Funksionimi i Spak po ecën me dy shpejtësi. Nga njëra anë po hetohen me angazhim maksimal çështje me impakt shoqëror të papërfillshëm, si ndikimi i paligjshëm tek një arbitër futbolli në kategorinë e tretë, apo thirren për të dëshmuar 240 fermerë për pasurinë e bashkëfshatarit të tyre me autokombajnë dhe nga ana tjetër po tolerohen raste evidente të korrupsionit të zyrtarë të lartë shtetërorë, siç është rasti i pasurive të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve Ceno Klosi apo tenderi i famshëm i drejtorit të fondit shqiptar të zhvillimit Dritan Agolli që i jepte rreth 400 milion lekë kuzhinierit të restorantin e djalit të tij.

Që në krye të herës u tha së maja e diamantit e reformës në drejtësi ishte Prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por jo gjithçka që shkëlqen është ar thonë italianët. Në 3 vite punë Spak ka funksionuar me dy shpejtësi, ku për funksionarët e lartë të përfshirë në raste të pastra korruptive hetimet kryhen me metër tjetër nga ai që përdoren për qytetarët apo zyrtarët e tjerë.


Kështu shkaktoi jo pak habi dhe çudi lajmi i mesjavës që shkoi ku 240 fermerë nga fshati Kozarë në Kuçovë, u thirrën nga SPAK për të dëshmuar në gjykatën e posaçme në lidhje me një proces ndaj një shtetasi subjekt i OFL, për të cilin kërkohet konfiskimi i disa pasurive pasi djali i tij ishte dënuar jashtë vendit për disa vepra penale. Vetë i padituri e kishte deklaruar se pasuritë janë vënë të ardhurat nga djersa e punës, pasi që nga viti 1990 zotëronte një autokombajnë me të cilën korrte grurin në fshat.
Për të vërtetuar neës pasuria kishte ardhur nga puna, SPAK u investua duke thirrur për të dëshmuar në gjyq plot 240 fermerë për tu pyetur nëse kishin marrë apo jo shërbime me autokombajnë nga subjekti për të cilin kërkohet konfiskimi i pasurisë. Por duket se metri nuk funksionon kështu kur bëhet fjalë për rastin flagrant të drejtorit të përgjithshëm te Fondit Shqiptar të zhvillimit, i cili me një të rënë të lapsit i dha një tenderi 400 milion lekësh kuzhinierit të restorantit të djalit të tij. Nga buja që bëri tenderi u anullua, por ndërkohë deri më tani askush nuk e ka vënë para përgjegjësisë Dritan Agollin, edhe pse ndaj ti ka denoncime mediatike me shumicë për abuzimet me tenderat prej 10 milionë euro të fondit shqiptar të zhvillimit.

E njëjta situatë me zbulimet mediatike për drejtorin e përgjithshme të tatimeve Ceno Klosi, për të cilin deri më tani Spak nuk ka lëvizur asnjë gurë. Pa pasur asnjë pengese Ceno Klosi deklaronte në Inspektoriatin e deklarimit të pasurive se kishte dhënë 140 mijë paund me fajde, zotëronte biznes ne Angli dhe në Shqipëri kishte vënë një pasuri prej gati 900 mijë euro e ndarë në disa apartamente dhe depozita bankare. Dhënia e parave borxh apo me fajde është një skemë e njohur për pastrimin e parave, ndërkohë që biznesi i Ceno Klosit në Angli rezultonte në një zonë ekskluzive, në një pasuri që kushton mbi 1 milion paund.
Pa folur për metodën përdorur nga drejtori i përgjithshëm i tatimeve për blerjen së apartamente luksoze me kredi që shlyhen në pak vite. Këto janë raste flagrante për të cilët publiku meriton një përgjigje, ndërkohë që tani për tani spak ka qëndruar në heshtje. Ndoshta një ditë përgjigja do të vijë, por tani për tani këto zyrtarë po rrinë në detyrë pa u hyrë gjemb në këmbë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb