Në muajt e fundit, protestat e fermerëve kanë përfshirë Evropën, duke kulmuar në një bllokim të qarkullimit në Bruksel në mes të samitit të BE-së javën e kaluar.

Për shumë evropianë, është ende e paqartë se si nisi e gjitha kjo.
Historia e protestave aktuale mund të thuhet se i ka rrënjët në Marrëveshjen e Gjelbër të vitit 2019, në të cilën u bënë ndryshime të rëndësishme ligjore sa i përket marrjes së masave për të ndihmuar ambientin dhe për pasojë për të ndikuar edhe në përmirësimin e klimës.

Qëllimi i marrëveshjes ishte dekarbonizimi dhe dixhitalizimi i ekonomisë së Evropës. Në të sugjeroheshin disa ndryshime serioze në politikat e BE-së për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.

Megjithatë, politikëbërësit nuk arritën të përfshinin ndikimin e saj te fermerët.

Tashmë fermerët janë bërë bashkë në përpjekje për të mbrojtur veten dhe prodhimin e tyre.

Por protestat e vazhdueshme kanë sjellë një ngadalësim në ekonomitë e vendeve të BE duke krijuar kështu themelet e një megakrize.

Në nëntor të vitit të kaluar, politikanët e BE-së hodhën poshtë projektligjin e propozuar për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve.

Megjithëse projektligji kishte për qëllim promovimin e strukturës bujqësore organike, ai nuk arriti të zbatohej.
Reagimi erdhi jo vetëm nga fermerët, por edhe nga politikanët e krahut të djathtë, të cilët besonin se projektligji mund të çonte në një ndikim negativ në rendimentet e të korrave, duke prishur kështu prodhimin e ushqimit. Grupi kryesor bujqësor i BE-së, COPA-COGECA, kritikoi projektligjin.

“Të mos harrojmë se ky propozim ishte ideologjik që në fillim, pa asnjë lidhje me realitetet e bujqësisë, duke propozuar tranzicione joreale pa financimin e nevojshëm”, tha COPA-COGECA.

Në shumë pjesë të Evropës, protestat janë përshkallëzuar në bllokadë, duke reflektuar zemërimin për rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe rregulloret mjedisore të BE-së. Konkurrenca në industrinë ushqimore vendase po e përkeqëson më tej situatën, duke lënë pak shpresa për fermerët.

“Kur fermerët janë të shkatërruar, ushqimi duhet të importohet”, “Pa fermer, pa ushqim, pa të ardhme”, thuhej në banerat e mbajtura nga fermerët.

Gjendja e fermerëve nuk lidhet vetëm me masat specifike të politikës shtetërore, por është gjithashtu një përpjekje për të sfiduar rregulloret mjedisore të BE-së dhe vizionin e qëndrueshmërisë në lidhje me të ardhmen.

Punëtorët e bujqësisë në Gjermani po protestojnë kundër planit të qeverisë për të shkurtuar subvencionet e naftës; fermerët në Francë po protestojnë kundër rregulloreve të tepërta në lidhje me aktivitetet e tyre bujqësore; homologët e tyre në Holandë po protestojnë kundër planeve mjedisore të qeverisë, që synojnë reduktimin e popullsisë së bagëtive për të ulur emetimet.


Ndikimi i protestave në ekonominë e Evropës

Kjo trazirë ka potencialin që jo vetëm të prishë strukturën bujqësore të rajonit, por edhe “të shqetësojë” sektorin e transportit, përgjegjës për dërgimin e mallrave të ndryshme, duke ndalur kështu zinxhirin e përgjithshëm të furnizimit dhe duke ndikuar në ekonominë rajonale në përgjithësi.

Demonstratat agresive, përplasjet me policinë, mbylljet mbarëkombëtare, bllokimet në rrugë dhe protestat masive do të kenë pasoja të rënda edhe në sektorin e tregtisë dhe prodhimit.

Përveç kësaj, fermerët tani po synojnë zonat portuale për të prishur infrastrukturën logjistike, duke ndikuar në aktivitetet portuale. Së fundmi, gjatë një prej protestave në Belgjikë, porti i Zeebrugge u bllokua nga fermerët rreth 36 orë si pjesë e demonstratave më të gjera evropiane.

Demonstratat kanë potencialin që jo vetëm të shkaktojnë rënien e peizazhit ekonomik kombëtar, por edhe të ndikojnë në ekonominë e BE-së.

Për të kapërcyer hendekun, BE-ja duhet të arrijë në një marrëveshje për të siguruar çmime të drejta për fermerët, në mënyrë që kalimi në një ekonomi të gjelbër të jetë i qetë dhe i qëndrueshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: