Fermerët e bashkisë Dimal janë në kufijtë e mbijetesës. Fermerët e fshatrave Sheqë, Gajdë, Polizhan, Malasgropë, Syzezë e Poshnje tregtojnë prej më shumë se 30-vitesh prodhimet e tyre përgjatë aksit nacional Urë Vajgurore-Lushnje.

Tregtimin e produkteve që kultivojnë në tokat e tyre bujqësore, fermerët e kanë të vetmen të ardhur për të mbajtur familjet e tyre por asnjëherë nuk janë përkrahur nga shteti, edhe pse është folur shumë për grande e sumbvencione falas për ta.

Fermerët shprehen se ata nuk ka marrë asnjëherë naftë apo grande falas nga qeveria, edhe pse kanë disa dhjetëra ha tokë që e punojnë që prej viteve ’90. Fermerët pohojnë se pushtetarët vendorë e qendrorë paraqiten në fshatrat e tyre vetëm gjatë fushatave elektorale, për të premtuar gënjeshtrat e radhë e për t’i qerasur me ndonjë birrë.

Sipas fermerëve,mundi dhe djersa e tyre çdo vit shkon dëm pasi kostoja e prodhimit nuk justifikon as kostot e shpenzuara për këtë prodhim, kur dihet që çmimet e plehrave kimikë dhe punimi i tokës janë shumë të shtrenjta.

“Dalim prej vitesh në këtë asfalt për të siguruar bukën e gojës, shteti nuk do t’ia dijë për fermerët.

Ne sigurojmë në këtë mënyrë vetëm ushqimin e përditshëm.Prodhimi i parë i shalqirit e pjeprit u kalb i gjithi në arë pasi nuk kemi treg ku ta çojmë me shumicë,i vetmi treg është në Lushnje dhe është shumë larg.Edhe prodhimi i dytë po na kalbet në arë dhe askush s’do t’ia dijë për ne”,-shprehen fermerët.

Fermerët e fshatrave të ish-komunës Poshnje në bashkinë Dimal shquhen për cilësinë e prodhimeve në fushën e bujqësisë e pemëtarisë dhe si fermerë punëtorë që janë ata kultivojnë në tokat e tyre jo vetëm prodhimet e fushës siç janë: shalqiri,pjepri e perime të ndryshme por edhe pemëtari të shumëllojshme, ku dominon ulliri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb