KORCË- A është normale që nxënësit romë dhe egjiptianë të grupohen në një shkollë dhe të veçohen nga komunitetet e tjera? Kjo ka ndodhur në qytetin e Korçës dhe është bërë me urdhrin e Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Bashkisë së këtij qyteti.

Kolektivizimi i fëmijëve romë e egjiptianë është bërë vetëm në një shkollë, shkollën “Naim Frashëri”.

Prindërit e tyre kanë shfaqur shqetësimin për këtë rast dhe kërkojnë që fëmijët e tyre të integrohen me gjithë të tjerët e të mos veçohen. Kjo sipas tyre tregon racizëm të plotë ndaj komunitetit të tyre.

“Fëmijët tanë të integrohen me gjithë shoqërinë. Nuk duhet ndarje, ky veprim i mënjanon fëmijët. Ndarja tregon racizëm ndaj komunitetit tonë”,- thonë ata.

Kreu i kësaj shoqate, Artur Lamolli e cilësoi këtë vendim diskriminues për romët dhe racizëm të theksuar. Shoqata shton se “Përgjegjëse është drejtoria arsimore e Korçës”.

TOTOZANI: SITUATË E PAPRANUESHME
Situatë të papranueshme e ka cilësuar këtë kolektivizim edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani. “Situatë e papranueshme te kjo shkollë, një situatë e tillë është dhe në shkollën ‘Avdyl Avdia”,- tha ai.

Totozani shtoi se këto janë raste unike të diskriminimi të romëve e egjiptianëve. “Zona ku është shkolla, ka popullsi diverse. Ankesa ka ardhur nga qendra evropiane për të drejtat e romëve. Është i papranueshëm veçimi fizik i fëmijëve romë. Iu kemi dhënë rekomandime institucioneve përkatëse. Jo shkolla segreguese, por gjithëpërfshirëse. Në dy shkollat s’monitorohen politikat arsimore”,- tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: