Stina e vjeshtës dhe shkolla shkojnë gjithmonë bashkë. Pas një vere të shkujdesur dhe lojëra pa kursim, tani të gjithë fëmijët i mbledh çanta me libra e bankat e shkollës. Ushqimi mbetet faktor kyç në mirërritje, por jo të gjithë vogëlushët kanë oreks të mirë. Për t’ua bërë “bukën me vete” më të dashur, atëherë ndjekim këshillat e nutricionistes, Rolina Naço.

Ajo bashkë me moderatoren e emisionit “Vila 24” në TV “News 24” kanë bërë blerje të përshtatshme për nga vlerat e kaloritë dhe përgatitën receta me ushqime të pëlqyera dhe të dobishme për fëmijët. Në shportë kanë zgjedhur patate, speca të kuq, kastravec, domate, sallatë jeshile, rrush, rrush të thatë me ngjyrë pasi ka më shumë hekur, fiq, pjeshka, lajthi, arra, kumbulla, banane dhe bajame. Në recetën e parë Naço lyen një pite me krem djathi, shton djathë parmixhano pasi ka përqëndrim të lartë kalçiumi. Ajo sugjeron të shmanget proshuta, por nëse preferohet nga fëmijët mund të zgjidhet ajo e tymosura ose pule.

Më pas mbush piten me feta të holla kastraveci, sallatë jeshile ose domate dhe e mbledh në formë trekëndore. Në vendin e çantës me nëndarje, hedh pak rrush apo edhe bajame për larmi me qëllim që fëmija të ketë mundësi të hajë atë që pëlqen. Në përgatitjen e dytë, Naço propozon një krep që e lyen me çokokrem të bërë vetë me krem susami, mjaltë e kakao. Me të mbështjell një banane të plotë të cilën më pas e pret si role për ta bërë më tërheqëse për të vegjëlit. Të ushqyeshme, të pasura me kalçium në një kohë që ata kanë edhe zëvendësimin e dhëmbëve të qumështit si edhe rritjen e masës kockore.

Nutricionistja Naço thekson rëndësinë e një mesvakti me vete në shkollë në pamundësi për të ngrënë një mëngjes të bollshëm në shtëpi për shkak të orarit dhe u sugjeron prindërve të vendosin ca “dënime” të vogla kur fëmijët nuk hanë ushqimet e nevojshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb