NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Medikamenti kryesor i kimioterapisë për fëmijët me leucemi, Asparaginase, vijon të mungojë në shërbimin e Onko-Hematologjisë në QSUT. Vetë Ministria e Shëndetësisë bën përgje-gjëse firmat importuese farmaceutike për dështimin tri herë të tenderit për blerjen e medikamentit.

Televizioni “News 24” për të disatën herë ka publikuar raste të fëmijëve me leucemi dhe prindërit e tyre që u bëjnë apel kryeministrit dhe qeverisë që të gjejnë një zgjidhje. Po ashtu, edhe shoqata “Together for Life” ka bërë disa herë apel për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi i cili rrezikon jetën e fëmijëve.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, ditën e djeshme ka reaguar dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili ka zhvilluar disa takime me prindër të fëmijëve të sëmurë, personelin mjekësor të këtij reparti dhe përfaqësues të QSUT-së.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë mendon vetëm se si të justifikojë mungesën, askush nuk thotë se çfarë po rrezikojnë të vegjlit. Prindërit e fëmijëve me leucemi, e kanë denoncuar mungesën e këtij ilaçi që në javët e parë të muajit korrik, nëpërmjet një proteste që ata zhvilluan në ambientet e spitalit.

Ilaçi & reagimi
Duke marrë shkas nga reagimet e vazhdueshme të organizatës “Together for Life” si dhe kronikat e shfaqura nga televizioni “News 24”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar disa takime me prindër të fëmijëve të sëmurë, lidhur me mungesën e medikamentit L-Asparaginase për fëmijët e sëmurë me leucemi në repartin e Onko-Hematologjisë, personelin mjekësor të këtij reparti si dhe përfaqësues të QSUT-së.

“Është për të ardhur keq që në takimet e zhvilluara, stafi i specializuar mjekësor ka hezituar të japë një përgjigje se çfarë pasojash mund të kishte për shëndetin e fëmijëve që vuanin nga leucemia mungesa e preparatit të mësipërm”, theksohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Në një njoftim për shtyp, QSUT-ja deklaron se bari L-Asparaginase nuk është bar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe rezulton se përgjatë vitit 2015 e në vijim nuk ka pasur import të këtij bari në Shqipëri. Sasia e prokuruar e barit L-Asparaginase në vitin 2014, QSUT ka pasur gjendje në përdorim dhe ka furnizuar në vazhdimësi deri në qershor 2016, shërbimet e Onko-Hematologjisë Pediatrike dhe Hematologjisë.

Përfaqësuesve të KSHH-së u është komunikuar se procedurat e zhvilluara për prokurimin e barit L-Asparaginase për vitet 2015-2016 kanë dështuar disa herë për shkak të mospjesëmarrjes në garë të kompanive farmaceutike që e tregtojnë këtë medikament. “KSHH vlerëson se, kur është çështja e jetës dhe e shëndetit të fëmijëve, sidomos me sëmundje të tilla, dështimi i procedurave të prokurimit për të siguruar këtë medikament nuk mund të përbëjë justifikim për publikun dhe në mënyrë të veçantë për prindërit e fëmijëve që vuajnë nga leucemia.

KSHH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT-së që në mënyrë urgjente të gjejnë mundësitë dhe rrugët për garantimin e këtij medikamenti. Për hapat që do të ndërmerren, të informohet edhe publiku i gjerë. Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen gjithashtu se deri më tani, reagueshmëria dhe ndjeshmëria e institucioneve shtetërore përgjegjëse lidhur me mungesën e barit L-Asparaginase për fëmijët e sëmurë nuk ka qenë në nivelin e duhur”, -theksohet në njoftimin e KSHH-së.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: