NGA DASHNOR KALOÇI*

KAPITULLI XIII
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtori i Drejtorisë I
Feçorr Shehu
Ky dokument me siglën “Tepër sekret”, që mban datën 11.10.1969 dhe firmën e Drejtorit të Drejtorisë së Parë në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, Feçorr Shehut, i dërgohet Hysni Kapos, duke e vënë atë në dijeni lidhur me detajet e arratisjes së Bilal Xhaferrit dhe masat që kishte marrë Ministria e Brendshme për të gjetur fajtorët e asaj ngjarjeje si dhe puna që po bënin për përmirësimin e situatës. Gjëja e parë që të bie në sy në këtë letër, është ajo që Feçorr Shehu i bën me dije Hysni Kapos, se Bilali është arratisur edhe me dy persona të tjerë, Selfo Hoxhën (burrin e motrës së Bilalit) dhe Bajram Shuaipin, të dy nga fshati Markat i Sarandës.

Ndërsa, në letrën e lënë në kufi, Bilali shkruan se ka marrë me vete vetëm burrin e motrës, Selfo Hoxhën. Mundet që Bilali e ka marrë me vete edhe Bajram Shuaipin, por nuk ka shënuar gjë në letrën e tij: ndoshta për të maskuar ikjen e tij, ndoshta për të mos u dukur grup (grupazhi dënohej shumë më tepër se të veproje vetëm), gjë e cila do sillte pasoja për familjet e të dyja palëve. Apo, mundet që përmendja e personit të tretë në këtë letër të Feçorr Shehut ka qenë ndonjë truk i Sigurimit?!

Të gjitha këto mbesin në kuadrin e hipotezave dhe hamendësimeve, ashtu siç është përfolur në shtypin e përditshëm para pak kohësh, se edhe vetë arratisja e Bilal Xhaferrit ka qenë një truk i kurdisur nga Sigurimi. Por kjo gjë ka pak gjasa të jetë e vërtetë, pasi personi që e ka deklaruar këtë gjë në shtyp (një ish-oficer Kufiri, tashmë në moshë shumë të thyer), nuk ka dhënë fakte bindëse për këtë gjë. Dhe e tjetra që mund të sheshojë çdo hamendje rreth së vërtetës së arratisjes së Bilal Xhaferrit është fakti që: Sigurimi i Shtetit nuk kishte tagër të bënte të tilla lojëra (apo kombinacione, siç thuhet në terminologjinë e agjenturave), me një person për të cilin kishte shkruar vetë Enver Hoxha me dorën e tij. Kjo gjë as që mund të mendohej.

Dhe ky pohim vjen (ndonëse jo publikisht), nga një ish-oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme, i cili thotë gjithashtu se: Sigurimi i Shtetit, nuk mund të fuste në këto lojëra kurrsesi emrin e Hysni Kapos, apo qoftë dhe në mënyrë fiktive. Gjithsesi, këto gjëra përsëri mbesin të paqarta dhe ndoshta do t’i sqarojë koha apo dokumente të tjera arkivore në të ardhmen. Edhe këtë informacion po e botojmë të plotë, ashtu siç ndodhet në Arkivat e shtetit.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE “TEPER SEKRET”
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr 1
Tiranë, më 11.10.1969

KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE
SHOKUT HYSNI KAPO
TIRANE
Më 31 gusht 1969 u arratis në Greqi Bilal Xhaferri, duke marrë me vete edhe Selfo Hoxhën (burrin e motrës), ish-i dënuar dhe i internuar si armik, dhe Bajram Shuaipin, të dy nga Markati i Sarandës. Nga analiza që iu bë këtij problem del se:
Bilal Xhaferri, lindur në Ninat të Konispolit në vitin 1935, banonte në rrethin e Durrësit, me punë në fermën e Sukthit. Babai i tij është pushkatuar mbas Çlirimit si kriminel lufte. Bilali, pasi kreu dy klasë të shkollës së mesme, ka punuar si teknik dhe punëtor dhe gjatë kësaj kohe është marrë dhe me letërsi. Megjithëse dihej se e kishte babanë të pushkatuar si armik, i janë botuar artikuj në gazeta dhe revista dhe vëllime me vjersha dhe tregime nga ndërmarrja e botimeve. Në këtë mënyrë u popullarizua pa të drejtë si “talent letrar”, sidomos për një roman për Skënderbeun që kishte dhënë për botim.
Organet tona, duke pasur parasysh biografinë e tij dhe lidhjet e dyshimta me disa të internuar në Mirditë si dhe qëndrimin jo të mirë gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Berat, qysh në vitin 1964 Bilalin e kishim marrë në ndjekje si element armik.

Mbas diskutimit armiqësor që bëri Bilali në klubin e shkrimtarëve, Ministria i vuri detyrë degës së Durrësit për ta ndjekur këtë objekt si përpunim kryesor dhe të arrihej në arrestimin e tij. Por dega e Durrësit punoi keq. Shkaku i këtij qëndrimi është nënvlerësimi i armikut të klasës, dhe për rrjedhim mungesa e theksuar e vigjilencës, që nga kryetari e deri te punëtori operativ që e ndiqte këtë çështje.
Kjo mungesë vigjilence karakterizon edhe veprimet e Degës së Punëve të Brendshme në Sarandë dhe të batalionit të Kufirit, të cilët, edhe pse u vunë në dijeni të vajtjes së Bilal Xhaferrit në Sarandë dhe kishin dijeni për rrezikshmërinë e tij dhe tendencën e arratisjes, nuk e vlerësuan dhe nuk morën masat e nevojshme.

Kjo ngjarje nxori në pah edhe një metodë shumë burokratike në bashkëpunim midis dy degëve (Durrës-Sarandë) për ndjekjen e këtij objekti, për faktin se dega e Durrësit nuk dërgoi njeri kompetent që të koordinonte masat me Sarandën gjatë qëndrimit të Bilalit në Sarandë, por ajo u mjaftua vetëm me dërgimin e një telegrami të thatë. Kurse dega e Sarandës nënvlerësoi krejtësisht masat në kufi, gjë që i dha mundësinë këtij armiku që të lehtësojë më shumë tradhtinë e tij.

Të metat e radhitura më sipër flasin edhe për dobësinë e aparatit qendror, i cili në rastin e dhënë duhej që të kishte qenë më rigoroz në zbatimin e detyrave të vëna për këtë problem.
Konkluzionet e nxjerra nga kjo ngjarje do të punohen me të gjitha kuadrot e Drejtorisë dhe të Degëve të Punëve të Brendshme. Njëkohësisht u dhanë udhëzime për një koordinim më të mirë të degëve të brendshme, për rastet kur elementë që janë në përpunim për aktivitet armiqësor lëvizin nga një rreth në tjetrin. Në Sarandë ky problem u analizua në organizatën e Partisë dhe ndaj kuadrove që kishin përgjegjësi kryesore u morën masa ndëshkimore. Zv/kryetarit të Degës iu dha vërejtje e rëndë, ndërsa shefit të seksionit dhe punëtorit operativ, vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Në rrugë shtetërore për këto kuadro, mendojmë të mos merren masa të tjera. Ndërsa problemin e degës së Durrësit jemi duke e analizuar në kompleks, edhe për disa dobësi të tjera që janë konstatuar.
Drejtori i Drejtorisë I
Feçorr Shehu
Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1967, 1969. Fl. 1-180-214

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: