NGA ELTON DONO

KORCE- Qyteti i Korçës mirëpri ti natën e parë të Fes tës së Birrës, mes një atmosfere të ngrohtë dhe tepër të entuziazmuar, si asnjëherë më parë në historinë e 9 viteve radhazi të këtij eventi festiv 5- ditor. Aktiviteti i organizuar nga bashkia e këtij qyteti, u shoqërua me një muzikë cilësisht të zgjedhur dhe nga birrat më të mira shqiptare, mes të cilave spikati “Birra Korça”, si birra e parë shqiptare, simbol i qytetit juglindor dhe jo vetëm, për nga cilësia dhe shija e saj e veçantë. Mbrëmja nisi në orën 20:00 dhe vijoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Rrugët e qytetit përgjatë gjithë natës gëlonin nga prania e njerëzve, si asnjëherë tjetër, për shkak edhe të mbërritjes së emigrantëve si dhe mjaft turistëve të huaj, por edhe nga qytetet e tjera shqiptare.

Dritat e neoneve artificiale apo ideja “Një tabelë-Një tavolinë”, ishin dy prej zbukurimeve që iu shtuan festës këtë vit. Një mesazh i shkruar në secilën prej tabelave orienton publikun për festën dhe e miqëson atë me një nga pijet më të veçanta, birrën. Mbizotëroi sërish “Birra Korça”, që ashtu si çdo vit surprizoi me shijen e saj. Duke qenë se këtë vit vendi ku do të zhvillohet festa u spostua në hyrjen para stadiumit të qytetit, pjesëmarrja, ashtu siç pritej, ishte tejet e lartë.

Konsumi i birrës gjatë kësaj feste ka qenë tepër i lartë, duke u shndërruar kështu edhe në një simbol dhe traditë të saj, me një ngjashmëri mjaft të madhe edhe me vendet e Europës Qendrore apo Gjermanisë, që njihen për konsumin e lartë të kësaj pijeje. Ajo që u vu re më së miri ishte mbizotërimi i “Birra Korçës”, stendat e së cilës përgjatë gjithë festës ishin të tejmbushura nga dendësia e qytetarëve në pritje të pijes së tyre të preferuar, që ka dominuar vitet e fundit dhe më gjatë, tregun shqiptar të birrës. Nën siglën “Korça Beer Zone”, ky aktivitet i zhvilluar tashmë përherë në mesin e gushtit, tregoi edhe një herë se kjo festë po shndërrohet nga viti në vit në një festë mbarëshqiptare që sjell fitime të larta për turizmin lokal.

“Jemi këtu për të shijuar netët e festës së birrës dhe ‘Birrën Korça’ bashkë me familjen. Kemi ardhur nga Tirana posaçërisht për këtë festë”, – tha mbrëmë një qytetar tiranas. Ndërkohë që një turist çek, duke pirë “Birra Korça” të zezë, u shpreh i surprizuar nga shija e saj. “Kisha dëgjuar për këtë festë dy vjet më parë nga dy miqtë e mi që kishin ardhur në Korçë rastësisht përgjatë kësaj feste. Unë këtë vit kam ardhur enkas në këtë qytet për këtë festë, sepse më ngjason me organizimet e qyteteve tona çeke. ‘Birrën Korça’ do e veçoja, pasi ka shije fantastike. Urime prodhuesve të saj”, – tha Jann Gebler.

Sipas qytetarëve, prania e birrave më të mira si dhe muzika moderne që do të kulmojë në netët në vijim deri më 17 gusht, do të bëjnë që të rritet më tepër numri i të pranishmëve në këtë festë. Në hapjen zyrtare të saj përshëndetën në fjalën e rastit disa personalitete vendore dhe të huaj. Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e vuri theksin në suksesin e madh të kësaj feste. Ai u shpreh se ky është viti i nëntë radhazi i Festës së Birrës në Korçë, që ngjason tashmë me qytetet gjermane apo çeke për nga simbolika e birrës.

Zoti Filo, si duket organizimi këtë vit?
Është viti i nëntë që organizohet Festa e Birrës në Shqipëri dhe në qytetin tonë të bukur. Është, pa dyshim, eventi më i madh veror në Shqipëri. Do të zgjasë edhe këtë vit 5 ditë si në qytetet e tjera, ndërsa ne presim që edhe këtë vit mijëra qytetarë të Korçës, por edhe vizitorë vendas dhe të huaj, të bëhen pjesë e kësaj feste. Kjo festë është kthyer në një traditë tashmë për qytetin. Këtë vit kemi shumë birra, ndërkohë që e kemi spostuar festën në një vend pak më larg asaj së zakonshmes, për shkak të rikonstruksionit të Parkut Rinia, këtu pranë stadiumit. Këtë vit kishte disa ide të reja për zbukurimet e mjedisit nga njësia kreative, si diçka më e veçantë.

Ç’mund të thoni për “Birrën Korça” si simbol i qytetit dhe kësaj feste tashmë?
Pjesë e Festës së Birrës janë shumë birra vendase dhe të huaja, por pa dyshim, “Birra Korça” si emblemë e qytetit tonë, zë vend të veçantë, si birra më e vjetër shqiptare dhe birra me pjesëmarrjen më të madhe në këtë festë. Kjo festë që është shndërruar në një simbol tashmë, do të vijojë deri më datë 17 gusht, kur do të kulmojë dhe me praninë e disa këngëtarëve më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Mbrëmja e parë u shoqërua nga tingujt e këngëtarëve si Anxhela Peristeri, grupi NA, grupi Nostalgjia etj.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb