KORCE-Argëtim, muzikë dhe birrë deri në orët e para të mëngjesit. Korça është gati të hapë dyert edhe këtë vit për Festën e Birrës, e cila për mëse një dekadë identifikohet me traditat e qytetit, si edhe birrën e saj.

Nën sloganin “Check in Korca” festa e birrës, këtë vit do të çelë siparin më 8 gusht, dhe do të mbajë zgjuar deri në agim, vizitorët vendas e të huaj që do të bëhen pjesë e saj për 5 net me radhë, nga 8 deri më 12 gusht.

“Dy skenat do të jenë, njëra tek Pazari i Vjetër, dhe tjetra e vendosur në hyrje të stadiumit ‘Skënderbeu’. Ndërkohë që përveç show-t në këto dy pole, i gjithë qyteti është në festë. Është një stacion birre këtë vit. Dhe jo më kot imazhi që kemi zgjedhur është ‘Check in Korca’, duke qenë se trendi i gjithë të rinjve, e tashmë i gjithë grupmoshave, është fakti i të qëndruarit gjithë kohës në rrjetet sociale. ‘Check in Korca’ është një mënyrë e këndshme në të cilin ne kemi përshtatur një imazh inovativ për të thënë që të gjithë në muajin gusht, prej datës 8 deri më 12 gusht duhet të jenë në Korçë”, tha Larisa Katundi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun, në Bashkinë e Korçës.

Ashtu si çdo vit, kjo festë parashikohet të ketë një rekord pjesëmarrësish, ndërsa hotelet në Korçë kanë nisur prenotimet për të pritur jo vetëm pijedashës, që dinë të vlerësojnë shijen e birrës më të mirë, por edhe adhurues të traditave të qytetit.

Edhe në këtë edicion organizatorët e festës janë kujdesur në detaje për të sjellë një program muzikor mjaft të mirë, me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, ndërsa hyrja për të gjithë vizitorët vendas e të huaj që do të marrin pjesë në festë do të jetë falas, ndersa bashkia, zbulon vetëm pak nga surprizat.

“Këtë vit mund të them që shoë do të jetë vërtet shumë i veçantë për faktin se do të ketë jo vetëm këngëtarë shqiptarë, por edhe këngëtarë internacionalë, edhe DJ njëkohësisht. Do të jetë një DJ izraelit. Mjafton të zbuloj vetëm natën e parë do të jetë Alban Skënderaj, një nga këngëtarët më të dashur të shqiptarëve. Do të tregoj edhe një surprizë tjetër, do të kemi dy anëtarë të grupit ‘Gipsy kings’, një grup shumë i dashur vite më parë, por që këngët janë ritmike dhe dëgjohen edhe sot. Do të ketë edhe shumë surpriza të tjera, ndaj i ftoj të gjithë mos ta humbasin Festën e Birrës”, tha Katundi.

Festimet e birra “Korça” janë të veçanta ketë vit, për shkak se birra më e mirë shqiptare mbush 90 vite nga prodhimi i saj i parë.

Turistët dhe të apasionuarit e festës do të kenë mundësi të shijojnë birrën, e cila është vlerësuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë si një prej birrave më cilësore. Veç birrës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë edhe gatimet tradicionale.

Me idenë dhe iniciativën e fabrikës “Birra Korça”, në bashkëpunim me pushtetin vendor, qyteti juglindor zhvillon prej mëse një dekade këtë festë gjigante. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon.

Pushimet nuk kanë përfunduar, ndaj nëse ende nuk keni planifikuar asgjë, Korça ju fton të bëni një ‘Check in’ në festën e Birrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb