Debati më i fundit që është ndezur lidhur me pjesëmarrjen e një artisti serb i cili do të performojë muzikë në “Festën e Birrës” në Korçë, ka nxjerrë në pah disa këndvështrime dhe emocione.

Si i rritur në një familje që ka bashkëjetuar me artin dhe muzikën, anëtarët e së cilës janë piktorë e instrumentistë ndërsa unë vetë një ish-nxënës i shkollës artistike për piano, e kam të panatyrshme të përfshihem në vorbullën absurde të preferencës muzikore, që diktohet nga kombësia apo kufijtë gjeografikë.

Me këtë lloj arsyetimi, për gjithçka ne shqiptarëve na ka ndodhur si padrejtësi me kosto të jashtëzakonshme në të kaluarën e largët apo të afërt, duke filluar qysh nga ish perandoria otomane që na mbajti të pushtuar për 5 shekuj, e deri te pushtimi fashist i Italisë apo ai nazist i Gjermanisë, si dhe të gjitha konflikteve apo raprezaljeve mes fqinjësh në një Ballkan historikisht të trazuar, ku gjithmonë shqiptarët kanë qënë të dhunuar e jo dhunuesit, duke kulmuar deri me genocidin e llahtarshëm të regjimit serb ndaj Kosovës, ne nuk do duhej të dëgjonim kurrë muzikë turke, italiane, gjermane, greke, serbe, etj.

Ndërkohë që, edhe kur shqiptarët kanë qënë të izoluar nga regjimi komunist, një pjesë jo e vogël e tyre janë “arratisur” gjithmonë për të dëgjuar fshehurazi muzikë të huaj, siç njëkohësisht mesa unë di, edhe bashkëkombasit tanë në Kosovë kanë dëgjuar jo pak muzikë serbe, ndërkohë që ishin aq gjatë nën “umbrellën” e ish Jugosllavisë.

Në historinë e shteteve shumë njerëz janë flijuar për të arritur qëllime madhore, siç është pavarësia, si shprehja më klasike e kuptimit të lirisë për një komb. Në rastin e Kosovës rrugëtimi drejt pavarësisë ka qënë një dhimbje e pakrahasueshme, duke qënë se krimet e regjimit sërb kanë qënë makabre edhe mbi popullsinë civile.

Në vitin 1999, vit që përkon me kulmin e marrëzisë së Millosheviçit, shqiptarët hapën dyert e zemrës dhe shtëpive të tyre. Atë vit në familjen time për shembull, kemi ndarë momente të paharrueshme duke jetuar për disa muaj me tre motra të shkëlqyera nga Prishtina. Këtë marrëdhënie ne vazhdojmë ta ruajmë me shumë dashuri e besoj se nuk do e humbasim asnjëherë, për gjithë pjesën e mbetur të jetës.

Ky natyrisht është vetëm një nga shembujt e shumtë që dëshmon sesa e natyrshme është lidhja mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, kur ajo që na bashkon është në radhë të parë dashuria për gjakun tonë. Këtë ne e ridëshmuam me një reagim shumë solidarizues kur vëllezërit tanë nga Kosova na u gjendën pranë në kohë rekord me gjithçka ata patën mundësi, pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë në fundvitin e 2019 dhe shkundi edhe zemrat e tyre, apo kur edhe Shqipëria një vit më vonë u përpoq të ndihmonte mesa pati mundësi në një vit shumë të vështire pandemie, për të ofruar në Kukës vaksina falas për bashkëkombasit tanë andej Morinës.

E bëra këtë parantezë disi historike, jo për të justifikuar veten se më pëlqen muzika e Goran Bregoviçit. Në fakt nuk i njoh atij shumë këngë, por nuk e mohoj se një disk me duete të kënduara mrekullisht prej tij dhe Jorgo Dalarës në albumin e tyre të titulluar “With two canvas shoes”, e kam dëgjuar me dhjetëra herë.

Artistët ndonjëherë janë kontraversë për nga natyra, ata padyshim kanë edhe bindjet e tyre politike si qënie sociale, pasi e kanë këtë të drejtë njësoj si ne. Patjetër kanë edhe origjinën e tyre, si në rastin e Goranit, që dikur ishte shprehur se: “Babai im është një katolik kroat, nëna ime një sërbe ortodokse, dhe gruaja ime një myslimane e Bosnjës”, duke e vazhduar këtë prezantim me pyetjet e shprehura nga vetë ai: “Kush duhet të ishte vrarë? Familja e gruas time? Babai im? Apo nëna ime? Unë nuk urreja askënd. Isha vetëm i trishtuar. E vështirë të besohet se ne nuk kemi mësuar asgjë nga historia dhe përsërisim të njëjtën luftë çdo pesëdhjetë vjet”.

E shkëputa këtë citat të tij, së paku si një dëshmi domethënëse, e cila mund të na ndihmojë për të mos e urryer minimalisht si artist. Unë vetë, akoma nuk kam lexuar ndonjë tekst kënge apo dëgjuar ndonjë deklaratë të tij ulëritëse, që të reflektojë ndonjë tendencë që ushqen ndjenja antishqiptare.

Përpos kësaj, duhet pohuar se ne nuk e dëgjojmë muzikën e artistëve detyrimisht mbështetur në informacionin paraprak të CV-së jetësore të tyre, por e dëgjojmë muzikën sepse notat dhe tingujt e saj na depërtojnë natyrshëm, pa na pyetur shumë nësë në doganën e Serbisë apo të Greqisë, jo gjithmonë trajtohemi siç do ishte e udhës, apo qoftë edhe pa e njohur Sërbia ende pavarësinë e Kosovës.

Sigurisht që në fund gjithçka është zgjedhje personale, pasi edhe shijet tona janë të tilla. Ndaj, natyrisht që askush nuk mund të detyrojë askënd të vijë të argëtohet me doemos në një aktivitet si “Festa e Birrës” në Korçë, por nga ana tjetër, nuk mund të pranojmë kurrësesi të fyemi dhe kërcënohemi në qytetin e kulturës, nga kushdo që ka zgjedhur ta sabotojë atë për arsyet e veta.

Për të gjitha këto arsye e me siguri edhe shumë të tjera, mendoj se nuk është aspak e civilizuar që të mos përpiqemi të ngjizim gradualisht vlera të shtuara kozmopolitizmi, që minimalisht nuk frymëzojnë akoma përçarje ndërveti dhe njëkohësisht nuk falimentojnë as perspektivën e dëshiruar e të paevitueshme të një bashkëjetese moderne mes vendeve të Ballkanit.

Me siguri herët ose vonë i gjithë ky rajon do të integrohet në Europën e Bashkuar, duke i shtuar yjeve të qiellit të Europës së vlerave universale edhe ngjyrat e vlerave tona unikale, si dy shtete shqiptare që kanë ditur të prodhojnë kulturë dhe shembuj mbresëlënës të të parëve tanë patriotë të vërtetë, por edhe të shëmbujve të erës sonë, me tolerancën kozmopolite që duhet të tregojmë gjithmonë dhe me shembullin e talenteve tona që na bëjnë krenarë. Por pse jo, edhe me sjelljen e mënyrën tonë europiane të të menduarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb