Emisioni Vetting

Godinat jetimoreve janë të vjetra dhe problematike
Disa nga godinat e jetimoreve janë të vjetra, kanë shërbime të ruajtura nga e kaluara dhe pavarësisht se janë bërë ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës, ato rezultojnë të pamjaftueshme dhe në ndonjë rast nuk sigurojnë mirëqenien e fëmijëve. Disa nga këto godina janë “Lulet e Vogla” Korçë dhe ato në Durrës, ku kjo e fundit ndahet në dy vende me destinacione të ndryshme.

Shtëpia e Foshnjës “Lulet e Vogla” Korçë, është një Institucion i Shërbimit të Përkujdesjes Publike në varësi të dyfishtë të Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bashkisë Korçë. E ndërtuar para 50 vitesh, kjo godinë është nën pronësinë e Bashkisë Korcë si drejtoria e përgjithshme pronës publike, por kjo e fundit duket se nuk ka bërë asnjë monitorim të gjendjes së banesës për sigurinë e foshnjëve të vogla të lënë nga familjarët nën përkujdesjen e institucioneve.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, pavarësisht vjetërsisë së godinës dhe faktit që brenda saj strehohen fëmijë të vegjël pa përkujdesje prindërore, Bashkia Korçë, në cilësinë e pronarit nuk ka kryer asnjë procedurë për auditimin teknik të objektit, i cili do të duhej të vlerësonte gjendjen e tij strukturore dhe kapacitetin mbajtës.

“Nëse ne kemi të bëjmë me godina që janë të amortizuara në këtë pikë që rrezikojnë dhe jetën e fëmijës. Një godinë e cila ka lagështirë është një godinë e cila ka dhe myk Brenda dhe kjo e vështirëson rritjen e fëmijës, shton edhe sëmundje tek fëmija.” u shpreh për “Vetting” Suela Koçibellinj Vizion OJF.

Probleme me vjetërsinë paraqesin edhe dy godinat për fëmijët në Durrës. Këto ndërtesa patën dëmtime të lehta nga tërmeti i nëntorit 2019, të cilat janë rikonstruktuar nga Bashkia Durrës. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, përsëri në korridoret dhe disa mjedise në godinën e Shkozetit u konstatua se kishte lagështirë të dukshme, e cila dëmton sistemin e frymëmarrjes të fëmijëve.

 “Ajo ç’ka unë dua të veçoj është që përpos jetimoreve që mbartin fëmijët e vegjël 0-3 apo 3-6 vjec jetimoret e tjera janë të përziera disi duke mos mbajtur në brendësi të tyre fëmijë tërësisht jetim por edhe fëmijë social të cilët i strehojnë aty. Nuk është një rakordim i duhur që fëmijët social të përfshihen me fëmijët jetim”, u shpreh Lulzim Resuli, kryetar i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë.

 Përgjatë vitit 2020 në “Lulet e vogla” Korcë kanë punuar 7 punonjës ndërkohë që në këtë rezidencë ka pasur gjithsej 19 fëmijë, numër i cili ka rënë dukshëm ndër vite jo për shkak të birësimit.

Pavarësisht se ka vetëm një fëmijë në institucion, ai do të vazhdojë të funksionojë në këto kushte sepse do të rimodelohet në “Shërbim Mbështetës për Fëmijët dhe Familjes”. Ky informacion i’u vendos “Vetting” në dispozicion me anë të një kërkese për informacion nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili listoi shërbimet që do të ofrohen si shërbim emergjencës për fëmijët në nevojë. Por nuk ka plan për fëmijët rezidentë dhe as për transformimin e institucionit.

Sipas Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës, Korca dhe Vlora janë dy institucionet të cilat janë drejt ndryshimit të tipologjisë së shërbimit, jo më një institucion rezidencial por me shërbim komunitar që do t’u vijë në ndihmë fëmijëve apo dhe prindërve të tyre.

“Lulet e Vogla” Korcë financohet ekonomikisht nga Bashkia Korcë, tarifat e përcaktuara për birësimet dhe nga donatorë të ndryshëm. Këto të ardhura shpërndahen për punonjësit, ushqime apo nevoja të tjera për fëmijët. Cdo vit është celur thirrja për dhurime monetare nga qytetarët apo bizneset për të shtuar një kat në godinë, por pavarësisht të ardhurave të arkëtuaram Bashkia Korcë nuk ka kryer asnjë punim duke ngritur dyshime për qëllimin e vërtetë të thirrjes.

Procesi i deinstitucionalizimit po funksionon vetëm në drejtim të largimit të fëmijëve rezident drejt institucioneve të tjera rezidenciale dhe për efekte birësimi e jo për arsye të kthimit të këtyre fëmijëve në familjet e tyre biologjike ose në familje kujdestare. Dështimi me deinstitucionalizimin lidhet jo vetëm më Qendrën në Korcë, por edhe me qendrën në Durrës, ku fëmijët numri i fëmijëve ka ardhur në rritje. Ky fakt dëshmohet nga dokumentet e siguruara nga Avokati i Popullit, që shpjegon edhe shkaqet.

“Kur kujtoj të vetmen gjë që para 2021 mund të ishin sa gishtat e dorës të punësuar në admiistratën publike që vinin nga ky komunitet, sot ke 765 raste që janë të rinj pa kujdesin prindëror, janë të rinj me kujdesin e njërit prind që sot janë pjesë e administratës publike”, u shpreh për “Vetting” Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se në disa institucione mungon figura e psikologut, e infermierit dhe është e nevojshme shtimi i stafit me kujdestarë për të plotësuar nevojat në përmirësimin e shërbimit. Këta fëmijë në pamundësi integrimi në shoqëritë përkatëse migrojnë dhe emigrojnë me qëllim përshtatjen, por përballen me ngjarje që lënë gjurmë tronditëse për ta, bien pre e trafikimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb