Deputeja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho me anë të një postimi në Facebook ka treguar se i ka drejtuar një kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla në lidhje me raportin auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimin skandaloz me fondet e ushqimit të fëmijëve të jetimores “Zyber Hallulli”.

Xhixho i ka kërkuar Nikollës mbledhjen urgjente të grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, për të analizuar gjetjet e raportit, pasi e ka konsideruar këtë të fundit si “shqetësim alarmant”.

Postimi i plotë: 
Pas publikimit të raportit auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimin skandaloz me fondet e ushqimit të fëmijëve të jetimores “Zyber Hallulli”, ju bëj me dije se i jam drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, me anë të së cilës i kërkoj mbledhjen urgjente të grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, për të analizuar gjetjet e raportit.

Si nënkryetare e këtij grupi, e konsideroj të domosdoshëm informimin në detaje nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse të evidentuar në raportin e KLSH dhe adresimin e këtij shqetësimi alarmant.
Këta fëmijë që fati i ka privuar nga prindërit janë përgjegjësi e të gjithëve ne Shqipëri.

Letra e plotë:
E nderuar zonja Kryetare,
Një raport i përpiluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas auditimit të kryer në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, nxjerr në pah situatën tronditëse në të cilën gjenden fëmijët e kësaj strehe.
Prej të paktën 4 vitesh, jetimët në këtë qendër konsumojnë më pak ushqim se sa është përcaktuar në ligj.
Sipas KLSH-së , vlera në lekë e përcaktuar për kuotën ditore për fëmijët jetimë. nuk i përgjigjet të njëjtës sasi ushqimore që duhet të konsumojnë fëmijët.
Është alarmante dhe skandaloze kjo që ndodh në institucionin, që me ligj merr përsipër rritjen e shëndetshme dhe edukimin e këtyre fëmijëve të pambrojtur.

Prandaj, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe nënkryetare e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, bazuar në pikën 1.6 të Rregullores së Brendshme të grupit, kërkoj mbledhje urgjente me këtë rend dite:
1 – Debat lidhur me gjetjet të raportit të KLSH-së për jetimoren “Zyber Halluli” dhe shkeljet flagrante të ligjit dhe të drejtave të fëmijëve;

2 – Informimin nga drejtuesit e institucioneve përgjegjese të evidentuar në raportin e KLSH, institucioneve të shërbimit social dhe përfaqësuesit e KLSH-së , të cilë t kanë kryer auditimin.
Me besim të plotë te ndjeshmëria juaj ndaj të drejtave të fëmijëve, le të bëjmë hapin e parë për të zbardhur plotësisht atë që ndodh në të vërtetë në këto institucione.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb