TIRANE – Studimet e fundit tregojnë se femrat që trukohen paguhen më shumë në punë dhe trajtohen më mirë. Ja se përse makeup-i është bërë një lloj “takse”! A e keni menduar ndonjëherë se sa shumë kohë shpenzojnë femrat duke u trukuar çdo ditë? Ose, a keni reflektuar mbi koston e produkteve të kozmetikës dhe sa mund të ndikojë kjo gjë në ekonominë e një femre? Çështja e ashtuquajtur “makeup tax” (shprehje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia bashkëngjisin faktit se femrat ndihen të detyruara të harxhojnë kohë dhe para për t’u trukuar) i ka interesuar shumë gazetares së “The Atlantic”, Olga Khazan, e cila ka vendosur të thellohet më shumë në këtë temë. Se përse femrat trukohen është një pyetje e cila nuk mund të marrë përgjigje, sepse është diçka që gjithmonë ka qenë e pranishme në shoqërinë tonë dhe që në njëfarë kuptimi, gjithmonë na ka karakterizuar. Megjithatë, nëse flitet për punën, duke pyetur se përse femrat trukohen çdo ditë për të shkuar në zyrë dhe për të menaxhuar marrëdhënie të rëndësishme sociale ka një vlerë tjetër. Në artikullin e publikuar në “The Atlantic”, Khazan shprehet se femrat shpenzojnë kohë dhe para për t’u lyer sepse kjo ka ndikim në marrëdhëniet e tyre, por edhe te paga që ato marrin. Femrat shpenzojnë për prerjen e flokëve, kremrat depilues dhe balsamet dhe çmimi i produkteve kozmetike është diçka që meshkujve nuk u ka interesuar kurrë. Nëse bëhet një llogari afatgjatë për shpenzimet dhe kohën që femrat ia dedikojnë trukut, ajo është tepër e konsiderueshme. Është llogaritur se femrat harxhojnë mesatarisht gjatë gjithë jetës së tyre rreth 15 mijë dollarë (pak a shumë 14 mijë euro) për produktet e makeup-it, ndërkohë që koha e shpenzuar përpara pasqyrës është mesatarisht rreth dy javë në vit. Duke parë këto të dhëna, lind natyrshëm pyetja: A nuk do të ishte më e thjeshtë që të mos trukoheni, ose të paktën të mos e bëni gjithmonë? “Nëse është e vërtetë se disa femra nuk trukohen, për pjesën më të madhe të tyre është po aq e vërtetë se fondatina (kremi pudër) dhe rimeli janë praktikisht një lloj detyrimi”, thotë Khazan. Sondazhet tregojnë se femrat të cilat trukohen janë rreth dy në tri dhe se janë shumë të prirura për ta bërë këtë gjë, nëse në lojë janë çështje të rëndësishme si puna dhe marrëdhëniet sociale dhe dashurore. Arsyeja që qëndron pas kësaj rutine duhet kërkuar te parametrat e feminilitetit që media dhe shoqëria promovojnë, sidomos femrat të cilat punojnë në televizion trukohen më shumë. Shumë nga nënat tona trukoheshin, ashtu si edhe mësueset tona të shkollës fillore. Revistat i “bombardojnë” vajzat me këshilla për t’u dukur perfekte! Dhe kështu, në imagjinatën kolektive femrat duken me buzë të mëdha dhe sy vezullues. Përveç kësaj ka dy elemente kryesore. Nga njëra anë personat e bukur dhe tërheqës fitojnë më shumë dhe nga ana tjetër, femrat të cilat përdorin makeup zakonisht konsiderohen si më kompetente dhe të besueshme. Që njerëzit e pashëm kanë paga mesatarisht më të larta se të tjerët, ky është një fakt i provuar shkencërisht dhe përkon me idenë e përgjithshme, e cila tregon pjesën tonë më të “mirë” në punë për të pasur sukses. Megjithatë, fakti se femrat për të qenë të bukura duhet të vendosin makeup-in varet nga normat shoqërore ku ato bëjnë pjesë. Edhe meshkujt përdorin strategji për t’u dukur më mirë, prerje flokësh, produkte higjiene, veshje të pastra, këmisha më në modë, por sigurisht atyre nuk u duhet të përballen me çështjen e trukut. Disa studime kanë treguar se për femrat duket se është truku, ai i cili bën ndryshimin në përshtypjet që u japin të tjerëve. Ndërkohë një studim tjetër ka demonstruar se femrat e lyera konsiderohen më kompetente dhe të pëlqyeshme, por edhe më të pranueshme. Por disa femra thonë se trukohen për të “rritur vetëvlerësimin”!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: