U bënë gati 40 ditë që kur prindërit janë mbyllur në shtëpi me fëmijët e tyre.

Java e parë mund të jetë kaluar më lehtë për shumë familje, përshtatja me situatën e re, riorganizimi I rutinës ditore, organizime aktivitetetesh me fëmijët brenda shtëpisë, lojra të ndryshme, detyrat online, gatime pafund… por tashmë pas një muaji e gjysëm lodhja psikologjike mund të bëhët evidente për çdo grupmoshë. Fillojnë të rrallohen idetë dhe dëshira për aktivitete, lojëra, biseda mes pjesëtarëve të familjes, përkujdesja ndaj vetes, shtëpisë, mungesa e vëmendjes në bërjen e detyrave…dhe ajo që është më e rëndësishme, shpeshherë situata me fëmijët mund të dalë nga kontrolli. Gjatë këtyre ditëve mund të jeni përballur me shumë situata të ndryshme tensioni si p.sh grindje, ngritje zëri, kundërshtime, apo sjellje të tjera të papërshtatshme, qoftë mes fëmijëve me njëri-tjetrin, qoftë mes vetë prindërve me fëmijëët.

Menaxhimi I këtyre situata është një sfidë më vete për prindërit që tashmë janë të lodhur nga karantina, c’ka mund të pasohet edhe me humbjen e kontrollit në sjelljen me fëmijët.

Prindër merrni frymë thellë dhe ndiqni këto udhëzime praktike:

-Kapni në ajër situatën para “shpërthimit të luftës”

Është shumë e rëndësishme që prindi të jetë I kujdesshëm dhe të ndërhyjë në sjelljen problematike të fëmijës, pa arritur në shpërthimin maksimal të saj. Fëmijët ndonjëherë kërkojnë të vendosin autoritetin e tyre dhe të mbizotërojnë ndaj prindërve. Kjo bëhet burim konflikti dhe shumë shpejt konflikti arrin në ekstrem, ku prindi detyrohet të përdorë shpullën për të qenë ai mbizotërues në këtë “luftë”. Atëherë, që kjo situatë të evitohet, prindi duhet të jetë I kujdesshëm të mos sfidojë fëmijën dhe të mos kërkojë fitore për pushtet me fëmijën e tij por të ndërhy para se gjakrat të jenë ndezur ,duke e shpërqëndruar fëmijën nga situata problematike. Kjo teknikë mund të përdoret edhe kur shihni që 2 fëmijët tuaj po grinden me njëri-tjetrin. Ndërhyni para se të “shpërthejë lufta”

-Injorimi i “ artë” i sjelljes së papërshtatshme

Mund të ndesheni me sjellje të papërshtatshme të fëmijës, si pasojë e tekave apo kapriçove të tij: “përplasja e këmbëve në dysheme, qarje pa shkak ose qarje për të përfituar diçka, përplasje lodrash, hedhje e lodrave apo librave, përplasje dere, bërtitje etj. Rregullat janë:

*Mos i kushtoni vëmendje sjelljes së papërshtatshme;

*Sigurohuni që edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, të mos i kushtojnë vëmendje sjelljes së papërshtatshme;

*Jeni vigjilent të ndërhyni duke I kushtuar vëmendje direkt sa fëmija ndalon këtë sjellje dhe më pas nxiteni të bëj një veprim të pëlqyeshëm, ku ju mund ta lavdëroni;

– Largohuni nga sjellja e papërshtatshme

Në rastet kur fëmija juaj nuk ju bindet, por përkundrazi shfaq sjellje të papërshtatshme (kthen përgjigje, flet në mënyrë të papërshtatshme, përplas apo thyen sende i acaruar) dhe ju po e kuptoni që po humbni kontrrollin me fëmijën, mos hezitoni t’i ktheni kurrizin pa dhënë shpjegime dhe të shkoni në një ambjent tjetër ku të qëndroni pak vetëm dhe t’i jepni vetes një pushim të shkurtër.

Kështu i jepni mundësi vetes dhe fëmijës tuaj të qetësohet. Më pas mund të shkoni tek fëmija dhe diskutoni për atë që ndodhi.

-Ç’tensiononi situatën. Shpërqëndrimi në momentin e duhur

Në momentin kur shihni që 2 fëmijët tuaj po grinden dhe nuk po arrijnë ta zgjidhin vetë situatën mes tyre, ndërhyni duke përdorur situata shpërqëndruese dhe duke çuar vëmendjen e fëmijeve nga grindja në diçka tjetër. Psh: “Fëmijë ju lutem më ndihmoni të vendos këto 2 libra në raft” ose “ Fëmijë hajdeni t’ju tregoj një video interesante që sapo pashë në celular”. Kini kujdes: fjalët tuaja duhet të jenë sa më miqësore, entuziaste, që të përceptohen si lojë apo argëtim nga fëmijë dhe kështu ai të heqë dorë nga sjellja e papërshtatshme që po bën për të ndjekur drejtimin që ju I jepni!

-Zëvendësoni sjelljen e papërshtatshme me një sjellje të përshtatshme

Gjatë eksplorimit apo eksperimentimit, fëmijët në moshë të vogël (1-3 vjeç) kanë kënaqësi të zhgarravisin, thyejnë, përplasin lodra, objekte të ndryshme. Kjo mund të bëhet stresuese në momentin kur ju shpesh e këshilloni fëmijën të mos i bëjë si veprime dhe ai përsëri i bën. Mure të “vizatuara”, pasqyra të lyera me buzkuqin e mamit, enë të shpërndara në dysheme…është momenti të përdorni “armën” e zëvendësimit.  Si?!!

Nëse fëmija po përdor buzëkuqin për të lyer pasqyrën, shkoini afër me qetësi dhe tregoini që me buzëkuqin mund te lyejë buzët e mamit apo buzët e kukullës.

Nëse fëmija po përdor ngjyrat për të shkruar nëpër mure, zgjatini me kujdes një fletë dhe tregojini që ngjyrat bëhen edhe më të bukura, nëse shkruajmë tek fleta.

Nëse fëmija hap sirtarin dhe hedh të gjitha lugët apo pirunjtë në tokë, afrohuni me mbajtësen e enëve dhe futini lugët dhe pirunjtë në vendin e tyre duke kënduar një këngë apo duke improvizuar një situatë tjetër argëtuese.

Nëse fëmijë merr një objekt dhe e përplas fort në tokë, merrni një top dhe tregojini që atë mund ta hedhi dhe të luajë.

-Ofrojini zgjidhje

Fëmija bën kapriço, teka, qan se do patatina apo ndoshta nuk I pëlqen ushqimi që keni përgatitur për të. Kujdesuni që fëmijës në këto situate t’i ofroni të zgjedhë vetë midis 2 mundësive që ju i ofroni. Psh: –     Dëshiron patate të skuqura apo patate të furrës ( kështu evitoni patatinat)

  • Dëshiron të shohësh film të shkurtër vizatimor apo të bësh vetëm 1 lojë në celular? (nëse fëmija insiston të rrij shumë gjatë në celular)

Në këtë mënyrë ju I ofroni zgjedhje “të shëndetshme” fëmijës, por edhe fëmija ndjehet i vlerësuar dhe I pavarur ta bëjë vetë zgjedhjen e tij.

 

-Modeloni sjelljen e përshtatshme

Fëmija mëson një sjellje të përshtatshme më mire, duke ju parë dhe duke ju imituar ju, se sa duke ia thënë atë me fjalë. Nga ju prindër fëmija vëzhgon dhe përvetëson sjelljet , kështu që:

  • Jini të duruar
  • Zgjidhini situatat pa konflikte
  • Ndani emocionet pozitive

Kujdesuni në mënyrën si ju reagoni, si shpreheni, si komunikoni brenda familjes. Ju jeni modeli kryesor për fëmijën tuaj.

 

-Përshtatni rregullat me moshën e fëmijës

Çdo familje ka rregullat e saj dhe mirë është të zbatohen në mënyrë që familja të funksionojë në normalitet. Kini parasysh kur vendosni rrgullat që ato:

-Të jenë në përputhje me moshën e fëmijës, aftësive të tij dhe nevojave;

– Të jenë të realizueshme nga fëmija;

-Të vendosen rregulla edhe për pjestarët e tjerë të familjes;

-Të vendosen rregulla strikte por edhe flexible;

-Të vendosen rregulla duke dëgjuar edhe  mendimin e fëmijëve në mënyrë që t’i përshtasni sa më shumë me mundësitë e tyre dhe t’i bëni të zbatueshme nga ata.

– Mundojuni t’i zbatoni gjithmonë në rutinën tuaj ditore këto rregull (jo një ditë i zbatoni dhe një ditë jo).

Prindër! Ju keni fuqinë që çdo situatë të jetë e zgjidhshme!

*Anisa Dizdari – Psikologe shkollore Drejtore Qendra Tiss “Qendra e Sherbimeve dhe Trajtimit Psikosocial”

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: