”,- thuhet në letër, ndërsa FCRD mbështet themelimin e një gjyqësori të pavarur nga politika dhe të udhëhequr vetëm nga e drejta.

FRCD shton se në lidhje me këtë reformë, transparenca është minimale dhe qytetarët janë të painformuar. “Aty ku ka mungesë informacioni dhe transparence edhe mundësia e manipulimit politik nga forca antireformë, është shumë më e madhe”,- thuhet ndër të tjera në letër.

LETRA E PLOTË
Me shqetësimin dhe përgjegjësinë qytetare ndaj prioritetit tonë kryesor aktual, reformës në drejtësi, ne, një grup individësh dhe përfaqësuesish të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen edhe të ish Presidentit të Republikes, Z.Alfred Moisiu, kemi krijuar Forumin Civil për Reformën në Drejtësi (FCRD).

Motivimi kryesor për krijimin e FCRD dhe angazhimin tonë në problematikën e reformës në drejtësi, lidhet me shqetësimin se korrupsioni i madh dhe praktika e pandëshkueshmërisë 25 vjeçare, na bën të mbetemi hezitues dhe mosbesues ndaj vullnetit real të palëve politike vendimmarrëse, për një reformë sa më cilësore, profesionale, të besueshme dhe afatgjatë. Këto palë politike nuk kanë pasur dhe as kanë prioritet sistemin e drejtësisë së pavarur e profesionale, ndaj ekzistojnë potenciale e tregues të fortë të besojmë se ato po përpiqen që ta gjymtojnë dhe deformojnë reformën.

Ne kushtet kur një pjesë e elitave politike shfaqen të lëkundura por edhe të ndërgjegjshëm se një reformë e vërtetë në demokraci nuk mund të kurorëzohet me sukses pa mbështetjen e shtresave të gjëra qytetare, FCRD shpreh vullnetin të jetë pjesë aktive e procesit, në mbështetje të themelimit të një gjyqësori të pavarur nga politika dhe të udhëhequr vetëm nga e drejta. Ai do te mbetet i hapur për të gjitha ato organizma të shoqërise civile si edhe për të gjithë ata qytetarë që, pavarësisht bindjeve politike, aspirojnë të njejtin qëllim.

Njëherësh, FCRD konstaton me shqetësim se, me gjithë përpjekjet, transparenca e reformës në drejtësi mbetet minimale, e kufizuar vetëm me disa tavolina të rrumbullakëta elitash politike ose administrative, me deficite të mëdha në mirë­informimin real të qytetarëve të thjeshtë që përbëjnë shumicën absolute të këtij vendi. Aty ku ka mungesë informacioni dhe transparence edhe mundësia e manipulimit politik nga forca antireformë, është shumë më e madhe. Prandaj FCRD kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj për të thelluar dhe zgjeruar transparencën për mirë-informimin e qytetarëve në mbarë vendin lidhur me gjithë procesin, me idetë konkrete të hedhura dhe me pritshmëritë e rezultatet e reformës.

Për FCRD mirëinformimi i qytetarëve mbetet një premisë shumë e rëndësishme për suksesin e reformës dhe shpëtimin e saj nga çdo formë e mbajtjes ose e marrjes peng nga politika korruptive dhe jo përfaqësuese në vend. Ne vlerësojmë rolin e faktorit ndërkombëtar dhe jemi të gatshëm të diskutojmë me ta problematika me interes të dyanshëm në këtë proces. Duke besuar se reforma të tilla të mëdha nuk mund të jenë monopol politik, por mbi të gjitha produkt qytetar, FCRD ofron mbështetjen e tij për krijimin e një sinergjie me qytetarët, e cila do të rriste shanset që politika konfliktuale shqiptare të shtyhej drejt një konsensusi brenda kornizave që do të ofrojë Komisioni i Venecias.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: