Fermerët çekë kanë shkuar me traktorët e tyre dhe vetura të tjera në disa pikëkalime kufitare të enjten, për të bashkuar forcat me kolegët e tyre nga shtetet fqinje, në protestat e tyre kundër politikave agrokulturore të Bashkimit Evropian, burokracisë dhe kushteve të të bërit biznes.

Bujqit ankohen se politikat mjedisore të 27 vendeve të BE-së, si Marrëveshja e Gjelbër, e cila bën thirrje për kufi në përdorimin e kemikateve, dhe në emetimet e gazit, e kufizon biznesin e tyre dhe i bën produktet e tyre më të shtrenjta se importet nga jashtë BE-së, raportoi AP.

Fermerët po ashtu ankohen për çmimet e ulëta të produkteve të tyre, dhe thonë se gruri dhe produktet e tjera agrokulturore që vijnë nga Ukraina dhe Amerika Latine, ndikojnë negativisht në treg.

Fermerët janë takuar me kolegët e tyre nga Gjermania, Polonia dhe Sllovakia, në disa pikë kalime kufitare.

Fermerët ftuan ministrin çek të Bujqësisë, Marek Vyborny, homologun e tij sllovak, Richard Takac, dhe përfaqësuesit e fermerëve nga Polonia dhe Hungaria të mblidhen në një vendkalim kufitar çeko-sllovak të njohur si Hodonin-Holic, i cili u bllokua nga qindra traktorë.

“Ne nuk protestojmë kundër BE-së, ne protestojmë kundër vendimeve të gabuara të Komisionit Evropian”, ka thënë Andrej Gajdos nga Dhoma Sllovake e Bujqësisë dhe Ushqimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: