Në një letër të hapur drejtuar anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik për dijeni edhe ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Federata Shqiptare e Mundjes ka denoncuar veprimet sipas saj jo korrekte dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në kompetencat e FSHM-së, nga Presidenti i KOKSH-it, z. Viron Bezhani.

Gjithashtu, federata kërkon që pretendimet e tyre të merren në konsideratë në mbledhjen e radhës së Ekzekutivit dhe në prezencë të një përfaqësie të Mundjes. Ja edhe faktet e pretenduara nga Federata:

1. Nga viti 2009-2011 z.Bezhani e mbajti të bllokuar FSHM-në në aktivitetet ndërkombëtare duke shfrytëzuar pozicionin e tij si drejtor teknik i KOKSH- it.

Ekipi kombëtar i Federatës së Mundjes në Kampionatin Europian 2009 që u zhvillua në Lituani nuk u lejua që të merrte pjesë edhe pse kishte mbërritur në Lituani, për shkak të ndërhyrjeve të z. Bezhani. Në vitin 2010 FSHM-ja nuk merr pjesë përsëri në aktivitetet ndërkombëtare.

Në vitin 2011 në Kampionatin Europian që u zhvillua në Serbi arritëm të merrnim pjesë falë ndërhyrjeve të Presidentit të Federatës Botërore të Mundjes (UWW) z. Nenad Laloviç sot dhe në atë kohë anëtar i byrosë FILA dhe i deleguar i FILA për aktivitetin. Aty u realizua një takim me ish-presidentin e FILA të asaj periudhe, zotin Martineti, ku u dakordësua nga palët për realizimin e një takimi në Lozanë.

Në prill 2011 në takimin e Lozanës merrnin pjesë nga FSHM-ja presidenti Z.Martin Biba, juristi Erion Kanxheri dhe sportisti Sahit Prizreni.

Nga KOKSHi mori pjesë z.Viron Bezhani dhe një përkthyes dhe u pritëm nga presidenti i FILA-s Z.Martineti, sekretari i përgjithshëm z.Michel Dusson dhe juristi Carlos Roy. Në takim u vendos që FSHM-ja të shkonte në zgjedhje në vitin 2011.

Zgjedhjet e FSHMsë në 13 korrik 2011 u zhvilluan në hotel “Tirana” me pjesëmarrjen e 15 klubeve ku ishin të pranishëm si të deleguar të Federatës Europiane z.Tzeno Tzenov dhe juristi Carlos Roy, zgjedhje në të cilat u zgjodhën president i FSHM-së z.Martin Biba dhe anëtarët e Komitetit Drejtues. Edhe pas kësaj, z.Bezhani vazhdon ta sulmojë ende FSHM-në në të gjitha mënyrat e mundshme.

2. Në analizën vjetore të FSHM-së të vitit 2012, ai duke shfrytëzuar prezencën si i deleguari i KOKSH- it, në analizë tentoi ta kthente atë në Asamble Zgjedhore. Por Asambleja, me vullnetin e plotë të anëtarëve të saj, e refuzoi dhe vazhdoi punimet konform statutit.

3. Në janar të vitit 2013 u mor me organizimin e një Asambleje të parakohshme, të jashtëligjshme ku mbështeti një grup njerëzish që kishin marrë mandate të paligjshme dhe që s’kishin lidhje me federatën. Ai tentoi që me pjesëmarrjen e tij Asamblenë ta legjitimonte. Edhe me këto zgjedhje ai nuk ia arriti qëllimit të rrëzonte federatën. Federata shkoi në proces gjyqësor dhe vendimi konfirmoi organet drejtuese të FSHM-së.

4. Në tetor të vitit 2013, presidenti i FSHM-së, z.Martin Biba, jep dorëheqjen për t’i hapur rrugë z.Muhamet Malo, ish-kampion kombëtar dhe biznesmen i suksesshëm, i cili kishte shprehur dëshirën për të kandiduar si president i FSHM-së më parë.

Ai kandidoi dhe u zgjodh president i FSHM-së, por edhe këtë radhë z.Bezhani në cilësinë e kryetarit të KOKSH-it e vuri në mëdyshje z.Malo që nuk do ta njihte si presidentin e FSHMsë (njohja e presidentit nuk është kompetencë e kryetarit të KOKSH-it).

Presidenti zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme. Nën trysninë e vazhdueshme të zotit Bezhani, z.Malo jep dorëheqjen, duke parë se me këtë klimë nuk mund të investonte shuma të mëdha financiare si në infrastrukturë, ashtu edhe në burime njerëzore.

Pas dorëheqjes së zotit Malo, federata shkoi përsëri në zgjedhje. Zgjedhjet e zhvilluara më 3 mars 2014 rikonfirmuan z.Martin Biba përsëri si president të FSHM-së. Edhe në këto zgjedhje z.Bezhani u mundua të ndërhynte duke kërkuar mandate të paligjshme në bashkitë e vendit.

5. Në vitin 2015 FSHM-ja shkon në zgjedhjet e përgjithshme pas mandatit 4-vjeçar, zgjedhje që u zhvilluan në 30 maj 2015 në prezencën e të deleguarit të UWW-së z.Theodoros Hamakos. Në raportin e tij këto zgjedhje u cilësuan si të shkëlqyera. Në këto zgjedhje, grupi, i cili mbështetej nga z.Bezhani, tentoi të sillte njerëz me mandate jo të ligjshme.

Ai vazhdoi dhe pas zgjedhjeve sulmet ndaj federatës, ndikoi në bllokimin e fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për një kohë të shkurtër. Urdhrin e Ministrisë për bllokimin e fondeve FSHM-ja e hodhi në Gjykatën Administrative dhe e fitoi gjyqin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit pas sqarimit të situatës dhe vendimit të gjyqit rihapi fondet. Z.Bezhani vazhdon me teorinë që nuk e njeh FSHM-në dhe për këtë arsye tentoi të kërkojë mosnjohjen ndërkombëtare. FSHM-ja për të sqaruar këtë situatë të krijuar nga z.Bezhani kërkoi një takim me Federatën Botërore.

Në takimin e thirrur nga Presidenti i UWW-së të 27.01.2016, ku morën pjesë nga UWW presidenti, z.Nenad Laloviç, Zv/ Presidenti z.Ruziev Akhroldjan, Sekretari i Përgjithshëm, z. Michel Dusson dhe Shefi i Sektorit Juridik, z.Carlos Roy. Nga FSHM-ja morën pjesë Presidenti, z.Martin Biba, Zv/Presidenti, z.Ndoc Qokaj, Sekretari i Përgjithshëm z.Ndriçim Spahiu, z.Paulin Sterkaj (“Mjeshtër i Merituar i Sportit”, Deputet i Parlamentit Shqiptar).

Ndërsa nga KOKSH morën pjesë Presidenti z.Viron Bezhani, Drejtori Juridik z. Erjon Kanxheri. Konkluzioni i UWW-së, mbas ballafaqimit prej 6 orësh në këtë tryezë, ishte qëndrimi zyrtar ndaj raportit të të deleguarit të tyre z.Theodoros Hamakos në Asamblenë e 30 majit. Çdo përpjekje për të cenuar FSHM-në, deklaroi Presidenti i UWW-së, do të sjellë një bumerang për sportin shqiptar dhe mundjes në veçanti.

6. Gjatë organizimit të pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” nuk është marrë parasysh lista zyrtare e dërguar prej FSHM-së për sportistët që do të përfaqësonin mundjen. Por, me pa të drejtë kjo listë është modifikuar plotësisht. Në këto Lojëra, Egzon Shala mori medaljen e bronztë dhe po këtë vit u shpall Kampion i Ballkanit.

7. Bazuar në shkresën e KOKSH-it, nr. 113, datë 02/05/2014, kur u kërkua nga federata për sigurimin e Bursës Olimpike për mundësit, FSHM-ja, nëpërmjet kësaj shkrese nr. 41, 27/05/2014, ka sugjeruar mundësin Egzon Shala si kandidat potencial për të përfituar këtë bursë.

Me shkresën nr. 38, të datës 19/05/2014, FSHM-ja ka dërguar drejt KOKSH-it formularin e plotësuar siç është kërkuar, për kandidatin z.Egzon Shala, bashkëngjitur CV-së së tij të rezultateve sportive.

Në shkelje të plotë të Kartës së Principeve Olimpike, ashtu si edhe akteve ligjore, në implementimin e saj, KOKSH ka paraqitur fitues të Bursës Olimpike një mundës tjetër (z.Osman Hajdari), i cili nuk u përfshi në kandidaturat e sugjeruara nga FSHMja, një mundës, i cili nuk ka arritur ende ndonjë rezultat ndërkombëtar.

Ky kandidat është një zgjedhje selektive e kreut të KOKSH-it, z.Viron Bezhani, i cili ka qenë edhe trajneri i tij personal, në klubin sportiv “Tirana”. Veç kësaj, në ceremoninë e shpërndarjes së bursave, asnjë përfaqësues i FSHM-së nuk ishte prezent.

8. Në vitin 2015 është dërguar për kualifikime (kurse 3-mujore) në Budapest z.Altin Shtjefni, pa marrë pëlqimin e FSHM-së dhe nuk është dërguar asnjë njoftim për këtë kurs.

9. Në ceremoninë për nderimin e 10 sportistëve më të mirë të vitit 2015 nuk është ftuar zyrtarisht asnjë prej anëtarëve të FSHM-së, por persona të zgjedhur nga z.Viron Bezhani sipas preferencave të tij.

10. Në analizën vjetore të KOKSH-it, në 30/06/ 2016, FSHM-ja ishte e vetmja federatë, e cila nuk kishte marrë ftesë zyrtare. Së fundmi ai ka marrë një fushatë të re për zgjedhje të jashtëzakonshme ku po synon dhe kërkon të marrë mandate të jashtëligjshme për të bërë një asamble të pamotivuar dhe pa shkak vetëm e vetëm për të rrëzuar federatën e për interesat e tij.

Me keqardhje konstatojmë se pas këtyre ndërhyrjeve e shkeljeve të njëpasnjëshme të kompetencave të federatës janë krijuar situata, të cilat nuk stimulojnë aspak zhvillimin e mundjes, përkundrazi detyrohet largimi i mundësve nga Shqipëria në vende të tjera, ku ata mund të gjejnë mundësi tërheqëse, siç kemi pazur rastet si Kampioni i Botës, z.Elis Guri, dhe fituesi i vendit të 2-të në Europë, z.Sahit Prizreni etj. Ky është një fenomen i dëmshëm që ne po përpiqemi ta ndalojmë.

Federata ka paguar kuotizacionin duke qenë anëtare e KOKSH-it, por nuk është trajtuar asnjëherë si e tillë nga drejtuesit e tij nga 2013 e deri sot.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: