* Reagon kreu i Bujqësisë Korçë: Nxjerrja në treg e produkteve sapo ka nisur, po shiten normalisht

TIRANE- Fermerët e Korçës dhe të Devollit janë mbledhur sot para Kuvendit të Shqipërisë duke protestuar për shkak se qeveria nuk i krijon mundësi për një tregu shitje për prodhimet e tyre. Me një makinë ata janë vendosur para Kuvendit, duke shpërndarë mollë për deputetët në shenjë proteste.

Në mbështetje të protestës të fermerëve janë edhe deputetë të Partisë Demokratike.

Për të normalizuar situatën, kanë ndërhyrë uniformat blu të cilat kanë larguar mjetin me mollë që ishte vendosur në hyrje të Kuvendit.

BODE: KONKURRENCË E PANDERSHME NDAJ PRODHIMEVE TUAJA, KJO ËSHTË SKLLAVËRI
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode ka mbështetur protestën e fermerëve të Korçës e Devollit, edhe si deputet i kësaj zonë. Bode tha se prodhimeve të fermerëve u bëhet konkurrencë e pandershme nga prodhimet e importuara nga Greqia e Maqedonia.

“Qeveria nuk është e përqendruar tek hallet tuaja, por kërkon të qëndrojë në këmbë qoftë edhe me paterica. Varfëria ka pllakosur vendin, ndërsa këta importojnë prodhime bujqësore, blegtorale, fruta, perime, e gjithçka tjetër në këtë vend, ndonëse doganat nuk arrijnë të realizojnë të ardhurat. Si pasojë prodhimet tuaja ngelen pa shitur. Kjo nuk është tregti e lirë por skllavëri, me metodat që po ndjek kjo qeveri. Çmimet vazhdojnë e bien çdo ditë. Vetëm molla që protestoni sot ka rënie 40 % në dy vite, ka zbritur në 30 lekë/kg, ndonëse cilësia e saj është rritur. Ndërkohë edhe kostot rriten, se është rritur çmimi i naftës, dhe plehrave kimikë. Zërin tuaj do ta çojmë në Parlament”, tha ish-ministri Bode.

REAGON KREU I BUJQËSISË KORÇË: NXJERRJA NË TREG E PRODUKTEVE SAPO KA NISUR, PO SHITEN NORMALISHT
Kreu i Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë ka reaguar për protestën e sotme të fermerëve para Kuvendit. Vullnet Gjolla thotë se “mosshitja e produkteve nuk është realitet”. Ai thotë se nxjerrja në treg e prodhimeve të fermerëve të Korçës dhe të Devollit sapo ka nisur, duke shtuar se në treg s’ka produkte të huaja, por vetëm shqiptare.

Sipas Gjollës, deklarimet e fermerëve nuk janë të vërtetë, pasi “produktet shqiptare po shiten normalisht. Në Devoll nuk ka mollë dhe qepë të hedhura”.

“Niveli i shitjeve këtë vit në Korçë do të jetë më i mirë”, u shpreh Vullnet Gjolla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: