Kreu i PD-së Sali Berisha ka qenë në një familje në fshatin Bubq të Fushë-Krujës pak ditë më parë, ku ka parë nga afër situatën e vështirë në të cilën jeton familja e Martin Jakut.

Në një bashkëbisedim me aktivistin dhe gazetarin, Aulon Kalaja gjatë rrugës, Berisha shprehet se zona krijon potenciale të mëdha turistike, por është braktisur nga qeveria. Sipas tij, fermerët janë më të harruarit dhe arsyeja deklaron Berisha është se nuk mund të rripen.

Ai tha se po ndiqet një politikë falimentimi nëpërmjet Ballkanit të Hapur.

“Këta njerëz jetojnë në një vend i cili është i braktisur, por në qoftë se vihet dorë, krijon potenciale të mëdha turistike dhe mund të begatohet. Qytetarët e këtij vendi, si banorët e këtyre zonave, Ishmi, Bubqi janë komuna me potenciale të mëdha. Në tërësi fermerët janë më të harruarit, më të braktisurit.
Arsyeja është, së pari nuk kanë si t’i rrjepin se këta janë të bazuar në ryshfetin. Janë në një politikë falimentimi masiv të fermave nëpërmjet Ballkanit të Hapur.
Rritja me 250% e importeve bujqësore nga Serbia, vend i cili ka subvencione të jashtëzakonshme, miliarda euro në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, për fermerin shqiptar pa tarifat rregulluese është e pamundur të përballojë çmimet që ata ofrojnë të ulëta krahasuar me koston e prodhimeve këtu. Këto kanë bërë që në tërësi prodhimi bujqësor dhe ai blegtoral të kenë një rënie të madhe, të ndjeshme kudo. Kur flas kudo, flas për zonat fushore. Kurse nuk ekziston asnjë skemë subvencioni për zonat kodrinore, malore. Sepse kanë vendosur rregullin e tokës 4 hektarë, kur këtu deri në Prezë, janë me parcela toke të ngushta toke. Meritojnë subvencion, investim në blegtori, në frutikulturë që të mund të krijojnë të ardhura dhe të jetojnë. Këto janë kodra shumë të bukura”, tha Berisha.

Teksa bashkëbiseduesi i thotë se familja Jaku nuk ka përfituar nga rindërtimi për shkak të bindjeve politike, Berisha deklaron se Rama shpalos mentalitetin e trashëguar nga etërit e tij.

“Ekziston ideja skicoide e kontrollit të çdo gjëje. Ai do të kontrollonte. Vuri një…e quajti superministër, ai është një nga hajdutët më të mëdhenj në historinë e qeverive shqiptare, që mund të ketë mbi vete vetëm Edi Ramën dhe atë e mori si të plotfuqishëm për tërmetin, de fakto për të vjedhur e shpërdoruar fondet e tërmetit. Edi Rama shpalos mentalitetin dhe mendësinë që ka trashëguar nga etërit e tij”, shprehet Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: