Fermerët e bashkisë Dimal janë në kufijtë e mbijetesës. Fermerët e fshatrave; Sheqë, Gajdë, Polizhan, Malasgropë, Syzezë e Poshnje tregtojnë prej më shumë se 30-vitesh prodhimet e tyre përgjatë aksit nacional Urë Vajgurore-Lushnje.

Tregtimin e produkteve që kultivojnë në tokat e tyre bujqësore, fermerët e kanë të vetmen të ardhur për të mbajtur familjet e tyre por asnjëherë nuk janë përkrahur nga shteti edhe pse është folur shumë për grande e subvencione falal për ta. Fermerët shprehen se, ata nuk ka marrë asnjëherë naftë apo grande falas nga qeveria, edhe pse kanë disa dhjetëra ha tokë që e punojnë që prej viteve ’90.

Fermerët pohojnë se pushtetarët vendor e qëndron paraqiten në fshatrat e tyre vetëm gjatë fushatave elektorale, për të premtuar gënjeshtrat e radhë e për ti qerasur me ndonjë birrë. Ata tregojnë se kanë probleme edhe me vaditjen pasi mungon uji dhe për këtë arsye ata kanë çpuar puse në tokat e tyre për të vaditur. Sipas fermerëve, mundi dhe djersa e tyre çdo vit shkon dëm pasi kostoja e prodhimit nuk justifikon as kostot e shpenzuara për këtë prodhim, kur dihet që çmimet e plehrave kimikë dhe punimi i tokës janë të shtrenjta. “Dalim prej vitesh në këtë asfalt për të siguruar bukën e gojës, shteti nuk do t’ja dijë për fermerët. Ne sigurojmë në këtë mënyrë vetëm ushqimin e përditshëm”, -shprehen fermerët.

Fermerët e fshatrave të ish/komunës Poshnje në bashkinë Dimal shquhen për cilësinë e prodhimeve në fushën e bujqësisë e pemëtarisë dhe si fermerë punëtorë që janë ata kultivojnë në tokat e tyre jo vetëm prodhimet e fushës siç janë: shalqiri, pjepri e perime të ndryshme por edhe pemëtari të shumëllojshme, ku dominon ulliri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb