Teatri Kombëtar i hap dyert në natyrë. Pranë teatrit veror të liqenit, vjen premiera “Ferma e Kafshëve” me regji të Driada Dervishit. Pjesa e Xhorxh Oruell denoncon çlirimtarët që kthehen në shtypës ndërsa koncepti regjisorial premton risi.

E njohur si një prej alegorive politike më të suksesshme, ajo zë fill në një fermë ku kafshët ngrënë krye për të rënë në një tjetër zgjedhë. Nën regjinë e Driada Dervishit që ka ndërtuar një koncept ku shtypësit mund të jenë kushdo, shfaqja e ka premierën më 10 korrik në teatrin veror të Liqenit.
Aktori Neritan Liçaj që interpreton Napolonin, thotë se “për fat të keq nga revolucionet fitojnë ‘derrat’. Roli i Napolonit është diktatori që u ngjan të gjithëve pa i imituar ata”.

Loja fizike do të jetë një pikë e fortë shfaqjes që pas Tiranës, pritet të shkojë në rrethe ndërsa premtohet një sezon i ri në sallë.

Hervin Çuli, drejtor i TK-së dhe aktor në kete shfaqje thotë se “përveç drejtor, jam regjisor dhe aktor dhe te Ferma e Kafshëve, kam rolin e majorit. Roli im është një monolog jo i lehtë per një aktor, është roli i një demagogu, sic janë ata që kanë pushtet”.

Me përkthimin e Sokol Çungës, kostumet e Berina Kokonës, skenografinë e Ergys Krisikos, produksioni ka afruar Bojken Lakon për muzikën dhe efektet muzikore. Tradhtia e idealizmit përmes tiranisë dhe korrupsionit është po ajo, ndërsa mënyra e shfaqjes në skenë e përtej saj, ndryshojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb