20 Nëntori – Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, inicuar nga OKB. Raporti Botëror i Rrezikut për vitin 2018 iu kushtohet fëmijëve. Ata vuajnë më së shumti nga katastrofat natyrore, luftërat apo konfliktet

Më një fuqi prej 7,8 ballësh tërmeti i Prillit 2016 tronditi veriperëndimin e Ekuadorit. Shumë vetë në rajon nuk kishin asnjë shans të mbijetonin. Më shumë se 660 vetë ndërruan jetë, 80.000 humbën shtëpitë, 560 shkolla u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë. Por më shumë nga të gjitha kanë vuajtur fëmijët. Shumë prej tyre humbën prindërit dhe duhet ta përballonin plotësisht vetëm jetesën. Vërtet që u ofrua ndihmë emergjente, por deri sa fëmijët të merrnin ndihmën e duhur kaloi mjaft kohë. Ky rast tregon se sa të lëndueshëm janë fëmijët kur ndodhin katastrofa natyrore. Prandaj raporti i “Aleanca- Zhvillimi Ndihmon” dhe Universitetit të Bochumit për vitin 2018 u kushtohet fëmijëve.

“Fëmijët preken shumë nga katastrofat dhe kanë një rrezikshmëri më të lartë se të rriturit, sepse nga ana fizike janë më të dobtit”, thotë Peter Mucke, drejtor i Aleancës. Edhe nga ana ligjore ata shpesh janë më pak të mbrojtur, se të rriturit. “Fëmijët i kërkojnë më pak të drejtat e tyre, megjithëse ato janë të siguruara me Konventën e Të Drejtave të Fëmijëve. Por sidomos pas një katastrofe, fëmijët ndeshen me situata të rrezikshme.”

Rreziqe të ndryshme

Se sa rëndë mund të preken fëmijët nga katastrofat, këtë ta kujton cunami i vitit 2011 në Azinë Juglindore. 2800 fëmijë u kthyen në jetimë. Edhe tërmeti i Haitit tregoi, se sa të lëndueshëm janë minorenët. 7300 fëmijë të pambrojtur u rrëmbyen nga bandat e trafikantëve për t’u dërguar në Republikën Dominikane. Pas ciklonit Nargys në Myanmar në vitin 2008, qindra fëmijë u kthyen në shërbëtorë të familjeve të ndryshme.
Raporti i Rrezikut për vitin 2018 e kthen vëmendjen tek zhvillimet dramatike – fëmijët janë viktimat kryesore të luftërave, konflikteve apo katastrofave natyrore. Ideja kryesore e raportit “që për rrezikun e katastrofave natyrore nuk janë përgjegjëse vetëm thatësira, tërmeti, stuhitë, por edhe faktorët shoqërorë, pavarësisht nëse ekstremet e klimës apo natyrës lidhen me katastrofat.” Në raport theksohet, se një shoqëri mundet që të marrë masa të drejtpërdrejta apo indirekte për të reduktuar rreziqet natyrore si për shembull përmes rregulloreve të mirëmenduara për ndërtimet, një koncept efektiv për mbrojtjen nga katastrofat natyrore.

Zgjerimi i ndihmës për fëmijët

Në indeksin e vendeve më të rrezikuara për fëmijët, raporti rendit Vanuatun, Tongas dhe Filipinet. Katari, Malta dhe Arabia Saudite janë më të sigurtat. Gjermania renditet e 17-ta. Një nga vendet, ku fëmijët vuajnë më së shumti është Jemeni. Lufta civile prej tre vitesh aty ka goditur më rëndë civilët. Njerëzit vuajnë jo vetëm nga dhuna ushtarake, por edhe nga thatësira e vazhdueshme. E njëjta situatë sundon edhe në Irak. “Këto vende nuk i kanë kapacitetet për të reaguar si duhet në rast lufte, apo katastrofash natyrore”, thotë Mucke. “Shumë fëmijë jetojnë në një ambient tërësisht të shktaërruar, apo në kampe refugjatësh, ku kushtet janë shumë të vështira, si mësimdhënia ashtu edhe kujdesi shëndetësor.”
Në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë mbrojtja e fëmijëve gjatë dhe pas katastrofave. Autorët e studimit apelojnë që “në vendet e prekura nga katastrofat ekstreme natyrore të zhvillohen plane konkrete veprimi për mbrojtjen e fëmijëve në raste të tilla e madje në bashkëpunim me fëmijët.” Ata kërkojnë që fëmijët të merren në konsideratë, kur vjen puna për masat preventive, ndërhyrjen apo ndihmën humanitare. “Për shkak se ata i identifikojnë dhe perceptojnë ndryshe rreziqet, mendimi i tyre duhet të merret patjetër në konsideratë dhebashkë me ta të zhvillohet strategjia e duhur.” Vetëm kështu, janë të bindur autorët e studimit, mund të mbrohen siç duhet fëmjët në raste katastrofash. /DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: